Krijimtari

Kthimi i drynave të vjetër - Nga Faruk Myrtaj

Në midis, zonë neutral - shkreti si çdo truall i askujt, ecëm më shpejt, nxituam. S’donim të na kapnin tanët dhe s’ishim të sigurt se të huajt nuk do të na kthenin andej nga vinim.

“Qenka bukur këndej a më bëjnë sytë mua…”, tha njeri nga ne, teksa kishim kaluar matanë.

“E çfarë se s’është dheu ynë…”, thashë unë për vete, pastaj mendova me zë.

Në të dy anët e rrugës dukeshin kopshte, pemë rënduar nga frutat, vreshta e shtëpi si vila, mollë, plantacione të portokalltë, me limona e mandarinë për-anash-udhëve, deri atje larg sa hante syri. Të kujt, gjersa s’dukej të kishte gardhe?

Njeri nga ne zgjati dorën. Mori një mollë. Për ta ngrënë. Nuk quhej Adam. As Adem.

Ne të tjerët mund t’ia thoshim një fjalë, një kujtesë, apo paralajmërim, se ishim në troje të tjerëve, edhe pse secili nga ne mund të kishte qenë i pari me dorë zgjatur për nga gjëja e Tjetrit, pas dhjetëra orë udhëtim, të pangrënë dhe të etur.

Njeri pas tjetrit, zgjatëm duart e morëm nga një mollë, të gjithë. Nga gjëja e të tjerëve po e merrnim, paçka se e ndokujt që s’e njihnim. Vjedhje quhej, edhe kjo? Edhe pse ndodhte jashtë shtetit? Po ne s’kishim ikur Andej të vdisnim urie këndej, dè!

Dikur, nisëm të shohim edhe njerëz, kur po mendonim se kishte veç kopshtije. E dikujt do ishte, kjo kamje. Mbase ishte e të gjithëve, siç thuhej se ishte andej prej ku ikëm. Tanimë këndej kufirit, pse të mos ishim edhe ne me pjesë në të! Menduam se këta që vështronin për nga ne ishin rojet e kësaj pasurie, por asnjë shenjë nuk bënë.

Ishim ne, në nevojë të flisnim. Na duhej të pyesnim, për rrugën më këmbë. Nga duhet të mbanim për të dalë atje për ku ishim nisur. Nuk na pyetën ata, por ne treguam për ku donim të shkonim. S’kishim përse rrëfenim nga vinim, nuk na ndjehej fryma mirë për ta bërë këtë. Duhej folur gjatë, pastaj, që të mos tingëllonte se merrnim ngoje vendin që kishim lënë. Dhe, për dreq, s’dinim as gjuhën e tyre.

Nuk na pyetën, por u bindëm shpejt se na kuptonin. Edhe nga vinim. Pushuam hapin, provuam të flisnim, të dëgjoheshim, të dëgjonim dhe shpejt u morëm vesh.

Në gjuhë tjetër, asnjanëse. Në gjuhë të një kombi tjetër, që dikur kishte sjellë ushtri në të dy anët e këtij kufiri, këtu. Kufijtë midis aty ishin, s’dihej kush e përse i mbante. E sigurt ishte se për shkak të kufijve, luftërat s’ishin harruar.

T’i kapërceje kufijtë kishte qenë e pamendueshme. Së paku prej nesh. Njëlloj si ta mendoje gjalljen vdekur. Tani që e kishim kaluar klonin, por edhe gjallë ishim, s’po i jepnim dot udhë çudisë tjetër: pse, vallë, gjelbërimi ishte shpërthyes fill pas vijës së kufirit. As mollë, as…, s’laliste kurrgjë gjer arritëm aty, s’kishte as pemë.

Si vallë të ishte caktuar kufiri pikërisht aty ku fillonte fusha dhe gjelbërimi…

Meqë të atyshmit s’na thanë gjë për mollët që kishim në duar, pak më tej ne të gjithë morëm edhe nga një kokërr tjetër. Pastaj edhe nga dy të tjera…Që të kishim edhe me vete. Ku i dihej…dhe kush na siguronte se do kishte mollë edhe më tej? Pastaj, deri sa të vinte hera të gjenim ndonjë punë, të kishim të përtypnim diçka…

Kur rruga disa orëshe na shfaqi një tjetër vendbanim e kishim mësuar fjalën “punë” dhe “bukë” dhe “ujë”, në gjuhën e vendasve. Na ftuan të rrinim aty, po të donim.

“Ju ofrojmë punë, dhe fjetjen falas. Mbase s’do fitoni aq shumë këtu, por do ta kaloni mirë me ne…”

Mundëm t’i dëgjonim ç’thanë, por jo të rroknim domethënien si “do ta kalonim mirë” me ta.

“Qetësia këtu është…”, shtuan, me të butë, kur morën vesh se e kishim syrin për në kryeqytetin e tyre.

Ne për atje ishim nisur. Vetëm për në kryeqytet, ose aty rrotull! As që e fshihnim këtë. Si mund të rrinim këtu, fill pas kufirit. Askush s’do të na e quante se kishim dalë “jashtë Shtetit”, kur ta merrnin vesh se thjesht qemë diku aty, matanë malit në kufirin midis! 

Meqë ishte ngrysur, pranuam ta kalonim natën aty.

Shtëpitë anë rruge, secila prej tyre kishte një si portë, një si rrethim simbolik më shumë, se nuk na zuri syri ndonjë dry, apo reze, apo zinxhirë, për t’i mbyllur. Për ne ishte mjaft që u sajuam brenda një ngrehine me dërrasa, aty jashtë, në oborr. Ishte verë, ngrohtë, kot të hynim brenda shtëpive, pavarësisht ftesës së vendasve.

Na nxorën ushqim të mirë e të bollshëm. Pastaj edhe një arkë me birra.

“Shkoni ju…flini…” u thamë. Në gjuhën e tyre, edhe këtë. Kaq fjalë i kishim mësuar. Nuk qenkej e vështirë kjo gjuhë, sa na ishte dukur prej anës tjetër të kufirit.

Edhe atyre duket se u erdhi mirë. Na u bë sikur ata dinin fjalë tonat, më shumë se ne të tyre. “Natën e mirë!” na thanë, në gjuhën tonë. Të dy palët ndjeheshin kënaqur.

Njeriu u ndjeka mirë, kur i flet në gjuhën e tij. Beson më shumë.

Nuk pritëm të gdhihej mirë, përderisa ishim për udhë. Kur kishim bërë goxha rrugë, vumë re se dikush prej tanëve kishte marrë ç’kishte mundur nga shtëpia që na kishte bujtur. U pamë sy më sy. Nuk ishte mirë kjo… Mirë s’ishte, por shtoi dikush, aq të kamur sa ishin nuk u prishet gjë e madhe nga ç’morëm prej tyre.

“Kishin, që morëm!”. Na rrëmbeu një si e qeshur që s’e morëm vesh dot nga buronte.

Tek e fundit, një shtëpi pa dryna e pa çelësa, nuk quhet shtëpi, shtoi tjetri mes nesh.

Atë fjalë mos e thuaj, kërkoi të dëgjohej një tjetër nga ne. Ata na futën në shtëpi…

Nuk shtoi dot kush fjalë tjetër e, ndërkaq ishim larg, shumë larg nga shtëpia ku patëm bujtur, që të ktheheshim atje... Kështu, shumë vonë të ktheheshim, na u duk atë kohë.

Të tërë, atë rrugë vazhduam, gjer kur nga tabelat kuptuam se arritëm në rrethinat e kryeqytetit. Aty u ndamë. Mbase, në një farë mënyre- por pa e artikuluar kështu, ishte ndarje nga ata që kishin vënë dorë në plaçkën e tjetrit. Secili më vete, do harronim më kollaj, por edhe më lehtë për të gjithë. Më shumë shanse.

Gjetëm të tjerë, prej tanëve, edhe të njohur, aty ku arritëm. Erdhën edhe më shumë, ditëve më pas.

Prej rrëfimit të më të vonëve, që kishin ndjekur të njëjtën rrugë me tonën, morëm vesh se vendasit…po ata që na kishin pritur ne, që na kishin ftuar të rrinim tek ta, mbase pikërisht ata të cilët i kishim lënë në gjumë duke marrë diçka prej oborreve të tyre, ata pra… i patën pritur ngrohtë edhe këta që kaluan atje pas nesh, madje kishin këmbëngulur për t’i futur brenda shtëpive...

Ajo që na vrau veshin, duke dëgjuar detajet e të ardhurve më pas, ishte se në portat e jashtme atje, kishin vënë re ca dryna të vjetër...

“Dryna të ndryshkur, nga mospërdorja për kohë të gjatë. Njëlloj si drynat tanë të vjetër, ju kujtohen?!”

Ne, të pak-më-parshmit, vështruam heshtazi njeri-tjetrin. E morëm me mend se drynat qenë shtuar për shkakun tonë, por nuk folëm.

Në vend të një epilogu

Vetëm vite më pas, do ndjeheshim gati të flisnim për historinë e drynave. Mbase as pas kaq vitesh s’do kishim guxuar, nëse dikush prej vendasve, mërguar diku në Evropë, të mos kishte rrëfyer një histori të ngjashme ndodhur me të vetët atje ku ata kishin mërguar, më herët se ne.

“Ne të gjithë humbasim o rrëmbejmë diçka që nuk është jona, për tu bërë ata që duam të jemi…”

Pas kësaj e patëm më të kollajtë, për të pranuar se, edhe ne, me daljen tonë nëpër botë, kishim bërë të ktheheshin drynat e vjetër…

©Faruk Myrtaj