Krijimtari

Lëvozhga e fjalës pas një banketi shik - Nga Flurans Ilia

Pasi shishet e shtrenjta të verërave u pinë

U pinë të shtrenjtat shishe të verërave pasi

U grisën fjalitë e stërzgjatura

Kapota e vjetër zhele u bë ndërkaq

U mblodhën gotat e boshatisura

Gotat këmbëholla si balerina

Balerinat si gota këmbëholla

U vendosën për t'u shpëlarë në lavapjatë.

Fjalët si Hëna mbi të ftohtin Poseidon

Çarçaf mbi krater shikimesh opake

Fatëzuar në faqet e Perandorisë Romake

Mangall vetullbronxët ku Vezuvë të tredhur

Ndjekin Kadmosin sypërndjekur

Që i shkuli dhëmbët shkronjat i mbolli

I bëri nëndetëse për peshq të vdekur

Sërish Guernika me sytë e përndjekur

Të një nate më parë

Shtreson hirin e portreteve tona

Materializuar mbi çdo fjalë

Copëza yjesh si fishek në armë

Mbi buzën e mbetur pa gjak.

Vazhdojnë të jehojnë si krisma fjalët

Artileri bisedat nga fronti i pendimit

Si gurë kështjellash të rënuara

Mëngjesi i ditës tjetër përmes zgjimit.

Fjalitë tona grisen bën sërish ftohtë

Rozafa servir kafe të kredhur në dhimbje

Ndër sytë e saj të ngrohtë

Vështron gishtat e mi qerosë

Si murgj budistë paqësorë e barkfryrë

Sinorin e porcelanit prekin butësisht

Cicën e bardhë të gojëdhanës

Mollëza si rrathë në trung të legjendës

Kur shtypet me gurë lëvozhga e fjalës

Kullon drejt kujtesës një lëng i zi

Derdhur e mbathur në porcelan të bardhë

Mëma e dheut çdo mëngjes si murim

(shfaqet vetëm me njërin gjoks përjashta)

Si qumështi që zbardh e zbut kafenë

Tridhjetë vitet e ikura prej vendit tim.

©Flurans Ilia