Krijimtari

Mëhalla e vjetër - Nga Flurans Ilia

Flurans Ilia - Montréal

Përgjumet muri në qerpiç prej balte i Shtëpisë së Vjetër. Ëndërrojnë kolonat mbajtëse të portikëve. Portat kryesore me panxha prej hekuri. Hajati, musëndrat, shkallët, trarët e tavanit, dyshemeja. Mandolina, dhe kitara e vjetër. Parvazi dhe kangjellat. Ura mbi lumë. Sënduku antik e aromëmirë i stërgjyshes. Një botë e tërë prej druri të gdhendur mundimshëm me zdrukth, si zdrukthi i xha Gjelos, si varkat e drunjta të peshkatarëve, lundron te kjo aromë e veçantë e rrjedhës së gjumit.

Në asnjë vend në botë nuk flihet si këtu. Nuk ëndërrohet askund gjetkë, përmes aromës së mollkave dhe pestilkave të thara oshafkë, mbledhur me kujdes në tepsinë poshtë krevatit ku fle unë me kushëririn tim Kelin.

Në dy anët e lumit fle Mëhalla e Vjetër.

Kur njerëzía ende nuk është zgjuar, përvidhemi nga shtrati, hapim me kujdes panxhën e hekurt, përshkojmë pa u ndier kopështin e mollëve, derdhemi përtej gardheve te burimi i lagjes ball Shtëpisë së Kurbetërve ku shpëlajmë sytë.

Uji i ftohtë i Toplecit na shkund nga topitja. Kapërcejmë urën e drunjtë pa folur dhe duke vështruar lumin. Ecim buzë vijës së gjelbërt të algave nën ujë shoqëruar me një aureolë shelgjesh vajtonjës si shtojzavalle dregëzat e të cilave rrjedha i kreh. Zbresim gjer te Uçkat pranë Turizmit të Vjetër ku mëhalla përfundon dhe lumi derdhet në liqen.

Varkat janë të gjitha të lidhura në breg pas hunjve të uçkave. Mbërthejmë rrypat e sandaleve dhe kopsat e këmishave që era e liqenit na i valvit si flamur në trupin e imët.

Është e pamundur të dëgjosh fjalën e njëri-tjetrit. Zhurma e dallgëve është aq e madhe sa çdo fjalë e thënë kërkon një përpjekje të mundimshme, si hapat e tona mbi guralecët e ngjeshur në breg.

Ecim nga lindja me shikim nga Mali i Thatë. Sytë e ngulur aty ku dallgët puthen dhunshëm me bregun. Hedhim hapa të vendosur me shalkat e këmbkave mornica-mornica nga e ftohma e mëngjesit. 

- Ndoshta kemi fat sot? Pyeta papritur.

- Po gjithë ajo erë dje në darkë çoç do na bëjë kismet ndonjë gjë bre lali. U përgjigj Keli.

- Se mos kanë dalë të tjerë para nesh?

- Nuk besoj. Jemi të parët. Hap sytë mirë se mos të shpëton ndonjë gjë. Kemi rrugë të gjatë për të bërë gjer në Tushemisht. Tha Keli.

Ecim pa folur. Përshkojmë qytetin pa gjetur asgjë. Ndalemi një copë udhë, sa për të kapur frymëmarrjen e humbur te ura afër Kampit të Pionerëve. Forca e valëve përplaset me vrull në këmbët e betonuara të urës. Stërkalat shpërndahen në ajër si klithma e tendosur e pulëbardhave që vërtiten mbi kryet tona.

Kur mbërrijmë pranë bar-lulishte 1 Majit, midis zajeve dhe shkurrishteve ku derdhen ujërat e zeza të Kampit të Punëtorëve, syri na kap objektin e parë, një qeskë e vogël shampoje, ku i dihet se ç’ishte ajo qeskë e shkruar me germa cirilike që sillte me vete aromë parfumërash të ardhur nga bota e përtejme e liqenit.

E morëm ndër duar atë pikë lëngu viskoz e i mbajtëm erë duke e shtytur njëri-tjetrin se kush duhej të nuhaste i pari.

Ah, kjo aromë e pashoqe dhe e huaj që vjen nga jashtë shtetit bre lali? A thua e di se si me të vërtet janë aromat e jashtëme të shtetit? Po ja mo, kështu vjen erë jashtë shtetit.

E vendosim qesen me kujdes në xhep dhe vazhdojmë udhën për aq metra sa është e lejuar, gjer te muri me kangjella që ndan vilat e shtëpive të pushimit të Bllokut që ruhet me ushtarë të armatosur të Gardës së Shtetit.

Ndalemi pak hapa larg rojës. Nuk mund të vazhdojmë më tej. Kjo pjesë e bregut është zonë e ndaluar, rezervuar vetëm për udhëheqjen. Pavarësisht nga kjo, kemi marrëdhënie të mira me të gjithë ushtarët të cilët ngaqë nuk u’a var kush përgjatë orëve të shërbimit, vdesin të bëjnë dy pare muhabet me kalamajtë që u aviten kureshtarë për të parë nga afër kallashnikovin e varur në gjoks. Aty është e gjithë kënaqësia. Ndonjëherë qellon ndonjë ushtar i sertë siç qelloi këtë ditë. Ndaj, me thembrat e kthyer nga majat, kokëvarur marrim djathtas dhe futemi nga pas kopshtijeve të Kovaleshencës, nëpër ca fusha të mbjella me një lloj bime që as e kemi idenë se çfarë është në të vërtet. Thonë se prej saj bëhet majaja e birrës, kaq dimë. Prej aty nëpër ca vreshta drejt e sipër rrugës automobilistike që të shpie në Tushemisht.

Në pikën ku blloku i vilave mbaron dhe sërish udha bashkohet me vijën e liqenit, u themi ushtarëve të atjeshëm se po shkojmë në Drilonë për cironka. Ushtarët e vdekur për gjumë nga shërbimi natës me erë, as që ua vënë veshin fjalëve tona. Na përcjellin me një, “Hajde, ik mbushuni andej, mos na çani kokën shumë.” Të lumtur që ia hedhim paq postobllokut lëshohemi të etur drejt bregut.

Këtu është e fshehur parajsa e botës tonë në kërkim të së cilës unë dhe Keli kemi dalë këtë mëngjes. Kjo zonë e braktisur nga prania e njeriut, ky vend i njohur për rrymat se si liqeni i shtyn valët e nëpërmjet tyre të gjitha objektet plastike mbi ujë, sapo ka një natë të stuhishme si ajo e mbrëmshmja, në mëngjesin e ditës tjetër i ke mu këtu te këmbët e tua, mallrat që vijnë nga jashtë pa doganë, pa survejimin e Policisë së Shtetit.

Kutiçka kartoni me lëng portokalleje dhe kallama plastik ende të ngulura në to. Shishe shampoje. Shishe uji. Topa plazhi ngjyra-ngjyra. Topa futbolli. Topa volejbolli. Topa tenisi. Komerdare me delfinë. Të gjitha të çpuara ... Kjo zonë parajsore e fshehur pas zonës së ndaluar të kufirit.

Këtu është njësoj si të dalësh jashtë shtetit. Copat e qeskave me reklamat e shampove të cilat si i mbushim me ujë, shpëlajmë kokën sa e sa herë gjersa u ikën aroma dhe dalim për të tjera thesare të ngjashme si këto. Shishkat me vaj plazhi të cilat na i rrëmbejnë të rriturit dhe i shndërojnë në faqorka me alkool, imagjino s’e ç’bëhet bre lalkë? Qyfyre të mëdha. Topa të çpuar të cilët i ngjisim me pulla zjarri dhe i fryjmë me frymë. I shesim nën dorë për pesë leka. Kanoçe pijesh freskuese të cilat i përdorim për zbukurime në bufetë e shtëpive që të duken njëçik si pe jashtë shteti. Por, triumfi i karrierës tonë këtë mëngjes të motit njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë, është krejt tjetër fitore. Që thua ti byrazer, nuk e di se si ka mundur kjo ngjyrë blu magjike të kapet pas kësaj uçke mbi liqen dhe të kapërcejë ilegalisht kufirin midis dy shteteve tona? Kufiri ruhet me armë. Aty nuk kalon as miza. Por, te ajo uçkë janë kapur pantallonat tona të para të bluxhinsit. Them tonat, sepse përgjatë ditëve të verës gjithë fëmijërinë i kemi ndarë me kushëririn tim Kelin ato bluxhinse. Një ditë unë, një ditë ay. Suksesi ynë në krahasim me djemkat e tjerë të cilët flinin mëngjeseve kur liqeni sillte “thesare” as që krahasohej. Ishim djemtë më të adhuruar nga vajzat në Mëhallën e Vjetër. Jo vetëm nga ato bluxhinse, por edhe ngaqë u jepnim dy gishtë shampo çupkave ndonjëherë për ndonjë puthje në muzg te shelgjet lotonjës buzë lumit.

Si çdo gjë e ka një fund në këtë virane jetë, kulmi i “popullaritetit tonë” - falë atyre pantallonave prej bluxhinsi - mbërriti në pikën e prerjes drastike. Një ditë një kushëri tjetër i yni me tesër partie na i bëri fërtele në trup, si  “Shfaqje e huaj! Plaçkë revizioniste! Mall kontrabandë!” ... Këtë fjalën e fundit hiç nuk e kuptoj për be, edhe Keli më thotë, “Po ç’është kjo fjalë bre lali?”

Qysh nga ajo ditë e vështroj me tjetër sy liqenin. Me sytë e ngulur mesnatës së dritave të qytetit të huaj atje tej ëndërroj krejt i vetëm në fshehtësi të plotë arratinë time përtej murit në qerpiç prej balte ku është varur mandolina dhe kitara e vjetër. Parvazi dhe kangjellat përgjojnë urën mbi lumë. Sënduku i vjetër i stërgjyshes i gdhendur mundimshëm me zdrukth, si zdrukthi i xha Gjelos, mbart brenda aromën e ftonjëve të mbledhur me kujdes përgjatë viteve. Nuk besoj se ka vend tjetër në botë ku gjumi të mbart aromën e ftonjve. Thjesht nuk besoj. Por këtë ndjesi arratie me aromë frutash në sunduk nuk mund ta ndaj me askënd hë për hë, as me kushëririn tim të zemrës, Kelin që fle thellë brinjazi meje. Sy hapur kundroj arratinë time të heshtur me stil bretkosë përmes liqenit që pasqyrohet mbi tavan. Sapo kapërcej matanë, ulem ngadalë këmbëzbathur mbi tjegullat e çatisë. Në të dyja anët e lumit fle Mëhalla e Vjetër.

Montréal, Mars 2021