Vdekatarë jemi të gjithë - Nga Ilir Gjini
Vdekatarë jemi të gjithë, e dimë,
Ndaj dhe pas do mbeten veç kujtime.
Copëza ëndrrash ende rrinë me ne,
Netëve t’ gjata gjer n’ agime.
Kohë tinzare ti vrullshëm rrjedh,
Pakëz flemë, më shumë zgjuar.
Kohë dot s’të ndjek më si dikur,
Ah rini, rini mosh’ e bekuar!
Vdekatarë jemi të gjithë, o miq!
Orën e mbrame kur do vijë s’e di.
Ndaj dhe dot nuk mund të rri pa thënë,
Jeta s’ka kuptim pa dashuri!
E në vdeksha krejt papritur,
Un e di që dhe në varr do zgjohem
Do kërkoj me përgjërim veç një or’ leje,
Me dashurinë serish nga afër të takohem!
Vdekatarë jemi të gjithë, e dimë,
Ndaj dhe pas do mbeten veç kujtime.
Copëza ëndrrash ende rrinë me ne,
Netëve t’ gjata gjer n’ agime.
Karantinë - Toronto, Prill 2020



