PËRVJETORI - Nga Artan Gjyzel Hasani
(Shkeputur nga romani "FUNERAL")
Të kishte qenë vërtet një flutur budallaqe që i ishte afruar zjarrit më shumë nga sa duhej?
A mund të kishte bërë ndryshe vallë?
Sidoqoftë ishte tepër vonë për të menduar gjëra të tilla. Tani ajo ndodhej në këtë vagon të errët e të pistë të trenit të mallrave që lidhte qytezën ku ajo punonte me qytetin ku jetonte. Qytezën ku nuk e priste askush veç orëve të gjata e të mërzitshme të punës me qytetin ku e priste ai, i shoqi.
Atë ditë kishin përvjetorin e parë të martesës së tyre.
Prania e saj në vagonin gjysëm të errët të një treni mallrash nuk e bënte gruan e re dhe të brishtë një flutur dhe as vagonin e vjetër zjarr.
Zjarri ndodhej disa metra më tutje në trajtën e një djaloshi të panjohur që në atë ecje të zvarrë që treni kishte bërë duke kaluar mes qytezës, i kish zgjatur dorën rrëmbimthi gruas së re që priste anash shinave, duke e futur fluturimthi brenda asaj vjetërsire të hekurt. Atë gjë të çuditshme që kish dalluar në sytë e ndritshëm të djaloshit në çastin fluturues, ndërsa dora e saj e brishtë i ishte dorëzuar aq dëshirëplotë dorës së fuqishme të tij, ia kishin përforcuar qartë fjalët e vetme që ai kish pëshpëritur qetësisht brenda gjysëmerrësirës së vagonit: “Si nuk pate frikë që hipe me mua këtu? Ku e di ti që unë nuk të bëj asgjë? Kur të vijnë tunelet…”
“Ti nuk do të guxosh të më bësh asgjë!”, ishte përgjigjur ajo e shokuar nga ajo mikpritje e zymtë që po i premtonin minutat e ardhshme të udhëtimit.
Treni i vjetër gjarpëronte zvarritur shinave që asaj i ishin dukur si gjithmonë të ngjashme me udhët e destinit. Një destin që domosdoshmërisht do të kalonte nëpër tre tunelet që do shfaqeshin pak minuta më vonë. Më tutje shtrihej lugina e zymtë, mes malesh edhe më të zymtë, dhe pas tyre qyteti ku e priste përqafimi dhe krahët e ngrohtë të dashurisë. Pak vjet më parë i kishte pritur me padurim ato tunele…
Ideja se tunelet paskëtaj mund të shndroheshin në një kujtim të dhimbshëm, vrastar dhe aq të padëshirueshëm, papritmas i kishte zhvendosur çdo mendim tjetër. Ka momente në jetë kur destini është aq afër dhe aq konkret, saqë pothuajse mund ta prekësh me dorë. Nuk i kishte shkuar kurrë ndërmënd që ky djalosh i ri, flokëgjatë, nofullgjere dhe lëkurëpistë të cilin e kish njohur rastësisht veç një jave më parë, ky djalosh të cilit nuk i dinte as emrin, të bëhej kaq papritur strumbullari i shumë mendimeve dhe ndjesive që kishin tashmë më shumë lidhje me pasigurinë, se sa me kuriozitetin.
“Si nuk pate frikë që hipe me mua këtu? Ku e di ti që unë nuk të bëj asgjë? Kur të vijnë tunelet…”
Tunelet donin edhe pak minuta të shfaqeshin. Dy të parët ishin të shkurtër. E ç’mund t’i bënte ai në ato pak çaste që treni do hynte nëpër to? I treti ishte i gjatë, tepër i gjatë, dhe mëse i favorshëm që djaloshi të mbante premtimin e tij torturues.
Në trurin e saj paniku i fillimit ia la vëndin një qetësie në dukje kapitulluese. Duhet të mbronte veten nga krahët e tij të fuqishëm. Kish ngulur sytë në trupin e djaloshit dhe për herë të parë kishte dalluar tiparet e tij, fytyrën ku spikasnin nofullat e gjëra mashkullore dhe trupin e lidhur. Jo. Ajo nuk mund të bënte asgjë për të përballuar mashkullin që, i mbështetur pas dritares së vetme të vagonit, vazhdonte të thithte cigaret që i ndizte njërën në bishtin e tjetrës. Paradoksalisht mospërfillja e tij ndaj pranisë së saj atje në atë qosh të vagonit e bënte në sytë e gruas të re edhe më të sigurtë për atë që pritej të ndodhte…
“O zot, sa mendjelehtë ishte treguar! Mund të kishte pritur në stacion… ndonjë makinë e rastit do të kalonte patjetër… Fundja i dashuri i saj atje larg mund të kish pritur… siç e kish pritur sa e sa herë… O Zot… ç’kish qenë tërë ajo ngutje e pamenduar vallë? Destini?”
Ideja se nga çasti në çast mund të gjendej e përdhunuar e kishte mpirë të tërën. Mpirja i kishte hequr fillimisht brishtësinë e natyrshme të qënjes së saj, pastaj ankthin dhe në fund frikën. Nuk ndjente frikë. Veç mllef. Më shumë për vetveten, sesa për djaloshin ezmer.
“O Zot, mbromë dhe më jep forcë …” Këtu i ndërpritej lutja. Forcë për çfarë? Për të përballuar atë trup të fuqishëm që, edhe pse i kthyer me kurriz nga ajo, përsëri dukej tepër kërcënues?
“O Zot… mbromë… mbromë dhe bëj që ai të ndryshojë mendjen e tij të keqe…”
Nuk pati kohë të çonte deri në fund lutjen e saj. Tërë rrapëllimë treni hyri në gojën e tunelit e cila ishte shfaqur aq papritur pas një kthese. Në errësirën e plotë kishte dalluar një dritëz cigareje të fluturonte jashtë dhe e mbledhur në qoshen e saj ishte përpjekur të merrte me mend atë që mesa duket kishte filluar të ndodhte. Djaloshi tani duhet të ishte fare pranë saj dhe në të qindën e sekondës ajo do ndjente duart e tij mbi trupin e saj.
Por befas, si një feksje, gjithashtu rrapëlluese, u shfaq drita në fund të tunelit dhe një çast më vonë treni përsëri gjarpëronte mes luginës së humbur. Djaloshi ishte akoma i palëvizur aty, i mbeshtetur pas dritares së vetme dhe po ndizte një cigare tjetër, si gjithmonë, pa i hedhur as edhe një vështrim presë së tij.
Gruaja e re kishte lëshuar disi atë tendosje të detyrueshme instinktive të trupit që i kishte falur hyrja në tunel. Asgjë nuk kishte ndodhur. Zoti e kishte dëgjuar lutjen e saj.
Deri në tunelin e dytë kishte akoma edhe shumë kilometra. Kështu që ajo do kishte kohe, jo vetëm t’i lutej përsëri Mirëbërësit të saj, por edhe të mendonte më me qetësi situatën e papritur në të cilën e kish futur dëshira për të qenë një orë e më parë në krahët e të shoqit që e priste të shtunave me një tufë me lule në duar kthimin e saj nga qyteza e humbur…
“Zemra ime, nesër kemi një vjetorin e martesës sonë! Do ta festojmë siç e meritojmë: me lule, qirinj, dashuri dhe seks!”. Fytyrën e saj e kishte përshkruar një tis i lehtë ngjyrë rozë dhe zemra i kishte rrahur fort. Kishte harruar ku ndodhej dhe padashur kujtimi i fjalëve të të shoqit i kishte vizatuar një buzëqeshje naive në buzët e thara. Kishte mall, shumë mall, sikur të kishte vite pa e pare. I mungonte butësia e tij, zëri i tij i ngrohtë, sytë e paqtë, me atë vështrim pothuajse fëminor edhe kur ishte i zemëruar. Shumë mall për atë dhomëz që ishte bërë streha e dashurisë së tyre një vit më parë. Ah, sa do donte të ishte në këto çaste aty, ta zbukuronte me lulet që i kish sjellë ai, të vishej me fustanin që i pëlqente atij dhe pastaj, nën dritën e qirinjve të premtuar, të bënin dashuri si kurrë më parë.
Një lëvizje e beftë e djaloshit e kishte përmëndur nga ajo parajsë kujtimesh. I kishte ardhur inat që ai e kishte parë të buzëqeshur. Edhe ai kishte buzëqeshur. Sytë e tij nuk kishin ndriçimin e verbër të fillimit. Kishin një tjetër ndriçim. Më njerëzor. Ftues.
Befas goja e errët e malit u shfaq për të dytën herë dhe për të dytën herë rrapëllima kumboi në tërë qënjen e saj duke e bërë të përjetonte atë që nuk kishte ndodhur më parë e që do ndodhte tani…
Tuneli i dytë ishte fare i vogël. As edhe një puthje nuk mund të jepej tamam në ato sekonda të pakta errësire. Këtë gjë ai e dinte mirë, por mesa dukej e dinte edhe gruaja e re e cila çuditërisht e kaloi e qetë këtë mundësi të dytë të asaj që e kish quajtur destin.
Kishte hedhur vështrimin nga dritarja. Lugina që shtrihej në dy anët e shinave dhe dy kodra që shfaqeshin diku larg në të dy anët e tyre i kishin ngjasuar gruas së re me një trup të shtrirë femre me kofshët e hapura, me gjinj të bëshëm, mes së cilës depërtonte rënkueshëm ai tren i vjetër mallrash. Një grua që, gjithsesi, dukej e nënshtruar dhe në pritje.
Silueta e djaloshit ezmer dukej sikur e ndihmonte në këtë përfytyrim. I dhunshëm, i ashpër, i zhurmshëm e rënkues si treni i hekurt, por jo i vjetër si ai.
Në të vërtetë djaloshi nuk kishte shfaqur asgjë të dhunshme, asgjë të ashpër apo të frikshme vec atyre fjalive tronditëse të atij fillimi që asaj i dukej sikur kishte ndodhur shumë kohë më pare, dikur në një të kaluar të largët e të parrezikshme tashmë…
Për herë të parë e kishte parë djaloshin disa ditë më parë kur kishin udhëtuar në të njëjtin autobus. Kjo kishte ndodhur dy herë dhe në të dy rastet djaloshi kish qenë i qeshur dhe i sjellshëm në ato pak fjalë që kishin shkëmbyer. Madje në mëndjen e saj ajo e kishte quajtur të këndshëm dhe simpatik.
Por tani në tërë këtë orë të pafund udhëtimi ai nuk kishte folur asnjë fjalë të vetme. Do kishte dashur të fliste me të. Të përballej me atë që nuk dinte.
Ideja se ai donte ta përdhunonte i deshifrohej në disa çaste si një dëshirë normale e një mashkulli për ta zotëruar gruan e re trupbrishtë. Pra, ai e dëshironte atë. E dëshironte dhe pikërisht aty mes atij vagoni të pistë. Ajo kurrë nuk i ishte dhënë një të panjohuri. Madje as edhe ndonjë të njohuri. I shoqi kishte qenë i vetmi mashkull i jetës së saj.
Netëve vetmitare, mes epshesh që i kishin tharë buzët dhe ndezur flegrat, kish masturbuar me imazhe burrash të panjohur, zakonisht tipa të fuqishëm dhe muskulozë si ky djaloshi këtu, të cilët e kishin trajtuar ashtu siç nuk ishte trajtuar kurrë nga i shoqi, si një putanë të bindur, të gatshme e të nënshtruar ndaj fuqisë mashkullore që fantazia e saj e materializonte në organe seksualë të mëdhenj e të fortë dhe në gjokse të dirsur leshatorë…
Djaloshi vazhdonte të tymoste me sytë ngulur pikërisht andej nga do të shfaqej goja e fundit e malit. Ajo gojë nga e cila gruaja e re do të dilte në mos e kafshuar, e ndryshuar përjetë.
Çuditërisht, nuk i ishte lutur më Zotit, ndërsa goja e betontë mes malit ishte shfaqur me tërë urinë e saj.
Rrapëllima shurdhuese tashmë nuk e godiste në stomak, por diku poshtë, në fundbarkun e saj. Sytë i kishte ngulur te dritëza e cigares së djaloshit. Ajo akoma vazhdonte të lëvizte sëbashku me dorën e tij, ndërsa treni ishte penetruar tërësisht në atë vaginë malore që kundër tërë strukturave anatomike udhëhiqte drejt trupit, nën gjinjtë - kodra dhe më pas drejt gojës së asaj femre me të cilën i kishte përngjasuar lugina mes malesh…
Dikur ajo lëvizi, bëri ca hapa mes errësirës, ndaloi një çast, por cigarja vazhdonte të flakëzonte në dorën e tjetrit.
U përpoq të bënte zhurmë, një zhurmë dosido sa për t'i tërhequr vëmëndjen djaloshit dhe cigares së tij, por më kot. Rapëllima kishte marrë tonet rënkimtare të malit të përdhunuar keqaz.
Instinktivisht kish pëshpëritur “O Zot… mbromë…. mbromë nga…”. Nuk e dinte tashmë se nga se duhet ta mbronte ai Zot që e kishte mbrojtur dy herë më parë.
E pashpresë gruaja e re ishte mbledhur në qoshen e vagonit duke mallkuar zhurmën e llahtarshme. Kishte filluar ta urrente këtë tunel tashmë, më shumë sesa në fillim, por jo për të njëjtën arësye…
Penetrimi i malit kishte mbaruar. Kish qenë më i dhimbshëm se penetrimi i një virgjëreshe. Treni i kishte mbaruar tre orgazmat e tij të rutinës. Përtej shfaqej qyteti…
Gruaja e re nuk donte ta besonte që ai tunel i fundit kishte mbaruar aq shpejt. Ashtu siç ishte, me kokën e fshehur pas gjunjëve të saj të mbledhur, kishte qëndruar edhe për disa minuta akoma në atë ëndërrmakth të pazakontë.
Papritur treni kishte ndalur.
“Zonjë arritëm…Mirupafshim!”…
Kur kishte ngritur kokën ai nuk ishte më aty. Ishte zhdukur si me magji. Përdhe dukej vetëm një mbeturinë e cigares së tij të sapohedhur. Tymi që akoma dilte prej saj ishte e vetmja gjurmë e tij.
Gruaja e re ishte ngritur e trullosur. Ishte vërsulur mbi atë bisht cigareje dhe e kishte thithur tërë afsh. Pastaj kishte shkuar te dritarja e vetme e vagonit dhe kishte qëndruar ca çaste aty ku kishte qenë mbështetur ai. Kishte flakur jashtë mbeturinën e cigares së tij dhe kishte zbritur e qetë shkallët e hekurta.
Te vëndi i zakonshëm e priste Martini. U përqafuan më fort se zakonisht, lulet ranë përdhe, u puthën plot mall, por atë natë në shtrat nuk kishin bërë dashuri.
Nuk kishte dashur.
©Artan Gjyzel Hasani




