Krijimtari

Sikur të isha i verbër - Nga Sami Milloshi

Tregim

I gjithë Janari qe i mbushur me gëzime për Megan. Siç më shkroi vetë, më tre të Janarit kishte festuar ditëlindjen e saj me mamanë dhe të atin në një restorant ku kishin ngrënë mëngjezin. Po atë ditë ajo kishte ndjekur në radio koncertin tradicional të orkestrës simfonike të Vjenës dhe tingujt e muzikës ende i kumbonin në veshë...

Pesë ditë më vonë babai i saj, George, kishte festuar shtatedhjetëvjetorin. Për atë ishin mbledhur në një restorant tjetër dhe kishin ngrënë tortë me luleshtrydhe të shoqëruar me verë italiane.

Në javën e tretë mama Betty kishte mbushur gjashtëdhjetë e shtatë vjeç. Për mama Betty-n qenë mbledhur në fastfood-in ngjitur me shtepinë dhe kishin ngrënë tripleburger dhe akullore me çokollatë.

Dhe më në fund, ditën e fundme të Janarit, Megan më tha se i vëllai i saj, Jim që jeton në Teksas, ishte martuar me një psikologe me emrin Maria. Martesën e tij, e kishin ndjekur në Zoom...

Kur më tha këtë lajmin e fundit mua m'u zgjuan të gjitha urimet që thoshte mëma ime në raste të tilla.

- Megan, - i thashë - yt vëlla të trashëgohet dhe dashtë Zoti i madh, ai dhe Maria ta mbushin oborrin plot me kalamaj.

- Thank You - tha Megan në anën tjetër të telefonit dhe një e qeshur drithëruese i gufoi ashtu krejt papritur duke ma përkedhelur cipën e veshit si një pëshpërimë e ëmbël.

Pastaj se si më erdhi nëpër mend se Megan është e verbër që prej lindjes së saj dhe pyeta veten: si ka mundësi ta ketë ndjekur kjo martesën e vëllait në Zoom, kjo është e verbër? Apo Zoti bën mrekullira në çaste të tilla dhe ta kthen përkohësisht dritën e syve?...

Ndoshta Megan ka dashur të më thotë se mamaja dhe babai e ndoqën në Zoom martesën e vëllait dhe se ajo, duke qenë prezente aty, edhe ajo u bë pjesë e Zoom-it martesor...

Nuk desha ta fyej duke e ngucur me pyetje për Zoom-in martesor. Unë jam gjithnjë i kujdesshëm që ta lë mënjanë shqisën e shikimit kur bisedoj me Megan.

Asnjëhere nuk i flas as për pikturat e Van Gogut apo për pikturat e mia. Asnjëhere nuk i flas për kaltërsinë e qiellit apo për të kuqen e Onufrit. Por, ama të gjitha këto, i zëvendësoj me muzikën e Vivaldit të cilën e dëgjojmë sëbashku sa herë duam të jemi pranë njeri-tjetrit.

Nëqoftese Megan nuk do të dëgjojë Vivaldin, unë e marr për dore dhe shkojmë në korien ngjitur të qytetit. Aty dëgjojmë shushurimën e kataraktit dhe këngë akapela të zogjve të korijes...

Tre javë pas Zoom-it martesor të vëllait të saj, isha unë ai që e mora në telefon Megan. Desha t'i jap edhe unë një lajm të gëzuar. Desha t'i them se unë vërtet nuk arrita të marr pjesë në dasmën e nipit ngaqë na ndaloi pandemia dhe se dasma as që nuk u bë fare. Por nipi im, i thashë Megan, pret të bëhet baba këtë pranverë.

- Sa lajm i bukur - tha thjesht Megan -. Por ti do shkosh ta shohësh bebin e nipit ndonjë ditë, apo jo?

- Do shkoj, dashtë Zoti i madh - thashë unë. Dhe nuk e di se si e qysh, krejt vetëtimthi m'u dha të shtoja. "Por ka disa gjëra të cilat nuk do të kisha dashur kurrë t'i shoh. Më mirë të kisha qenë i verbër të mos i shihja..."

- Ouuuu, vërtet? - lëshoi një pasthirrmë çuditëse Megan.

E kuptova në çast që e teprova. Nuk duhej t'ia kisha thënë një të verbre atë që i thashë. Nuk duhej ta lëndoja. Kurrsesi nuk doja, por as vetë nuk e mora vesh se si e qysh më qe mbledhur gjithë ai gulsh në shpirt për gjëra që po i shoh perditë dhe që vërtet nuk dua t'i shoh me sy.

Megan e pikasi trishtimin tim dhe aty për aty më tha:

- Dikush të paska mërzitur. Unë këtë e prek, siç prek tastierën e pianos kur luaj në kishë të dielave...

- Po - i thashë - nuk dua t'i shoh se si i rrëzojnë monumentet e vjetra... nuk dua të shoh se si e quajnë të fëlliqtën të pastër, se si duan t'i heqin mitrën gruas dhe ta quajnë burrë, se si duan të më bëjnë të ndjehem i turpëruar pse kam lëkure të bardhë... Më mirë të kisha qenë i verbër të mos e mbërrija këtë ditë...

- Unë do kisha dashur ta mbërrija atë ditë, qoftë edhe një ditë të vetme - tha Megan - ta shihja atë që më do! Ata nuk janë njerëz që duan. Ata nuk janë lindur për të dashur, ata janë lindur për të urryer...

- Sikur të kisha dritën e syve - tha Megan

- Sikur të isha i verbër - thashë unë...

©Sami Milloshi