A thua jam verbuar? - Tregim nga Sami Milloshi
Po të më kërkohej një raport mbi zoomin e fundit, fjalia e parë që do të thosha do të ishte: "Asgjë për t'u mbajtur mend!"
Në të vërtetë, me aq sa numërova unë qenë pothuaj dyqind vetë në zoom.
Sekush shfaqet për motivin e vet, por ajo që na bashkon është një frymë hyjnore për ta mbajtur me të mirë njeri-tjetrin se një ditë, dashtë Zoti i madh, do të kthehemi në një gjendje, siç thuhet, normale. Por, edhe nëse ndokush ende nuk e ka guximin ta quajë normale, sepse bosi kërkon ta quajë normalitet të ri, përsëri ka nga ata që kanë gjetur një term më të pranueshëm: gjendje më e mirë...
Kur Zak, shefi i ushqimit, i gjumit dhe i qejfeve në kampusin tonë e përmendi termin "gjendje e pritshme më e mirë", me sa duket për të na ndezur shpresat e padukshme, mua seç më hipi një dalldi dhe hapa mikrofonin e kompjuterit dhe i kërkova zonjës Ruth që moderonte zoomin të bëj një pyetje.
- Po - tha zonja Ruth - bëje pyetjen, je krejt i lirë.
- Zak - thashë unë - kur ti thua gjendje më e mirë, ke parasysh se do vijnë studentë nga Kina apo edhe nga vendet e tjera aziatike?
- Kjo është jashtë vizionit tim - tha Zak, dhe askush nuk komentoi pyetjen time.
Unë, ndërkaq u ndjeva mirë sepse, tek e fundit bëra një pyetje, si të thuash dëshmova se isha gjallë, sepse shumë të tjerë, vetëm rregullonin baluket ose pinin ndonjë gllënjkë ujë para kamerave në zoom...
U bë një copë herë heshtje, por zonja Ruth tha se ia jepte fjalën zonjushës Meredith, të cilën e prezantoi si shefe të një zyre të re e cila do të merrej me rregullimin e mosmarrëveshjeve që kanë per burim ndryshimet në ngjyrën e lëkurës, në timbrin e zërit, në preferencat seksuale dhe qasjet ndaj gjinive humane...
Unë të them të drejtën nuk e kuptova mirë detyrën e re që kishte marrë zonja Meredith, jo vetëm për faktin se çdo gjë të re e thith ngadalë truri im i lodhur me kotësira shekullore, por edhe sepse tashmë unë kam vetëm hallin që të mos më kapë virusi i mallkuar dhe as që dua t'ia di për gjë tjetër në këtë Botë...
Zonjusha Meredith e hapi fjalën e saj me një falenderim të ndezur për bosin që e krijoi posaçerisht zyrën e saj dhe na tha se ajo kishte dy muaj që i gjurmonte mosmarrëveshjet për të cilat ishte punësuar t'i zgjidhte.
Në një moment bosi ndërhyri dhe e pyeti:
- Meredith - ne e dimë që ti u punësove përmes një procesi virtual online, por ke ardhur ti ndonjëhere këtu ku do ta kesh realisht zyrën?
- Jo - tha zonjusha Meredith - ende nuk e kam bërë atë gjë, por do ta bëj sapo të kthehemi në një gjendje më të mirë, pak a shumë përafër normales, sikurse u shpreh edhe Zak...
Pashë Zakun se si i nënqeshi buza diku në një cep të ekranit të kompjuterit, atë Zak që dukej si një mizë që nënqeshte, kurse në të vërtetë qe një bina burrë që mezi e nxinin për së gjëri dyert e godinave të kampusit...
Pastaj Meredith vijoi të na thoshte se si i kishte ndjekur nja dy mosmarrëveshje për shkak të ngjyrës së lëkurës, por unë ende nuk mora vesh asgjë.
Erdhi një çast që i thashë vetes: o tutkun ç'të duhet ty që e vret mendjen kaq shumë? Ajo po ushtron nga shtëpia e vet online fantazinë për të pajtuar njerëzit që ndonjëherë kanë mosmarrëveshje jashtë shtëpisë së saj, ti habitesh se si mund të bëhet një gjë e tillë...
Kanë ardhur kohë të reja dhe unë shumë gjëra nuk i marr vesh. Unë jam mësuar t'i prek gjërat me dorë, sepse edhe gjyshja më pati thënë një ditë se prekja është shqisa më e vlertë e njeriut. Dhe këtë gjyshja ma kishte thënë kur ajo ishte verbuar.
O Zot, a thua jam verbuar edhe unë, e nuk e di?!
©Sami Milloshi



