Krijimtari

Mbreti i huaj -Tregim nga Faruk Myrtaj

“Këtu do të mbretëroj Madhëria Juaj...” tha Shoqëruesi i Parë, duke treguar në hartë një vend, diku në Mesin e Dheut.

Ende-Princi, si një nxënës i urtë i rreshtit të parë, dëgjoi pastaj për troje të pasura, bregdet ku dielli djeg e çan gurin, por nxeh edhe gjakrat. Si të mos mjaftonte kjo, hëna endet mbi krye netëve dhe ditëve. Shoqëruesi sapo ish kthyer prej andej. Kishin shpënë Fronin Mbretëror. Në një të ardhme sa më të afërt, Princi do duhej të nisej për tu kurorëzuar. Pritej që krerët vendas, në grindje të pafund me njeri-tjetrin, të binin dakord për të, si Mbret të Huaj.

“S’gjetën dot dikë prej të vetëve?!”, pyeti Princi, në intimitet.

“Mbreti është dhuratë, Madhëri...” tha tjetri, me sytë nga qielli.

Në rast mrekullish, apo kur zihet n’goje Zoti, vijon një copë heshtje, si rënie shiu pas thatësirës së gjatë. Asgjë të keqe, në ndodh që popujt e sovranët përkëdhelen si fëmijët. Shoqëruesit e Parë e mësojnë qysh në krye se sovranët lindin me këto dije.

Në përgatitje për ta shfaqur mbret, i sollën libra të vjetra, gazeta të zverdhura, revista të hershme, të kohëve kur sapo kishte nisur të shkruarit, fotografimi, imazhe, identikite, përvijime e skicime të lehta, marrje me mend të profileve të figurave të shquara të historisë së lashtë, dokumente arkivore, pergamenë të ruajtur nga ekspozimi në dritë, ese e përsiatje rreth historisë e kulturës në këto troje që, megjithatë s’gjenin qetësi. I shfaqën filma dokumentarë e artistikë me subjekte antikiteti, për t’i lehtësuar kuptimin e thelbit të jetës dhe legjendave të shumuara. E kishin joshur, kronikat nga Sheshi i të Urtëve, siç quhej, ku dëgjoheshin tërë të mençurit dikur.

Mbase tërë popujt dikur kanë pasur male të shenjtë, me perëndi e zota, gjysmazota-gjysmanjerëz, që gjysmën e ditës zbrisnin e luftonin në krahë të njerëzve, gjysmën tjetër ngjiteshin atje lart dhe ujdisnin paqen prej majës së Olimpit. Me skeptër e virtyte perëndish e vese njerëzish, ende nderohen zota të allasojtë. Ende-princi kundroi më nge portretet e imazhet në pjesë teatrore, luajtur nga aktorë në zë, dialogë dramash me subjekte antike, variante moderne të miteve, legjenda e subjekte supozuar e ndodhur në kohët dikur, të lavdishme për ta. Historia dhe e shkuara e largët, rrekej të përbënte edhe të sotmen. Dukej sikur ishte një muaj shfaqjesh teatri klasik, që përsëritej dymbëdhjetë herë në vit, dhe tërë vitet më pas. Përjetësisht.

“Edhe në pasqyrë, shohin të shkuarën e tyre, Hirësi! Vetëm ashtu ndjehen krenarë...”

Sa herë që shtonte në dosjet për Shkëlqesinë, shoqëruesi veç citonte, thjesht rrëfente. Nuk ndërmend t’i bënte të ditur se, aty ku po dhurohej Mbret, s’e kishin dëshirë t’u kujtoje boshllëkun, shkëputjen e kohës Dikur me kohën Sot. Miqtë dhe vizitorët nga bota, që të tillë e kishin lexuar në librat e historisë dhe artit, s’pushonin së nderuari këtë kujtesë, në kujdes të mos e lëndonin plagën, sa heshtja e vjetër, të kësaj dhimbjeje.

Pasi u nënshkrua kërkesa prej krerëve, Shoqëruesi solli në kureshtjen e princit, Mbret tashmë, përshtypjen se palët, edhe pse në mëri me njeri-tjetrin, mbeteshin njëlloj ndaj të shkuarës: besimtarë të verbër, predikues të pa-mëdyshje, të së shkuarës për të cilën ishin gati t’i rrezikonin të tëra. Që ky imazh, i qenies madhështor dikur, s’duhej tu ikte duarsh, por as të ishte pronë e vetëm njerit prej tyre, ata pranuan një mbret të huaj. Thjesht, se ai s’kishte pjesë në këtë të shkuar.

Shoqëruesi sigurisht nuk e artikuloi kaq shkoqur, por as princi-Mbret nuk e ushtroi të drejtën për të pyetur. Mbase prej pyetjeve të pabëra, Hirësia e Tij mbeti i shqetësuar, edhe pasi vuri kurorën.

Ajri i nxehtë ia mugullonte pamjen, por s’ishte e thënë, aq më pak të besohej, se mbreti s’bën të pyes për gjëra që s’i di. Ai thjesht mban oborrtarë që ia ofrojnë ende-të-paditurën. Në mbrëmje, në admirim të perëndimit të diellit, Ai preku mëngën e shoqëruesit të parë dhe, naiv si një fëmijë, u ndje mirë që guxoi ta pyeste:

 “Jam mbret i të gjallëve, apo i të vdekurve këtu...”

“Jam pas teje, Madhëri!”, ish përgjigja e tjetrit.

Njëlloj si tjetërsia mes dy kohëve të këtij trualli, ia rrëmbente veshin shqiptimi i gjuhëve. E pa-fshehshme e folura e sunduesve, e tjetërt prej zhargonit të njerëzve atje poshtë.

Që gjuha e të dy palëve ishte pa lidhje me gjuhën e Mbretit të pranuar, kjo nuk shqetësonte askënd. Dhe as fshihej.

Ishin dallimet në të folurën midis, që humbonte lemeritëse. Mbase ngaqë bëhej çdo përpjekje sikur nuk ekzistonin. Mbase ishte e vërtetë se dikur kish qenë e njëjta gjuhë. Vetëm kur u shpall lista e heronjve të luftës së mbrame, atëherë kishte nisur ndarja. Ngaqë nuk ndahej dot fitorja, ndanë edhe gjuhën e folur. E toleruar në krye si hollësi e parëndësishme, ndarja kishte sjellë ndarje të tjera, në gjithë format e jetës dhe punëve. Njerëzit lindin e rriteshin sipas mënyrës se si përdornin gjuhët. Ata që u ngjitën në katet e pallatit të shtetit iu larguan gjuhës dikur, gjë që s’ndodhi me pjesën tjetër. Në heshtje ende të pashpjeguar, populloi katet poshtë…

“Le të dëgjoj për këtë,” tha nervoz, Hirësia e Tij, “përpara se të gjendem mes mërisë së tyre...”

Si në faj të mezi pritur, Shoqëruesi i Parë nxitoi t’i sillte një hartë të vjetër të gadishullit.

“Ati Juaj thoshte se s’mund ta njohësh një popull, pa njohur fqinjët e tij, madhëri...”

Dukej sikur pëshpëriti. A thua druhej nga ndokush që mund të gjendej rastësisht atypari, edhe pse secila prej fjalëve i thuhej një Mbreti, në oborrin e tij. Shërbyesi i përmotshëm në oborret e dinte detyrën. Mbretërimi do vazhdonte të ish një ceremonial i pafund të panjohurash e të paditurash, në bashkëjetesë të brishtë të zakoneve e tekave që s’është e udhës të përfliten e as të thuhen me zë. Madhëria sigurisht e dinte se mbretërit bëhen mbretër veç duke mbretëruar.

E la të lirë shoqëruesin atë ditë, dhe nuk ia kujtoi t’i kthehej të nesërmen kësaj bisede. As ditët më pas.

Kohë më vonë, e qortoi veten. Edhe ata princa që arrijnë të bëhen mbretër, ndodh të bëhen të tillë vonë, tepër vonë. Mëdyshja vazhdoi të bymehej ngutshëm duke lexuar shënimet e një gjuhëtari në gjuhën që mbiquhej “vdekurisht e lashtë".

Dukej si lojë, e po këtij Fati që i kish vënë kurorë edhe atij vetë, pikërisht kur koha e mbretërive po perëndonte. Për më tepër, në këtë gadishull, kufijtë e të cilit gjallonin dhe pretendoheshin si mitet e legjendat, mëtuar e dëshiruar prej të gjithëve.

U ndje në ngasje të hahej me veten. Edhe tjetërkund, kudo në këtë botë me kufijë që ndanin, jo bashkonin, ndodhnin mëri që si pranojmë dot si natyrë të njeriut. Pushtetërimet janë bërë aq të ngatërruara e të brishta. Përpara se të pranosh një fron a një karrige, duhet të dish se s’do të jesh sundimtar i një populli të vetëm. Nënvetëdija e popujve po kthen e rikthen nevojën e Njëshave të Fortë, autoritaristëve populistë, perandorëve pa perandori klasike...

I mbylli, për të mos i hapur më, shënimet e gjuhëtarit dhe u pa sërish në pasqyrë. Mjegullisht i paqartë, si legjendat e së shkuarës që rrekeshin të impononin superioritet mbi të sotmen. U ndje i lodhur, i hutuar në gjeratoren e një turbullire prej nga duhej të dilte, përpara se të kurorëzohej. Mbase ishte vonë dhe, ngaqë mbretërit nuk dorë-hiqen, dhe në raste ikjesh thjesht abdikojnë, kuptoi se do të mbetej “Mbret në Mëdyshje”...

Shoqëruesi i la të kuptonte se i lipsej ca më shumë praktikë në odën e njëqind pasqyrave. Gjestet e fjalët, buzëqeshjet, hedhja e këmbës, valëvitja e lehtë e dorës për turmat brohoritëse, lirshmëria përballë kamerave, mund ta mbushnin boshllëkun që gjuha, gjuha e këtij trualli të cilin do ta mbretëronte, edhe pse si gjuhë e tretë e Tij, do gjëmonte, kudo ku do shkelte. Me kalimin e javëve, edhe më shumë se në fillimet, po i dukej vetja një lloj humbameno me kurorë.

“E vërtetë që ka edhe dobësi mbretërore...”

“Janë pjesë e vullnetit mbretëror, Madhëri,” respektoi distancën e autoritetit shoqëruesi.

 Mbreti tha se të nesërmen donte të kishte abetaren e fqinjëve.

Shoqëruesi i Parë e kuptoi, por s’ishte momenti t’i bënte të ditur se fqinjët, edhe pse po aq gjuhë-vjetër, s’kishin dot prova të shkruara njëlloj të hershme sa pranohej të kishin gjuhën e folur. S’kishin, madje, pemë gjenealogjike për familje aq-të-hershme mbretërore. Mbase prandaj, tërë prijësit e atjeshëm silleshin si mbretër pa kurorë. Të vetmit mes tyre, atë që e shpalli fron mbretëror karrigen ku ishte ulur vetë, ende nuk i ishin së paku mirënjohës që së paku ishte njeri prej tyre, që bëhej mbret i të Vetëve. Jo i huaj.

***

Ditën tjetër e përsëriti si shaka, se kishte kërkuar abetaren, jo fëmijërinë e mbretërisë së tyre. Këmbeu tri herë këshilltarin për gjuhët, e përzuri të fundmin e tyre dhe s’thirri tjetër. Pa qëllim, u dha krahë kureshtive për orët e vona, neglizhoi dyshimet ndaj tij si “I Huaj”, gjersa ndjeu se vargu i dyshimeve po shndërrohej në trill mbretërimi. Gati besonte tashmë se drama e mbretërve të Shekspirit ishte diçka minore, përballë dramës së sundimtarëve të sotëm, kur e njoftuan se ishte planifikuar një ceremoni në Panteonin e Kujtesës Kombëtare.

Për të, si Mbret, do kryhej dikur, por shpura e Tij s’dinte për ku shkonte kur doli nga Pallati. Cilët ishin të vdekurit dhe të gjallët që e prisnin, me ç’sy pritej të vështrohej prej tyre? I duhej të vazhdonte të pyeste, si përballë pasqyrave. Mbase kishte pyetur me zë, që dikush iu gjegj nga fare afër: “Dëshironi gjë, Madhëri?” Njerëzimi ish duke u bërë më i vështirë dhe më lehtë i sundueshëm prej të panjohurve.

“Këtu mbretëron e shkuara, jo ti.”

Iu bë se zgjoi kujdesin e vetë, kur u përkul lehtë nën harqet antikë.

Ciceroni u rrek t’i ofronte sa më shumë hollësi, që Mbreti t’i fiksonte sa më shpejt ngjarjet dikur. Për një vendas, prania e ciceronit do ishte thjesht simbolike. Tërë ata përqark i dinin këto hollësi, i mësonin qysh fëmijë, kishin lindur mes rrëfimeve e monumenteve të kësaj të shkuare të lavdishme. “Kurse ti...”

“Po ju vetë më kërkuat!”, do t’i thoshte ciceronit, nëse duhej. “Unë s’jam si mbretërit dikur, pushtues. Erdha për të urtuar krenarinë tuaj. Pranuat një himn pa tekst, një flamur laraman, në Kushtetutë e zbehët mëvetësinë, pa dhimbje për veten e sotme. Vetëm te Tempujt e së Shkuarës, bini në gjunjë. E vetmja gjë për të cilën më luteni, mua të huajit, është të pranoj të shkuarën tuaj…”

Më në fund, s’mund të shmangej dot…U gjendën pranë një mbishkrimi në gjuhën e vjetër. Në të vjetrën fare, të vjetër sa s’thuhej dot prej kujt përdorur, deri kur... Shkruar, gdhendur aty, në atë pllakë guri. Shëmbëllim varri, por Atij s’po ia shpjegonin si të tillë. Ligjërimi i ciceronit erdhi dhe u mek. Historia këputej, vazhdimësia mbetej pa gojë.

Aty, të gjithë, do donin ta kapërcenin këtë moment. Gati t’i luteshin të mos pyeste. Të dy palët, edhe pse kundër njëra tjetrës, sikur i pëshpëritnin, në një zë: Të lutem, mos…, mos pyet...

Do të ndodhte ky moment. Shoqëruesi i Parë ish aty, një hap pas tij, por s’ishte rasti të pyetej ai.

Për shenjat e kodet e së shkuarës, duheshin pyetur veç ata. Viktima dukej sikur ishte ciceroni, por gjithçka që do të thuhej aty do ta dëgjohej nga të tërë sa ishin përqark.

Dhe ai, Mbreti i zgjedhur prej tyre, pyeti: “Mund të më thuash... për këtë mbishkrim...”

Nëse s’do kishte përgjigje, sërish do pyeste. Nëse shëmbëllente me ndonjë kryekomandant që jepte urdhër për ndonjë sulm që dukej shkoqur se do mbyllej me vdekje, duhej të shfaqej i vendosur. Ata e dinin: Marathona, vjen në fundin e saj, më në fund...

Ciceroni, përkulur si oborrtar edhe ai, hutuar nga ç’dinte jo prej mos-dijes, duke e ndjerë të vështirë përgjigjen - jo bindjen ndaj mbretit, më në fund s’mundi të mos jepej:

“Kur s’arrijmë t’i kuptojmë dokumentet e vjetra, bëjmë t’i marrim me mend, Madhëri...”

Në pamjen, dridhjen e buzëve e njomjen e syve përgjatë artikulimit të ciceronit në gjuhën e mbishkrimit, Hirësia ndjeu tërë dhimbjen e thellë e të parrëfyeshme aty përqark. Pamundësia e shpjegimit të dallimeve mes gjuhëve dhe epokave, këputja e vetëtimtë e historisë, kush-e-di-pse-ja që gjuhët me zor pranoheshin si vazhdime të njëra-tjetrës, plagë që mbanin gjallë dramën aty e më gjerë akoma, kthyer mënyrë ekzistence...

“Tashmë ekzistencë edhe e imja, mbretit tuaj! Në këtë botë s’ka më dhimbje pjesësh, dhimbje organesh të veçanta s’ka më. Tanimë dhemb tërë trupi...”

Iu desh ta lerë ciceronin përkulur, ndonëse jo përballë tij. Kërrusur e përvuajtur prej honit të mos-shpjegimit, i pagojë për të vërtetën, që supozohej e vdekur por nuk heshtej dot. Të kesh pasur tjetër gjuhë, s’është mëkat. Dhjetëra gjuhë vdesin në mos-përdorje, në pa-dashje e pa-dije të njerëzve që, megjithatë, urrehen e vriten për gjëra më pak të përjetshme e akoma më pak njerëzore. Harresa, më keq akoma tjetërsimi i historisë, ishte tjetër. Sëmundje, pa diagnozë, trulloste e mbante përgjumshëm kombet. Ardhur përmes shekujsh të ashpër, përkëdhelur rrallë e pa dashuri, historia e lexuar verbër vazhdonte të ndëshkonte.

Tingëllonte hakmarrje e së shkuarës por, si tërë inercitë që fundojnë, mbahej gjallë prej nostalgjisë. Kjo botë, me ndasi e grupime të pafundme, ku individi ende dëshiron të mbetet pa hequr dorë prej rrekjes për gjënë që ka pasur ose s’ka mundur ta ketë, i ka dhënë forma të rrejshme gjer edhe pushtimeve.

Dikur niseshin ushtri të pafundme për të zgjeruar zotërimet, vendasit rezistonin gjer në shuarje fryme.

Ardhka koha kur pushtimet bëhen formalisht të panevojshme. Tashmë periferitë e lusin vetë sunduesin. Miliona njerëz nisen emigrantë, për atje nga ku sunduesit hipotetikë mund të niseshin. Gjenden e dëgjohen zëra që bëjnë thirrje të mos zihet n’goje ç’ka ndodhur dikur e përse. Si për ca plagë të marra në lojërat fëmijërore. Në heshtje të gjatë, individë e kombe grumbullojnë drojë e rezerva ndaj të tjerëve, ndaj të vërtetës e virtytit. Duke iu gëzuar vetmisë, shndërrohen në besimtarë të verbër, pa Zot. Pas çdo dite, më e pa mundur bëhet, ëndrra të mund të strehohet tek djepi i dikurshëm.

Si ciceroni, dhe ata në emër të cilëve shprehet: s’mund t’i dorëzohen të sotmes dhe nga që u vjen keq prej vetes që janë.

Madhëria e largoi vështrimin prej ciceronit. Në çastin më pas, edhe prej mbishkrimit.

Atje përtej, me kast, apo naivisht, turma brohoriste. Në dëshirë për ta përjetuar, Madhëria e Tij do desh t’i ish ca më afër asaj turme, edhe pse urdhëruar t’i mbetej sa më larg. Trupat e Gardës ishin midis, për të mbushur boshin mes të shkuarës e të sotmes, si kufijtë që gjithnjë u shërbejnë atyre që i ngrenë. Gjëmonte ajri. Ky lloj kufiri prej boshi, torturues në jehonën e shurdhët.

Ata njerëz pa emër, ushtarë a komandantë të thjeshtë, ia ndjenë frymëmarrjen. Si në një çapitje të ngeshme mbretërore, shpura përparoi për andej. Vesh i etur për gjuhë tjetër.

S’kish pse shfaqej trishtuar. Përkundrazi, ndjeu një lloj luksi, jo të këshillueshëm për oborret: ëndjen e të gëzuarit me këta njerëz të zakonshëm. Kish nisur ta donte këtë vend. Në heshtje, si tërë këta shtetas të thjeshtë, si çdo njeri nga këta ushtarë anonim që thirren me një numër por shërbejnë këtë truall, si fat, shkruar kush e di nga kush. Në kohët kur s’kishte kufij.

***

Dikur besoi se e gjeti ç’e bënte të ngjashëm me ta. Njëlloj si ata, edhe Ai, Mbreti, vështrohej si i huaj. Nuk e pranoi shkak të mjaftueshëm të folurën ndryshe, por qe i sigurt se nëse mbretërit e Shekspirit mbeteshin pa gjumë nga fantazmat e paraardhësve, fantazmë e këtushme ishte dhe do mbetej E Shkuara. Ajo trazonte të sotmen.

“Në cilën gjuhë bëj mirë të mbretëroj?”, provoi të shprehej, ditën tjetër, në Sallën e Madhe të Shtetit.

Prej heshtjes që u ngrit, u rrëzua dhe u thërrmua si hije reje. Ndjeu sa shumë i lëndoi. Do ish tjetër fare, sikur të njëjtën gjë t’ia kish thënë Shoqëruesit të tij. Por s’kthehej dot mbrapsht. Salla e kishte dëgjuar.

“Mund të përdorni edhe gjuhën tuaj, Madhëri...”, u shprehën njëherësh të dy liderët e grupeve të kundërta.

“Jo, jo...!”, pëshpëriti, si sufler varfanjak dileme mbretërore. 

Ai e mori me mend, pothuaj e dinte, e provoi si diçka reale aty, përballë tyre: Aq shumë urreheshin palët në sallë, sa gjysma do t’i vinte menjëherë pas, nëse ai vendoste ta braktiste fronin e dhuruar, dhe nisej të ikte bashkë me të, me gjysmën e tyre, për t’ia lënë barrë gjysmës tjetër. Aq e lehtë s’ishte, po të mendoje se edhe pala ikëse do t’ia linte të gjitha rivalëve të vetë...

Salla atje poshtë vazhdonte të gumëzhinte dy gjysmash, si rrotë mulliri që bluante miellin dikur.

“Veç mbret i pranuar, qenkam edhe pushtuesi i tyre”, i vetëtiu ndër mendje.

Njerëzimi, si në troje të vjetra, është plakur. Kujtesa sjell gjithnjë e më shumë dhimbje. Duket sikur jeta është bërë më e paqme, njerëzit s’kanë frikë se nisin sërish kryqëzata e pushtime, por instinkti, nostalgji për kohët dikur, i josh. Popuj që nisen e mërgojnë, dorëzohen tjetërkund. Kërkojnë mbretër, sundues, administratorë, bankierë, të huaj, të ndryshëm prej vetes. E tëra vjen prej brenda vetes. Gjer atëherë, kur të mos ketë diferenca, kur vetë kujtesa të jetë e njëjtë, duhet pritur ca si gjatë.

Sapo u kishte lënduar gjuhën, të dy palët dukej se ishin bërë sërish një. Përballë tij, i lanë mënjanë mëritë e përjetshme. Grindje e kacafytjet do t’i rifillonin sërish, por përderisa ai ishte aty, si i huaj…fantazmë. Mbase prandaj, ai Tjetri, mbreti i fqinjëve, ngaqë vetë s’ishte gjak-blu, ofroi si legjitime një Mbretëreshë të Huaj. Gjetja e tij kishte rezultuar mrekullisht e frytshme: shtetasit e Tij thuhet se e deshën dhe e nderuan Të Huajën mbase më shumë se vetë mbretin e Tyre vendas. Pas vdekjes ajo ishte kthyer dhe bërë me varr në mbretërinë e të shoqit, kur ai Vetë ende prehej në mërgim...

Salla, platea në ç’do ndenjëse, tërë llozhat, shndërruar në shkurre e shkulm ere. U epuan si në lëkundje tërmeti, epiqendra e të cilit ishte pikërisht ai. Sytë digjeshin lotësh. Grricte pafuqia për të ndryshuar ç’kish ndodhur në shekuj, që s’donin të humbej edhe një herë tjetër aty. Trishtimi endej në ajrin e sallës si pas një himni për heronj të rënë nën flamurë të panjohur.

Ju vetë më keni sjellë, thoshte prania e Tij.

Po, por ne... kush jemi ne, bërtiste heshtja e tyre.

©Faruk Myrtaj