Nënokja - Nga Albana Lifschin
Eh, moj e ëmbëla nënokja ime,
ke lidhur duart e rri menduar
vështrimin hedhur përtej dritares,
e di ç'mendon, e di se ç'bluan
Dëborë e bardhë në grackë të zuri
qëkur erdhe, e më s'tu nda,
ç'dëborë rënka këtu, moj bijë
Po këtu tek ju, qënka hata!
Mbeskat cicërojnë në telefon
Na mori malli o nëna, ku je?
Ti ditët me gishtrinj u numëron
Ja erdhi nëna o shpirt atje.
Ditët e kthimit numëroj edhe unë,
si do më ikësh kaq shpejt kështu?
Kaq pak do rrish o nënë me mua?
Pangopur mbeta nga xhanet e tua
Kokën në prehër ma merr si at'her,
Djal' i nënës, ty të ka nëna trime,
për ty jam e qetë, me ty u çmalla,
Në Tiranë më presin Xhulia, Ana…
Janar, 2001, Bruklin, Nju Jork



