Pirrua i Madh i të Pirit - Nga romani “Hijet e Muzgut” i Arben Kallamatës

291 p.e.r.
Atë vit fisin e dheun e toskëve e drejtonte një trim legjendar i shquar që quhej Pirrua i Madh. Që nga kryeqendra e Tepelenës ai drejtonte gjysmën e kombit pellazg të shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme dhe zotëruese nga bregu jugor i lumit Shkumbin deri atje ku toka e kontinentit të Europës lagej nga ujërat e detit Egje, në gishtat e Peloponezit.
Pirrua kishte dy cilësi të shquara që e bënin atë të quhej “i Madh”. Ai ishte trim i çartur dhe pijetar i shquar. I pëlqente shumë rakia e rrushit dhe vera e kuqe. Prandaj edhe emrin ia kishin vënë “Pirro”, pasi rrinte gjithë ditën i pirë. Pirroja pinte aq shumë saqë u desh t’i shtonin edhe një mbiemër tjetër “i të Pirit”. Kështu që e quanin Pirroja i Madh i të Pirit.
Pirroja i Madh i të Pirit jo vetëm që pinte vetë, por edhe i mbante gjithë trimat e tij të çakërdisur gjithë ditën të pirë. Ishin kohëra të një qejfi të papërshkruar legjendar. Paratë derdheshin lumë nga bizneset me karvanët e udhëtarëve, ndërsa rakia s’pushonte së pikuari nga kazanët e shumtë në të katërta anët e Pellazgjisë Toske Piroike.
Por erdhi një ditë dhe kjo gjendje lumturie e bekuar mori fund. Si gjithmonë, sebep u bë një femër me bukuri të rrallë, Helena, ose Lenka e Tepelenës.
Lenka e Tepelenës ishte e fejuara e Pirros së Madh të të Pirit. Ajo ishte një vajzë trembëdhjetë vjeçe, ndërsa ai vërtitej te mezi i të tridhjetave. Të dy ishin të fuqishëm e hirplotë, gjithë plane e optimizëm për të ardhmen. Pirroja i Madh i të Pirit i kishte premtuar Lenkës së Bukur të Tepelenës se do ta bënte princeshë dhe zonjë të rëndë të gjithë Toskërisë pellazge dhe botërore. Ky premtim i ishte dukur aq tërheqës Lenkës së Bukur të Tepelenës saqë e kishte bërë të hiqte dorë nga ëndrrat e saj rinore për t’u shpërngulur në Romë apo në ndonjë nga qytet-shtetet e Greqisë. Lenka e Bukur e Tepelenës ishte vajzë e zgjuar dhe e matur, pavarësisht moshës së saj të re. Kjo vërtetohej edhe me faktin që në lëmin erotik Pirroja i Madh i të Pirit, me gjithë premtimet dhe përbetimet, me gjithë përvojën e tij të gjatë në pushtimin e zemrave toske, nuk kishte arritur t’i shkëpuste ndonjë gjë më shumë se dy të puthura. Kjo ia kishte çuar në qiell namin Lenkës së famshme të Tepelenës, të cilës njerëzia gjithmonë e më shpesh i referohej edhe me emrin Lenka e Virgjër e Tepelenës, ose shkurt Virgjëresha e Tepelenës. Kushdo e dinte që ajo, si asnjë vajzë tjetër në gjithë krahinën Toske të të Pirit po e ruante veten për natën e bekuar të bashkimit martesor me Pirron e Madh të të Pirit.
Kjo romancë klasike i bënte toskët të qulleshin në lot e qurra sa herë binte fjala, gjë që ndodhte shpesh, pasi në atë kohë bisedat për jetën vetjake të njerëzve të famshëm nuk para kishin shumë subjekte. Vetëm emocionet e shumta që iu shkaktonte banorëve të thjeshtë të Toskërisë përmendja e Lenkës së Virgjër të Tepelenës mund ta shpjegojnë shkallën e papërfytyrueshme të dëshpërimit të të gjithë mbretërisë, kur një ditë prej ditësh, teksa Pirroja i Madh i të Pirit endej diku në Grykat e Këlcyrës apo Kanionet e Osumit në një nga ekspeditat e tij të famshme ndëshkimore të kaçakërisë, u përhap lajmi se Lenka e Virgjër e Tepelenës ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Burrat toskë, ata që s’kishin shkuar pas Pirros, por që merreshin me shtrydhjen e rrushit dhe nxjerrjen e verës e të rakisë u lëshuan të pinin edhe më shumë nga dëshpërimi. Ndërsa gratë shkulnin leshtë e qanin me oioi.
Vetë Pirroja i Madh i të Pirit e mori vesh gjëmën e madhe, kur sapo ishte shtruar e po hante kukurec me të brendshme cjapi. Ai e la të ngrënën dhe të pirën përgjysmë dhe u nis nxitimthi drejt Tepelenës. Por ishte tepër vonë, sepse kur mbërriti atje çdo gjë kishte marrë fund e nuk gjendej qoftë edhe një njeri i vetëm që të dëshmonte apo të jepte të paktën një të dhënë me vlerë për zhdukjen e Virgjëreshës së famshme, Lenkës së Bukur të Tepelenës.
Pirroja i Madh i të Pirit shpalli katër ditë zie për humbjen, e deklaroi të fejuarën “person në kërkim” dhe caktoi një dëmshpërblim prej tre dhish dhe dy kacekë me verë për atë që do ta gjente të gjallë apo të vdekur, ose që do të sillte të dhëna të vlefshme, të cilat do të çonin drejtpërdrejt në gjetjen e saj të gjallë apo të vdekur. Për muaj e vite askush nuk doli të kërkojë shpërblimin. Të gjithë u bindën se Lenka e Virgjër e Tepelenës ishte zhdukur bashkë me virgjërinë e saj për të mos u kthyer më kurrë. Të gjithë, me përjashtim të të fejuarit të saj, Pirros së Madh të të Pirit, të cilit nuk i hynte në sy asgjë nga kjo botë dhe ëndërronte ditë e natë për kthimin e të vluarës së tij.
* * *
Nëntë vjet, nëntë muaj e nëntë ditë kaluan derisa erdhi ai mëngjes kur, diku rreth orës nëntë, në portat e mëdha të kryeqendrës së Pellazgjisë Toske, Tepelenës, u shfaq një kalorës i panjohur, hipur mbi një at të zi dhe i mbuluar i gjithi me pelerinë të zezë, që dukej më tepër gri ose bojë kafe nga pluhuri i rrugës. Ai thuajse nuk e ndali kalin, por nxori nga hejbet një lëkurë të regjur lepuri mbështjellë në formë tubi dhe kapur me fije liri ku duhet të ishte shkruar diçka e rëndësishme. Rojave që e shikonin të habitur iu tha vetëm një fjalë: “Pirro” dhe kalëroi tutje sa hap e mbyll sytë pa dhënë hollësi.
Rojat e kapen tubin e lëkurës së lepurit në ajër dhe u lëshuan në pikë të vrapit për te kryetrimi, që sapo kishte mbushur gotën e tretë të rakisë. Ky e mori tubin e lëkurës së lepurit dhe thirri Lame Lëçitësin t’ia lexonte. Lame Lëçitësi sa e pa filloi të dridhej si purteka.
“Është lëkurë nga Lenka e Virgjër e Tepelenës”, tha.
Pirroja i Madh i të Pirit brofi menjëherë në këmbë, por s’e mbajtën shumë gjunjët dhe u plas përsëri përtokë.
“Ma lëçit shpejt se ta përdrodha qafën si të zogut”, i dha urdhër tjetrit me butësi. Lame Lëçitësi u bind. Duke i shkoqitur germat një nga një ai shqiptoi këto fjalë:
“Ndodhem Romë. Rrëmbeu Grepi I. Gjendja keq. Katakomb. Ndihmo o i vrarë.”
Pirros së Madh të të Pirit iu mbushën sytë me lot.
“Ajo është, Lamçe, - thirri i ngazëllyer. - Kërkon ndihmë nga unë. O burra të vemi e ta shpëtojmë. Më mblidh gjithë trimat e kapedanët urgjentisht se nuk pret puna. Lenka ime e Virgjër po më pret në Romë.”
“Më ngadalë, Imzot”, foli Lame Lëçitësi më zë të ulët, sikur kishte frikë mos i dëgjonte njeri. “A je i sigurt?”
Pirros së Madh të Epirit as që i vajti mendja që ajo pyetje mund të kishte kuptimin “A je i sigurt që pas nëntë vjetësh, nëntë muajsh, nëntë ditësh atje, në mes të Romës, ajo ka mbetur ende e virgjër?” Përkundrazi, ai kujtoi se mos e pyetën nëse ishte i sigurt, që ajo lëkurë lepuri e shkruar i vinte drejtpërdrejt nga Lenka, apo mos ishte ndonjë plan tinëzar i romakëve për t’i ndjellë në luftë dhe për t’i shkatërruar si qytetërim.
“I sigurt si vdekja”, ia palli me të madhe gjithë padurim Pirroja i Madh i të Pirit. “A nuk e lëçite vetë se si e mbyllte lëkurën e lepurit - ndihmo o i vrarë. Kur takoheshim këtu dhe sapo ishim dashuruar ajo gjithmonë më pyeste: ‘Më do a s’më do o i vrarë?’ dhe shkrihej nga dashuria kur unë i përgjigjesha: ‘Të dua, si s’të dua a të ...ifsha udhët’”.
Me sa duket Lame Lëçitësit iu duk bindës shpjegimi romantik i zotit të tij prandaj e qepi gojën dhe u lëshua të zbatonte urdhrin që i kishte dhënë prijësi për të grumbulluar të gjithë trimat e kapedanët e ushtrisë së shquar pellazge.
(Nëqoftëse iu bren kurreshtja të mësoni për fatin e mëtejshëm të çiftit mbretëror pellazg, per fatin e Romës dhe gjithë njerëzimit të lidhur ngushtë me ta, nxitoni të blini “Hijet e Muzgut”.)




