Krijimtari

Pyetja e të voglit - Tregim nga Sami Milloshi

Kur qe ngrënë pjata e parë me peshk, sallata ruse dhe më në fund drekës po i vinte fundi me frutat, i vogli tha:

- Kush është djalë, të ngrejë dorën.

Dorën e ngritën gjyshi, i vogli vetë dhe i ati i tij.

Pastaj i vogli bëri pyetjen tjetër:

- Who is a girl raise your hand...

Dorën e ngriti e ëma dhe gjyshja e tij.

Askush nuk u kujtua ta pyeste të voglin se çfarë i shkrepi në kokë të pyeste  për gjinitë. Por, ishte krejt e dallueshme, se ai e donte ta dinte përkatësine gjinore të secilit prej atyre që qenë ulur rrotull asaj tryeze.

Çfarë dhe përse i duhej ta dinte, një Zot e di, kur ende nuk i kishte mbushur as shtatë pranvera.

- Djali ka penis - tha i vogli, ndërsa vajza ka vaginë...

Të gjithë pohuan ose duke tundur kokën, ose thanë nga një "po" të thatë... Por kaq, asgjë më tepër!

Kur dreka mori fund dhe ata i kishin rrëkëllyer dollitë e fundit, gjyshit iu zgjua një ndjenjë admirimi për kuriozitetin e të voglit. Ai tha me veten e tij se ky vogëlush do të rreket të dijë gjëra që ia vlen t'i dish. Por gjyshi nuk e pati kurajon t'ia thotë të nipit këtë që i shkoi nëpër mend. Gjyshi thjesht u ndje i gëzuar që nipi e ka një ide mbi ndryshimin e fjalëve penis dhe vaginë...

Gjyshi tha me vete se i vogli është në atë moshën e mjegullt kur i duhet t'i fusë në punë fjalët që kushedi se si kanë rënë në veshin e tij.

Por, në fund të fundit, gjyshit i erdhi mirë që i vogli për organin gjenital të tij, përdori një fjalë shkencore, gjë që, ai vetë në fëmininë e tij nuk e dinte si shqiptohej shkencërisht. E ndoshta as të parët e tij nuk e dinin...

Por edhe po ta dinin, gjyshi bënte be me veten e tij që kurrë nuk do t'ia thonin atij, për shkak se nuk donin ta turpëronin kërthiun...

Kur pas drekës po ktheheshin në shtëpi, në radion e makinës po jepeshin lajmet.  Në fillim u thanë lajmet për pandeminë, pastaj ato për karvanët e meksikanëve që po i përvidheshin murit të madh për të hyrë në Amerikë.  Dhe, më në fund, lajmëtari tha se kishte një lajm bombë, por këtë do ta thoshte pas një intervali muzikor.

Kënga qe e ëmbël aq e ëmbël, sa të voglin pothuajse e zuri gjumi në sediljen pas.

Si heshti kënga, lajmëtari tha nga studioja e tij:

- Sot në Las Vegas në konkursin e bukurisë së vajzave kurorën e artë e fitoi Kataluna që është transgjinor. Kjo kurorë mund ta çojë atë në titullin e kampiones së bukurisë në gjithë Amerikën nëse ajo vendos të konkurojë për çmimin e madh...

-Ouuu- u çudit gjyshi me një pasthirrmë bubulluese që desh ia plasi mbulesën tejkqyrëse makinës...

I vogli u zgjua. E ëma iu kërlesh gjyshit:

- Po pse çuditesh kaq shumë. Dhe pse bërtet, e sheh që ia nxorre gjumin djalit...

- Më fal - tha gjyshi- nuk desha ta zgjoj. Po edhe në mos e zëntë prap gjumi ky nuk e dëgjoi lajmin për Katalunën...

- E çfarë pastaj?

- Se pastaj do të na duhej t'i thoshim që një ish-djalë është bërë vajzë dhe ka fituar një konkurs bukurie për vajza...

- Është herët për të t'i mësojë të gjitha këto - tha i ati që ishte në timon...

- Ashtu them edhe unë - tha gjyshi.

- Çfar thua ti gjysh? - pyeti i vogli...

- Hiçgjë, hiçgjë - tha gjyshi, se nuk donte ta ngiste më tej bisedën...

Jashtë binte një shi i imët pranvere. Gjyshi hodhi vështrimin tek kupola e kishës aty ngjitur shtëpisë dhe, edhe ajo i ngjasoi më një pikëpyetje...

Pyetja e të voglit e la pa gjumë atë natë...

Çfarë? Çfarë? Çfarë?

©Sami Milloshi