Krijimtari

Sy kullumbria -Tregim nga Zeqir Cama

Nuk e pyeta për emrin, po t’ia mësoja, do të dërmohesha shpirtërisht. Emri, si pjesë e identitetit të njeriut, të bën më miqësor në një njohje të rastit. Në pamundësi që ta ndihmoja, të paktën, mos t’i gërmoja të tjera dhimbje, megjithatë, sado që iu shmanga, hija turbulluese e tij, nuk m’u nda.

Sapo mësuesja kujdestare i bëri shenjë, erdhi pa vonuar, atje ku rrinim ne, me një dihatje të lehtë që ia shtonte përvuajtjen e fytyrës. Kokorithkat e flokëve i linin zbuluar një gisht ballë si një llambë neoni mbi dritat e syve, ndërsa lëkura e thatë si cipë gjarpëri, të jepte ndjesinë se mbi të s’pipëtintë shënjë tjetër vitaliteti, përveç kokorithkave të drudhave.

 -S’besoj të kem harruar gjë, të kthehem ta marr në shkollë, iu drejtua mësueses me një ndrojte të lehtë ndërsa pëllëmbat e duarve i mbante mbërthyer siç mbërthehen dy pllaka metalike nëpërmjet ingranazheve të gishtave ku dy të mëdhenjtë vërtiteshin mbi njeri tjetrin si mbi një bosht rrotullues.

-Po pse duhet të ngarkoj pikërisht ty?... Nëse do të ishte kjo që thua, kam dhe nxënës të tjerë, - ia ktheu ajo me buzagazin e saj të zakonshëm.

-Because, I’m not busy, uli sytë si i zënë në faj, - të tjerët janë duke ngrënë.

Ishte “non sens” të vazhdonte radhën e pyetjeve që mund të vinin më pas, s’mund t’i thoshte “po ti pse s’ha” kur ia dinte me rrënjë e degë të vërtetën se s’kishte ç’të hante.

Ndodheshim pikërisht në Down Town në një nga mollet më të mëdhenj, me food court-e të shumta, kuzhina të të gjitha shijeve e gatimeve, ku nxënësit e shkollës do të hanin drekë. S’qe hera e parë që ai e mbyllte “lunch time” pa ngrënë.

-Asnjëherë nuk merrte bukë me vete - më tregoi mësuesja - dhe kur hanë shokët bëhet tjetër njeri, por sot më duket më i shushatur. Mbase, nga që syri i zuri shumë gatime që ia ka ënda por s’i blen dot. Ashtu m’u duk edhe mua, si i ngrirë, por arsyen ia shihja brënda mullirit të tij. Ç’të bluante?... Në vënd të fjalëve, i gërryenin zorrët. Dhimbjen e kisha fare pranë, e ndieja dhe e shihja me sy. U lehtësova disi kur mësuesja nxorri nga portofoli 20 dollarë dhe ia zgjati.

-Blej diçka për të ngrënë, merr dhe një pije. 

-Çfarë t’iu blej mësuese?

-Çfarë të duash, për vete, jo për mua.

-Po, jo, pse…. dhe si zënë në faj, picërroi sytë nga drita e fortë që binte direkt mbi kryet tona.

-Mos ma kthe dorën i tha mësuesja, - ato që nisen s’është mirë të kthehen….

Me sa kuptova, djali nuk e kapi domethënien e kësaj shprehje, megjithatë, iu dritësua fytyra. E falenderoi dhe i mori pa hezitim. Fëmijët këtu rriten pa komplekse. Nëse dikush u afron diçka dhe atyre u pëlqen, nuk bëjnë hipokrizi. Por duke llogaritur se shuma e parave qe më e madhe nga ato që ai mund t’i përdorte, qëndroi një copë herë në këmbë, si në dilemë me 20 dollarshin në dorë, pa ditur ç’të bënte.

Fytyrë rrumbullti, si arra kokosi, me sy pikë të zinj, të vegjël e të shndritshëm si kullumbri, me flokë të kërleshur, qethur sipas modës së fundit të adoleshentëve të Down Town-it, me vështrim përdhe, në kërkim të asgjëje, është nxënës i klasës së tetë në Brown Middle School të North Yorkut.

Nuk e di pse atë çast trishtimi, mu kujtua Luli i vocër, ndoshta, nga fakti i syve përdhe, mbërthyer te një pikë, pa majat e grisura të këpucëve, por përshkënditja e kujtesës, e mbylli atë shteg, sepse më duhej të bëja një kapërcim, në kohë dhe hapsirë, gati shekullor, nga këtu, në një skaj tjetër të globit.

 Më mjaftoi ajo që pashë me sy dhe çka më tha më tej mësuese Ina, një bashkëkombësia ime fisnike, tek të pesëdhjetepesat, emigruar në Kanada prej 15 vjetësh, me pamje prej babaxhaneje, që sa hapte gojën, çelej një trëndafil dhe luzmën e bletëve të roitura mund ta rikthente në koshere, me ëmbëlsinë e zërit, veshur me shije, që rrezatonte mirësi dhe t’i bënte të këndshme çastet pranë saj.

Mbase kjo qe magjia që u kishte marrë mendtë edhe fëmijve të klasë së tetë të Brown Middle School në North York që, ndërsa me mësuesit e tjerë s’linin dy gurë bashkë, në orët e saj, squkeshin si zogj, mbyllnin gojën dhe me veshët pipëz, dëgjonin ç’tu thoshte ajo. Jo se merrnin informacion të padëgjuar, as nuk veçonte nga kolegët në formim, por lidhja me ta, qe krejt ndryshe, u hapte shteg ta ëndërronin botën, siç e ndjenin.

-Nuk dua të jem e prerë, ai, që ka zell mësimin, të mos pengohet nga dikush, që e ka mbledhur mendjen të punojë si pastrues apo në ndërtim, më tha kur e pyeta se cili ishte sekreti që i administronte fëmijtë për ta patur zili.

S’e pata vështirë të bindja veten se Ina, zotëron virtytin e durim-madhes edhe kur ndonjë syresh fluturon nga çapkënllëqet e moshës. Nuk ua kursen buzëqeshjen e trëndafiltë as të prapambeturve në mësime. Për këtë pozitivitet, është komplimentuar dhe nga drejtoria e shkollës, në analizën e simestrit, që sapo mbyllën.

Të qënurit mësuese e sidomos në një “atdhe të dytë” siç jemi këtu, e quan privilegj, madje nuk e sheh si profesion por si mision, i referohet Çabejt, të cilin e ka idhull. Shëmbullin personal e vendos mbi të gjitha. Këtë dëshiron të bëjë dhe këtu. E rinisi karrierën e mësuesisë, pas shtatë vjetësh, pas ndërprerjes së përvojës tetë vjeçare si mësuese biologjie në Tiranë, për shkak të emigrimit. Këtu mbaroi një vit bachelor në Universitet  dhe ku e ku më pas nisi vullnetare,  pastaj zëvëndësuese, derisa tri vitet e fundit, u bë definitive te Brown Middle School e North York-ut. Ndihet e kënaqur sepse e sheh veten të barabartë me kolegët e tjerë, pa grimën e inferioritetit si emigrante.

Sykullumbrinë e gjeti në klasën e gjashtë dhe është viti i tretë që e ndjek në kujdestari. Eshtë biri i një single mom, emigrante nga Kuba, ngjizur nga flirti dhjetë ditor në një nga resortet e plazheve të Kubës, me një ish-beqar të regjur kanadez, ku brënda vitit, përfunduan burrë e grua në Kanada. Gjithçka nisi pas një xhesti kavalieresk te banaku. I la nën dorë dy peso tips për një speshëll Mojito, pije tradicionale kubaneze, në gotë kristali me sufran. Pas kësaj e quajtën njeri-tjetrin “close friend”, sikur qenë njohur prej kohësh, i afruan faqen dhe buzën shoshoqit dhe bënë fotografi të përbashkëta,

Gjatë dhjetë ditëshit të pushimeve, kanadezi s’doli fare në breg. Zhytej dy-tri herë te pishina para se të hante mëngjes, me dopion e mojitos në dorë  dhe pastaj ngulej këmbëkryq te karriket rrotulluese buzë banakut për t’u shndërruar në një lubi të babëzitur kokteilesh e pijesh të zgjedhura që banakierët ia nxirrnin nga fundi i dheut, sepse në asnjë rast nuk harronte adetin me “tipset” e radhës.

Askush s’mendonte të ishte aq i varur nga pija, ca më pak ajo, që ditë pas dite s’rrinte dot pa e parë. Sipas saj, aty i lejohej të dilte dhe jashtë normalitetit sepse qe në relaks të plotë por e bindur se në një vënd me standard të mirë jetese, siç quante Kanadanë, punës duhet t’i thonë punë dhe ai s’mund të bënte ndryshe.

I hodhi pas krahëve hamendjet e çastit. E rëndësishme qe të zinte Kanadanë. E dinte që s’kishte pengesa nëse bëhej një lidhje e tillë. Kishte patur dhe raste të tjera analoge se në përgjithësi këto resorte prenotohen nga pushues kanadezë. Prandaj s’patakset askush që në vend përshëndetjes së përditshme “hola amigo” të dëgjojë ndonjë herë dhe “marry me”.

Periudha mjaltore nisi si përrallë por u bajatis pa mbushur djali dy vjeç. Në pikun e kokërrqejfit, me “hahaha e bahaha” përdridhnin mesin mbi tavolinë dhe nëntavolinë, danconin si latinët dhe brenin buzët e gotave si minj, lëndimet e çastit i kapërcenin me një “fuck you” miqësor dhe pas pak, me të njëjtin kod, “fuck you”, i shfrynin shoku-shokut gjithfarë banalitetesh, harronin ç’kishin thënë, nisnin seksin e lënë përgjysmë dhe prisnin mëngjesin kokëdaulle.  Provuan të ndahen e pajtohen disa herë, por vetëm sa shtynë muajt.

Nënë e bir jetojnë në kushte të vështira ekonomike edhe për shkak të gjëndjes së saj shëndetësore. Të shumtën e kohës e kalon pa punë, me welfare, me asisstencë minimale. Me përjashtim të një pensioni mujor, laj-thaj, detyrimet e babait për sy kullumbrinë, mbarojnë aty. Nuk takohen dhe as njihen si fytyrë. As në gojë nuk e zë. Edhe ca pak kujtime që ia ka treguar e ëma, i ka ndryrë në mëndje për t’ia vënë në arkëmort, kur ti soset.

Historinë e saj, mësuese Ina e dinte mire. Ia kishte treguar ajo fill e për pe. Çuditërisht nuk e urrente, kishte raste që shkrihej në lot ç’ka mund të shpresonte dhe ndonjë afrim por ai s’qe bërë i gjallë.

Hera-herës i shkon ndërmend të shpërngulet në ndonjë qytet tjetër, me kosto jetese më të lirë, sepse Toronto është shumë i shtrenjtë, por kudo që të shkojë e quan veten të humbur pa një përkrahje. Ina e nxit që të bëjë durim, sa të rritet djali duke i dhënë shpresë se jeta do t’i marrë për mirë. Sy kullumbrinë e këshillon si djalin e vet, nëse nuk shquan në mësime, të paktën të mos i plasë buzën me halle të tjera

Eshtë e dyta herë që bëj “volunteer”-in te shkolla e sy kullumbrisë, në ndihmë të personelit kur organizojnë eskursione apo vizita nëpër institucione social-kulturore. Si pensionist që jam, ndihem mire, duke përfituar disa benefite shtesë, siç është transporti ndërqytetas, me mundësitë që më lejon Toronto, si një prej qyteteve më fantastikë për këtë lloj transporti. Nëpërmjet SUBWAI-t, përshkoj çdo cep të tij me një ose dy bileta që përfitoj nga shkolla. Nuk bëj ndonjë punë të madhe të pretendoj më shumë

Këtë herë i prita në Pape Station, stacioni më i afërt me shkollën. I ndënja turmës në fund dhe i bëra një grusht në vështrimin tim të kujdesshëm sepse e ndiej symbyllur mungesën e rreshtit. Na u desh të ndërronim tre herë tren dhe bus, deri sa mbrritëm te qëndra kulturore ku ishte planifikuar veprimtaria e asaj dite për të parë një show muzikor.

-Rri pa kokëçarje më tha Ina - këtu, s’kanë nga luajnë. Por mua pikërisht këtu nisi të më punonte truri për mbrapsht. Nuk e pata mëndjen te show, kërkoja sy kullumbrinë. Nuk ia ndava vështrimin as te food court-et, ku me lekët që i dha mësuesja bleu vetëm një pako me kokoshka, Pop Corn siç njihen këtu dhe la të futë duart dhe shoku që kishte në krah.

M’u bë qejfi që e pashë ashtu dhe duke u kthyer përballë mësueses, i mëshova mendimit se fukarai kur ka të jep dhe shpirtin. Ndërkohë, m’u krijua një ndjesi e hidhur që s’po vinte të tregonte veten me reston që i mbeti, Mbase Ina nuk e shkon fare ndër mend. Në fund të fundit, ajo nuk i tha kthemë ç’të ngelet, por blej ç’të duash. M’u bënë lëmsh mendimet, sepse e shihja si minus për të, tregonte dobësi të karakterit të tij.

Kujtova fëmijërinë time nëse do më krijohej një rast i tillë ç’mund të bëja. S’i vë duar në zjarr se s’do t’i bëja rrush e kumbulla të gjitha! Show-n e ndoqa pa qejfin me të cilin e prita. Mezi prisja të mbaronte që të shkëputesha nga këto mendime dhe të vija nxënësit përpara. U zura ngushtë, krejt në befasi, kur më doli përballë sy kullumbria duke iu drejtuar mësueses.

-Sorry teacher, I forgot to return to you the rest of the money - dhe i ktheu më shumë se 10 dollarë që i kishin mbetur. - Next time, don’t give me any money. I like Pop Corn. Would you like to try? Dhe na i zgjati të dyve - I can prepare at home.

-O my goodness, It’s good for you Franklin, u entuziazmua mësuese Ina dhe në kulmin e haresë e mbështolli të tërin në mirësinë e saj. U desh të ndodhte kjo që unë t’i mësoja emrin sy kullumbrisë dhe kodin e tij moral pa hije.

©Zeqir Cama