Pres brohoritjen e gjetheve - Nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko
Iku dimri
shkriu dëbora bashkë me akullin
dheu zbuluar mbeti
si foshnjë e porsalindur
me kordon akoma lidhur,
horizonti tund
djepin bosh të jetës,
era ka harruar ninananën e barit,
zogjtë këlthasin
(duan të pinë vesë),
një bletë me ëndrrën e mjaltit
doli te pragu i kosheres
çeljen e luleve të presë,
unë dal në ballkon
(skeptik si drurët e veshur me heshtje)
pres brohoritjen e gjetheve
të një pranvere me ethe.



