Krijimtari

I kishim harruar të gjitha - Nga Jeta Dedja

Kishim harruar se e para ishte fjala,

ngecur mes gjërash të vogla ne ishim.

Harruar që dashuria ishte vazhdimi,

dhe lumturia, ajo ish qëllimi.

Se ajri ishte yni privilegj,

se e çmuar ishte koha.

Se qiejve mund të fluturonim,

se e jona ishte toka.

 

Kishim harruar se të qarën e parë

ia dhamë x-it dhe y-it.

Pa ditur se ishim pjesë e ekuacionit.   

se pak muaj i lipsen riprodhimit.

E pak sekonda lëndimit.

 

Si Evë dhe Adam trupin

prej turpit do mbulonim,

harruar që shëndetin,

me lecka e gjethe

dot s’do ta mbronim.

Kërkonim pasurinë,

natyrën ta nënshtronim,

harruar që pas nesh

të tjerë do frymonin.

 

E kështu…

ngazëllyer prej objekteve,

prej njerëzve trishtuar,

trupash prekur harruar,

Mbyllur gojësh,

sy hutuar,

Parakalonim ne …

bijtë e shekullit 21.

 

©FlasShqip.ca