Krijimtari

Pandimaku, kllouni shkatarraq - nga Jeta Dedja

Ilustrimi nga B.T.
Nga: Jeta Dedja

Na ishte njëherë një klloun që quhej Pandimak. Atë e pëlqenin të gjithë se ishte shumë qesharak, tamam një palaço cirku. Por Pandimaku kishte një problem, atij i griseshin rrobat shumë shpesh gjatë aktrimit.

Ju e merrni me mend se pse. Por kjo gjë i ishte bërë refleks edhe kur vishte rroba të zakonshme. Miqtë e këshillonin të bënte kujdes për xhaketat, pantallonat, këpucët ose opingat, edhe për plisat shqiptarë që kishte merak, por Pandimaku nuk vinte mënd, madje nervozohej me ta, duke përplasur ndonjë karrige tek-tuk. Domethënë Pandimaku bënte siç ishte qepur natyra e tij.

Por një ditë, i lindi një ide, si rrallë ndonjëherë. Po sikur të blinte një makinë qepëse, të riparonte gjithçka të grisur e rrjepur? Dhe ashtu bëri. Për momentin dukej se gjithçka ishte e përsosur në dollapin e tij. Pandimakut i iku mërzia dhe buzët e tij shkuan sërish në vendin e tyre të përveshur.

Pas ca ditësh, i erdhi një ftesë të merrte pjesë në një ngjarje të madhe kulturore. Pandimaku do nderohej nga komuniteti i spektatorëve si kllouni më qesharak i shtetit. Për këtë atij i duhej një veshje speciale, jo një kostum palaçoje sigurisht.

Kërkoi e kërkoi në dollap e nuk po gjente asgjë të re. Gjithçka dukej e sajuar me qepje dhe arna. Ndërsa koha nuk i premtonte të blinte një të ri, madje as mendja nuk i shkonte. Po ç’bëri Pandimaku do thoni ju?

I ra shkurt, veshi kostumin e palaços. Kjo nuk e gëzoi aspak, sepse ai ëndërronte të ishte ndryshe në ditë të tilla, të ishte heroi i ditës, i veçanti, dhe jo kllouni që njihnin të gjithë.

Por e dini çfarë? Kllouni kur del para njerëzve nuk mund të sillet ndryshe përveçse si një klloun dhe gjithashtu spektatorët janë mësuar ta duartrokasin si gaztor cirku dhe jo si njeriun jashtë atij kostumi.

Megjithatë, që prej asaj dite, Pandimaku filloi të mendonte seriozisht se riparimet janë zgjidhje veç për të kaluar radhën dhe ka raste që të lënë në baltë.

(Punuar sipas motiveve popullore)

 *Ilustrimi nga B.T.

©FlasShqip.ca