Sixhadja fluturuese - Një përsiatje fatale për destinin nga Artan Gjyzel Hasani
Nga destini shkatërrimtar apo fati i keq mund të shpëtojnë dhe të shmangen njerëzit e vegjël. Njerëzit e mëdhenj, përkundrazi, e kanë destinin dhe fatin e keq pjesë të madhështisë, por kjo gjë zakonisht kuptohet pas vdekjes së tyre. Ndryshe nga sa mund të mendohet, madhështia e dikujt ndonjëherë mund të jetë e lidhur edhe me fatin e sendeve personale të tij.
Kjo është një histori me sixhade. Një histori e vërtetë për një sixhade fluturuese dhe simotrat saj. Të krijuara nga thurje artizanale, me penj kërpi dhe ngjyra të përgatitura në mënyrë tradicionale, ato kanë dëshmuar se i rezistojnë kohës për shumë vite. Në Labëri mund të gjënden akoma sixhade të bëra 100 vjet më parë. Jo pak nga lexuesit e këtyre rreshtave, miq e shokë të autorit, kanë pasur fatin të ulen mbi sixhadet e këtij rrëfimi.
Në vitin 1928, jetimja pesëmbëdhjetëvjeçare Hatixhe H. e fshatit Dukat thuri për pajën e saj katër sixhade shumëngjyrëshe leshi, tri nga te cilat, sipas zakonit, do shkonin për të zotin e kalit të bardhë që do merrte nusen dhe vetëm njëra do t’i mbetej nuses së re. Kjo e fundit, ndryshe nga sixhadet e tjera, do të kishte të qëndisura në cep inicialet e emrit të nuses.
Meqë në ceremoninë e martesës së Hatixhe H. (që u bë Hatixhe Sh.) kali i bardhë u ngrit kas dhe nuk donte të hynte në shtëpinë e dhëndrit, duke e rrëzuar tri herë nusen e re para pragut të shtëpisë (një detaj i vërtetë i përdorur nga unë në tregimin “Hanka”), i zoti i famshëm i kalit, fisniku Mehmet A. e pa të udhës të mos i pranonte tre sixhadet e taksura nga nusja jetime.
Në dimrin e vitit 1943 dezertori italian Salvatore B. e vjedh sixhaden e nuses nga oborri i shtëpisë së Hatixhe Sh. në Dukat dhe bashkë me pushkën e tij e fal në fshatin Tragjas në shkëmbim të një strehe dhe ushqimi.
Në vitin 1954 Hatixhe Sh. bashkë me të bijën dëbohet fillimisht drejt zonës së Gollobordës, në Verilindje të Shqipërisë e më pas vendoset në Peshkopi.
Një pasdite korriku të vitit 1970, e bija e Hatixhe Sh. thërritet për një urgjencë shëndetësore në fshatin Fushë-Alije të Dibrës ku i shpëton jetën një nëne dhe foshnjës së saj të porsalindur. Kryetari i këshillit të fshatit, Shpëtim M. në shenjë falenderimi shtron një darkë në shtëpinë vet për shpëtimtaren dhe familjarët e të shpëtuarve. Mbi minderin ku ishin ulur e bija e Hatixhe Sh. njeh sixhaden unike të së ëmës. “Kjo sixhade është e nënës sime, dhe ka edhe inicialet e emrit të saj të vajzërisë të qendisura në anën e poshtme.”
Udhëheqësi komunist i fshatit kthen cepin e sixhades dhe dallon inicialet H.H.
“Ia sekuestruam në vitin 1944 kriminelit dhe hajdutit Halil A. që e kish vjedhur në Tragjas”, shfajësohet i zoti i shtëpisë dhe ngre një dolli për jetën e re.
Në vitin 1980 i shoqi i mërguar në Kairo i Hatixhe Sh. nga letërkëmbimi i cunguar mëson historinë e sixhadeve dhe si një simbolikë ngushëlluese i dërgon një qilim Persian. Pakoja arrin në qytetin Peshkopi, por nuk i jepet Hatixhe Sh. së cilës i kërkohet të firmosë një shkresë ku thuhej që nuk pranonte pako nga armiqtë e Atdheut, gjë që ajo nuk e bën.
Në fundvitin 1990, autori i këtyre rreshtave, në rrethana jo edhe aq rastësore, debaton në një dhomë me ish-presidentin në pension për pandershmërinë, nga vrastare në banale, të regjimit ndër vite, dhe fjalë pas fjale, i tregon edhe historinë e sixhades. Ish-presidenti e kundërshton fort, duke harruar, apo duke mos e ditur, që edhe qilimi i shtruar në atë sallë qeveritare pritjeje ishte pikërisht qilimi Persian i dërguar si dhuratë për Hatixhe Sh. nga bashkëshorti i saj Musa.
Këtu mbaron historia reale e sixhadeve të Hatixhe Sh. por, meqë jemi në këtë temë, dhe në respekt të adhuruesve rishtarë të Borges-it, le të hamendësojmë për fatin e mundshëm të një sixhadeje magjike si ajo në një vend të pabesueshëm si i yni.
Kështu pra, mund të spekullojmë se në vitin 2016 deputetit dhe matrapazit të njohur të antikave Koço K. i dhurohet Sixhadja Fluturuese nga kundërshtari i tij politik Lul B. në shkëmbim të një vote. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës sixhadja e famshme ekspozohet në Berlin dhe aty blihet nga stërnipi etnograf i Hatixhe Sh, i cili shumë vite më vonë, në pleqëri dhe pas falimentimesh të njëpasnjëshme financiare, e përdor si mjetin e vetëm për t’u mbrojtur nga i ftohti i Fifth Avenue ku edhe gjëndet i vdekur si i pastrehë një natë dimri të 2035.
Duke u kthyer përsëri në pikënisjen e këtij rrëfimi:
A mund ta shkëpusim vërtet një njeri nga rrënjët e veta ashtu siç bëjmë me një pemë?
Hatixhe Sh. ia këputën rrënjët dhe e degdisën në një vend të largët të ri.
Por para saj kish mbërritur atje larg përmes udhëve të verbëra dhe kapriçioze të destinit ajo sixhade, një nga rrënjët e jetës së saj.
Vite më vonë përsëri fati dhe destini i çuan atje ku ishte degdisur edhe një rrënjë fikusi nga i shtëpisë ku ish bërë nuse, një histori për të cilën flitet te tregimi tjetër i imi “Vazo të thyera”.
Sot besoj se destini i të pafatëve të mëdhenj është një alibi e shpikur nga njerëz të vegjël.
Alibia e tyre në pamundësinë për t’i shkëputur të pafatët nga rrënjët…
Dhe meqë po flasim për fate e destine:
Gjatë Diktaturës Hatixhe Sh. u dëbua nga vendi i saj Jugor drejt Verilindjes për rreth 40 vjet.
Në Demokraci u rikthye në vendlindje ku jetoi edhe 20 vjet, por kapriçiot madhështore të destinit (dhe jo të diktaturës këtë radhë) e çuan përsëri në atë qytet të vogël Verilindor ku edhe u nda nga jeta në moshën 103 vjeçare!
Epilog
Në vitin 1956 Hatixhe Sh. i dërgoi një kërkesë transferimi ministrit të Shëndetësisë së asaj kohe për rikthim në vendlindje. Kërkesa e saj u refuzua prerë me një shkresë në të cilën shkruhej se ai qytet i vogël Verior kishte nevojë edhe për kontributin e Hatixhe Sh.
30 vjet më vonë, në epokën kur të sapodiplomuarit flakeshin në Veri, nipi i ministrit të dikurshëm preferoi të emërohej me punë pikërisht në atë qytet të vogël, meqë aty banonte i vetmi mik i tij i ngushtë në veri të vendit: Nipi i Hatixhe Sh.
(nga vellimi me tregime "Rutina Perfekte", 2016)
©artangjyzelhasani



