Krijimtari

Lenka e Virgjër i rikthehet Pirros - Fragment nga romani “Hijet e muzgut” i Arben Kallamatës

Në këto kohë të vështira karantine thashë të rikujtonim edhe një herë vendosmërinë, qëndresën dhe shpirtin e sakrificës të një heroine pellazge, Lenkës së Virgjër të Tepelenës, e cila duroi me vite e mbyllur në katakombet e Romës por nuk e humbi asnjëherë shpresën te dashuria dhe jeta. Po iu sjell këtë pasazh frymëzues nga libri “Hijet e Muzgut”, i bindur se do t’iu ngrejë moralin.

Kompromise të mëdha 1

279 p.e.r.

Për njerëzit e katakombeve beteja sipër kishte qenë një zhurmë e padëgjuar ndonjëherë - përplasje hekurash, patkonjsh dhe kokash mbi kalldrëmet e Romës; gjëmime këmbësh elefantësh; ulërima dhe klithma njerëzish që jepnin shpirt; sharje me zë të lartë në shqip, greqisht, latinisht dhe koptik. Qetësia e madhe që u vendos pas saj ishte sa e frikshme, aq edhe shpresëdhënëse. Nuk vonoi shumë dhe katakombasit e parë filluan të nxjerrin kokën nga tunelet për të parë ç’ndodhte në sipërfaqe. Pas kësaj, në të katërta anët e nëntokës së Romës u përhap lajmi: Roma kishte rënë në duar të pellazgëve. Qyteti fliste vetëm shqip. Sundimtari i ri i Romës ishte Pirroja i Madh i të Pirit. Ai tani kishte zënë vend në Pallatin Konsullor dhe priste.

Çfarë priste? Se çfarë priste e dinte vetëm Lenka e Virgjër e Tepelenës. Me ta marrë vesh lajmin, ajo bëri gati djalin e saj tetëvjeçar Shpëtimin dhe iu kërkoi vëllezërve Mateos, Gjonit, Markut dhe Pavllos ta shoqëronin. Grupit iu bashkua edhe Cufi.

Dalja nga katakombet në sipërfaqen e qytetit kishte vështirësitë e veta. Katakombasve, njëlloj si urithëve, iu ishin përshtatur sytë me jetën në errësirë. Të dilje me sytë hapur në dritën e diellit do të ishte vetëvrasje, ose vetëverbim i sigurt. Nga përvoja e katakombasve të tjerë, vëllezërit Mateo, Gjoni, Marku, Pavlloja dhe Cufi e dinin fare mirë këtë. Edhe Lenka e Virgjër e Tepelenës e dinte. Aq më tepër ajo ishte e vetëdijshme për rrezikun që paraqiste takimi i parë i Shpëtimit me dritën verbuese të diellit.

Katakombasit vendosën të lidhin sytë fort me lecka prej fije liri. Meqë ecja me sytë mbyllur ishte e vështirë, u desh që secili prej tyre të merrte nga një shkop. Që prej asaj dite, vëllezërve iu mbeti llagapi “Me Shkop”. Kështu ata filluan të thirreshin Meshkopi Mateo, Meshkopi Gjon, Meshkopi Mark, Meshkopi Pavllo. Cufin nuk e lejuan të merrte titullin Meshkop. Ndoshta, sepse atë e priste tjetër titull. As Lenka e Virgjër e Tepelenës nuk mori llagap tjetër, pasi të vetin e kishte shumë të gjatë dhe përshkrues. Edhe Shpëtimi mbeti thjesht Shpëtim, sepse ishte tepër i ri.

Ashtu, me sytë lidhur, duke vënë përpara Meshkop Pavllin, pas tij Meshkop Mateon dhe pastaj gjithë të tjerët me radhë, të kapur me një dorë në supin e atij që vinte përpara, grupi i katakombsave doli nga thellësitë e barkut të Romës dhe filloi të vërtitej nëpër qytet duke kërkuar vendqëndrimin e Pirros së Madh të të Pirit. Ishte një endje e gjatë dhe e vështirë, pasi rrugët e Romës ishin thuajse bosh dhe nuk kishte shumë njerëz që t’i pyesje. Në të vërtetë nuk kishte fare njerëz. Vetëm qen dhe mace që vërtiteshin lirshëm nëpër qytet.

Kështu u sorollaten një pjesë të mirë të ditës duke u përplasur dhe penguar herë pas here mbi trupa ushtarësh të vrarë, copa shpatash të thyera, koka të prera, mburoja dhe përkrenare të hedhura sa andej-këtej, derisa Meshkop Mateos i lindi ideja gjeniale që të uleshin gjëkundi dhe të prisnin të vinte nata. Në errësirën e natës ata mund të hiqnin leckat nga sytë dhe do ta kishin më kollaj të kërkonin. Ideja u duk shumë e logjikshme dhe i gjithë grupi i katakombasve u plas pëlltum përtokë aty ku ishin dhe ia futën gjumit. Për çudi, qentë dhe macet vinin deri në një farë largësie me grupin dhe pastaj largoheshin me vrap. Asnjë nga kafshët nuk iu afrohej. Më vonë, kur ranë në kontakt me njerëzit Meshkopët e kuptuan që kjo ndodhte për shkak të duhmës që lëshonin të gjithë si grup. Vite të tëra nën tokë, të palarë, të papastruar, të pajrosur, pa parë dritën e diellit, kishin bërë punën e tyre.

Kur erdhi nata katakombasit hoqën leckat e lirit nga sytë. E para e hoqi Lenka e Virgjër e Tepelenës, e cila u mrekullua nga bardhësia e përgjithshme. Ishte një natë e zakonshme, me një hënë të vockël që, herë dukej dhe herë zhdukej përtej reve, por që për Lenkën lëshonte aq shumë dritë sa të verbonte. Ajo ndjeu pak dhimbje te sytë, dhimbje që e duroi me gëzim të madh. Roma, ky qytet madhështor që s’kishte filluar ende të ndërtohej si duhet, dukej e madhërishme, njëlloj siç e kishte njohur ajo në ditët kur sundonte si dashnorja e Grepit të Parë dhe vërtitej rrugëve me veshjet më të shtrenjta dhe e shoqëruar nga roja personale. Vetëm se tani rrugët ishin krejt pa jetë dhe ndriçonin shumë më tepër se sa në ditët me diell që mbante mend ajo.

- Hej, hiqini leckat se nuk ka problem, - iu thirri ajo bashkudhëtarëve duke ndihmuar Shpëtimin të hiqte leckën nga sytë. Meshkopët brofën në këmbë dhe hoqën mbulesat e syve. Deshën s’deshën, të gjithë lëshuan një ahhh të thellë që iu doli pa vetëdije nga thellësia e barkut.

- Vazhdojmë të ecim, - tha Lenka e Virgjër e Tepelenës të cilës sa vinte dhe po i shtohej padurimi. - Kemi edhe një copë rrugë për të bërë deri te vila dhe një pjesë e saj është në kodër.

Lenka e Virgjër e Tepelenës nuk e pati të vështirë të kuptonte se ndodheshin në Via Apia dhe se po të luanin këmbët mund të ishin në vilën e Grepit të Madh - të cilën ajo ishte e sigurt që tani e kontrollonte Pirroja i Madh i të Pirit - brenda jo më shumë se një orë e gjysmë. Grupi u vu në lëvizje.

* * *

Pirroja i Madh i të Pirit, Lame Lëçitësi, kapedan Batoja dhe trimat e tjerë që iu kishin mbetur gjallë ia kishin futur gjumit për shtatë palë qejfe, nga ai lloj gjumi që të sjell një e ngrënë e mirë dhe hedhja pa i numëruar e kupave të verës. Në fakt, vera në qilarët e Grepit të Parë kishte qenë vërtet për t’u lëvduar. Pirroja i Madh i të Pirit dhe trimat e tij ishin mësuar me verërat e zonës së Përmetit, Myzeqesë e, deri diku, edhe të Kallmetit me nam të Lezhës (pjesë e shkëmbimeve me Gegërinë). Ata pinin shumë edhe verëra të marra nga zonat e Greqisë, por rrallë herë iu binte rasti të pinin vera nga Gadishulli i Çizmes, ndërkohë që asnjëherë nuk iu kishte rënë rasti të pinin verërat më të mira të këtij vendi, verërat e rezervuar për njerëzit e sërës së Grepit të Parë. Pikërisht me këtë lloj vere qilarët e kësaj vile ishin plot dhe pushtuesit pellazgë nuk kishin ndër mend t’i kursenin.

Pra, siç u tha, trimat pellazgë ishin në kokërr të gjumit kur u zgjuan krejt papritur nga një kutërbim i tmerrshëm që u përhap në të katërta anët e vilës. Ishte diçka e frikshme, e pandier ndonjëherë, diçka që ia kalonte njëqindfish erës së gropave tepelenase të qenefit, duhmës së kufomave të të vrarëve një javë a më shumë pas mbarimit të betejës, kërmave të papastruara të minjve, spërkatjes së qelbësit në pyll e gjithçka tjetër që ata njihnin nga përvoja e tyre në lëmin e oflaktorisë. Rojat e vilës brofën në këmbë dhe rrëmbyen armët. Gjashtëdhjetë e katër prej tyre krijuan menjëherë një falangë klasike, tetë me tetë, me rreshtin e parë të ushtarëve më trima dhe më të fuqishëm që kishin vënë përpara mburojat e tyre të stërmëdha në formë drejtkëndëshi dhe heshtat e gjata. Kapedan Batoja filloi të organizonte mbrojtjen. Pirroja i Madh i të Pirit picërronte sytë për të marrë vesh ç’bëhej. Në ballkonin kryesor të vilës dhe në gjithë tarracën e saj u rreshtuan shigjetarët me harqet gati. Dikush vajti të lirojë elefantët që i mbanin në parkun e madh në pjesën e pasme të vilës, por kafshët e mëdha, në vend që të afroheshin me zonën e rrezikut, u larguan në qoshen tjetër të kopshtit. Pellazgët po përgatiteshin për më të keqen e mundshme. Në fund të fundit, një kutërbim i tillë s’mund të ishte gjë tjetër veçse shenja e një armiku të ri dhe të rrezikshëm, e një arme ende të panjohur, e një të keqeje të përmasave të paimagjinueshme dhe të papara ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Ndërkohë, hëna ishte fshehur mirë pas një grumbulli të trashë resh dhe mbrojtësit e vilës e kishin të pamundur të vinin në përdorim shqisën e të parit.

Ja ku ishin këta luftëtarë trima që çfarë nuk iu kishin parë sytë, që ku s’kishin qenë që nga piramidat e Egjiptit e deri te shkretëtira e Tharit, e që kë s’kishin vrarë, që kishin parë të thereshin dhe t’iu hapeshin barqet shokëve të tyre më të mirë mu përpara syve të tyre, që ishin përleshur shpatë më shpatë, krah më krah, dhëmb për dhëmb me armiqtë më të tmerrshëm, dhe që tani dridheshin të pasigurt përpara kësaj të panjohure të madhe. Nga vinte ai kutërbim i tmerrshëm? Për çfarë krijese të mbinatyrshme të dalë nga thellësitë e shekujve bëhej fjalë? Si do të ishin në gjendje ta përballonin ata? A do të ishte e mjaftueshme shpata, heshta, mburoja, topuzi, përkrenarja…

- E pashë! - u dëgjua një zë i qartë, ndonëse paksa i dridhur që nga maja e tarracës. - E pashë! Është atje, te porta kryesore e vilës. Një masë e madhe e papërcaktuar. Katër hapa brenda portës së bahçes. Po lëviz ngadalë. Nuk di të them ç’është.

U dëgjua një kërcëllimë e përgjithshme metali që lëvizte sa në një anë në tjetrën. Falanga mbrojtëse prej gjashtëdhjetë e katër vetash u orientua mirë në drejtim të portës hyrëse të bahçes. Ndërkohë, Pirroja i Madh i të Pirit filloi të pëshpëriste me Lame Lëçitësin dhe kapedan Baton.

- Unë them ta sulmojmë me një breshëri shigjetash, - sugjeroi kapedan Bato, i cili ishte i specializuar për gjuajtjet në distancë.

- Është e vetmja zgjidhje e logjikshme, - e mbështeti Lame Lëçitësi. - Nuk mund ta lemë të afrohet. Po u afrua për luftim trup më trup, jemi të mbaruar. Ushtarët do të zënë hundët me dorë dhe s’do të kenë mundësi të mbrohen.

Pirroja i Madh i të Pirit u bind.

- Shigjetarët gati! - urdhëroi. - Merrni shenjë portën në hyrje të bahçes, tri-katër metra më në brendësi. Gati…

- Ej, prisni, mos qëlloni, - u dëgjua një zë i mprehtë femre.

Pirros së Madh të të Pirit iu drodh zemra. Nuk po iu besonte veshëve.

- Prisni një herë! - dha urdhër duke përsëritur i bindur pa u menduar gjatë kërkesën që i kishte ardhur nga krijesa e panjohur.

Nuk di ç’e gjeti Lame Lëçitësin, ishte frika nga e panjohura, apo thjesht instinkti i vetëmbrojtjes, por pa i marrë lejë Prijësit të tij doli përpara dhe thirri:

- Kush je ti o krijesë e frikshme me këtë zë kaq të ëmbël që flet shqip pa aksent?

U krijua një çast heshtje varri ose, duke gjykuar nga era e përgjithshme e atmosferës, heshtje haleje. Pastaj zëri i ëmbël që fliste shqip pa aksent u përgjigj:

- Jam Lenka, Lenka e Virgjër e Tepelenës.

Heshtje. Pirroja i Madh i të Pirit filloi të konsultohej me pëshpërima me Lame Lëçitësin dhe kapedan Baton.

- Ajo është, - tha Pirroja. - Ia njoh mirë zërin.

- Të mos nxitohemi, - tha kapedan Batoja. - Një bishë aq e tmerrshme që është në gjendje të lëshojë një erë kaq agresive patjetër që do të jetë në gjendje të imitojë çdolloj zëri njerëzor dhe të na mbushë mendjen të lëshojmë armët.

- Edhe unë ashtu them, - ia pati Lame Lëçitësi.

- Si thua edhe ti? - pyeti Pirroja i Madh i të Pirit, - siç them unë, apo siç thotë ky?

- Ëhë, - ia bëri Lame Lëçitësi.

- Mos ma dridh bishtin sa në një anë në tjetrën, - iu hakërrye Pirroja i Madh i të Pirit.

Kushedi sa do të kishin vazhduar të ziheshin me njëri-tjetrin sikur nga porta kryesore e kopshtit të Grepit të Parë të Romës të mos vinte përsëri zëri i ëmbël, kësaj radhe me një aksent të theksuar lab, tepelenas:

- Më do a s’më do o i vrarë?

- Të dua, si s’të dua a të q… udhët! - ulëriu pa u menduar fare Pirroja i Madh i të Pirit dhe u lëshua si i tërbuar në drejtim të zërit.

Ushtarët trima pellazgë ngrinë dhe mbajtën frymën. Jo për të shmangur kutërbimin, pasi atë s’kishte perëndi që e shmangte dhe tanimë iu kishte hyrë edhe në poret e lëkurës, aq sa s’kishin nevojë të merrnin frymë që ta ndienin, por sepse panë që Prijësi i tyre po lëshohej si trim kokëshkretë, pa armë dhe pa mbrojtje drejt rrezikut më të madh që ata kishin hasur në jetën e tyre. Edhe një herë, në këtë çast të madh historik të papërsëritshëm ata e kuptuan se ia vlente të jepnin jetën për këtë trim të çartur që ishte gati të përballej me gjithçka pa i bërë tërr syri.

Pirroja i Madh i të Pirit vraponte si i çmendur drejt portës kryesore në krye të bahçes. Nuk dihet ç’po mendonte Nëna Natyrë, sepse në ato çaste retë u hapën dhe hëna e argjendtë hodhi rrezet e saj mbi tokë duke ndriçuar gjithë Romën. Ushtarët pellazgë tani dallonin siluetën e Prijësit që vraponte me krahë hapur si edhe një masë të stërmadhe të errët në fund, ose më saktë, në fillim të kopshtit. Pastaj ata panë që nga masa e stërmadhe u shkëput një pikëz e vogël e errët, një trajtë e papërcaktuar, më e vogël se format e Prijësit, por gjithsesi solide dhe që lëvizte shpejt drejt tij. Ushtarët pellazgë që kishin mbajtur frymën e mbajtën atë edhe më shumë. Mund të thuash që harruan të merrnin frymë. Të dy format po i afroheshin njëri-tjetrit me shpejtësi. Derisa u bashkuan dhe…

Pikërisht në çastin kur u bashkuan Hëna e pa të arsyeshme të fshihej përsëri prapa reve të trasha dhe mbi Romë mbizotëroi errësira. Errësira dhe kutërbimi. Asgjë tjetër nuk lëvizte. Kapedan Batoja nuk dinte çfarë urdhri të jepte. Lame Lëçitësi nuk dinte cilën anë të mbante. Ushtarët mbrojtës pellazgë nuk dinin ç’të bënin, të trembeshin edhe më shumë apo t’ia hiqnin fare fillin vetes dhe të mos çanin kokën fare se ç’bëhej. Falanga kishte ngrirë e nuk lëvizte vendit.

Kur doli përsëri Hëna dhe shkëlqeu gjithçka ajo qenia e çuditshme e stërmadhe nuk ishte më atje në fund të bahçes, pranë portës hyrës. As figura e Pirros së Madh të të Pirit dhe as ajo figurina tjetër paksa më e vogël nuk dukeshin gjëkundi. Ishin zhdukur.

Ushtarët pellazgë, kapedan Batoja, Lame Lëçitësi, të gjithë lëshuan një ah të dëshpëruar dhe ulën kokat. Disa u bënë gati të qanin dhe, me gjithë forcën e padiskutueshme të karakterit, me gjithë burrërinë legjendare pellazge do të kishin qarë, po të mos kishin dëgjuar disa zëra që vinin nga e majta, andej nga ishte pishina e madhe e Grepit të Parë të Romës. Ishin zëra të qeshur e të gëzuar, të përzierë me përplasjen e duarve e të këmbëve në ujë. Ushtarët dhe kapedanët pellazgë u lëshuan drejt pishinës.

U desh flladi i lehtë i mëngjesit romak që të largonte kutërbimin e frikshëm tutje drejt detit të Tireneut. U desh drita e parë e agut të mëngjesit që vinte drejtpërdrejt nga toka pellazge që të zbulonte se si uji deri atëherë i kaltër dhe i kthjellët i pishinës së Grepit të Parë të Romës ishte kthyer në një masë të trashë të errët. Mbi pishinë lundronin copëza zhelesh liri.