Portën të mos e kishte bërë të llamarintë - Nga Faruk Myrtaj
-metaforë-
Nëpunësi i Ligjit ka trokitur te Porta e Jashtme e llamarintë.
Vetë e kishte zgjedhur të llamarintë: edhe maja-gishtash ta prekje, jehonte, i llamarintë bëhej ajri, erë e llamarintë… dhe bëhej vesh dynjaja!
Pikërisht kësaj jehone i ishte gëzuar e lëvduar, në vete dhe në sy të botës: Ej, kini sy, veshë a keni?! Nuk ka si unë! Ku ka si ne…!
Kështu, deri para trokitjes së Ligjit. Tanimë vinte vërdallë...
…Brenda kësaj hapësire i kishte të gjitha. Tërë sa do t’i duheshin, tërë jetën, sado të zgjaste. Tërë sa do t’i duheshin njerëzve nën të njëjtën strehë, sado ta zgjasnin jetët e shtuara prej jetëve të tyre.
Kamja ishte shtuar çikë e nga një çikë, si ujërat: pas burimit të parë qenë shtuar ujërat e një burimi tjetër pastaj të një kroi e përroi, që bëheshin lumenj e, më në fund, bërë det…
Atë vakt, të bërjes det, kishte shkuar ndërmend… po të mundte t’i ndalonte, t’i ngrinte, në mos i thante dot, burimet e përrenjtë e lumenjtë. Mjaft kishte, qè bërë det gjëja e tij.
Ngrirja, i dilte e pamundur. Se kush i pëshpëriti se pa ujërat e pa-pushimtë, edhe deti nuk mbetet dot det; një ditë kthehet liqen, në mos kënetë. Do dilte kot tërë kjo kamje, brenda-porte… S’ke pse shton ujëra të tjera, por ato që bien nga qielli e që ofron Zoti lëri të vijnë në detin tënd…
Hynin e dilnin miq e vizitorë. Ardhjet e tyre, me të vetët, gëzime të pafundme ishin, gjer atë ditë kur vetëtiu hamendja se… nuk më mirë do ishte sikur aty të ftoheshin veç ata që gëzoheshin për bollëkun e kamjes së atyshme. Jo ata që hapnin pyesnin se si e se qysh ishte ngjizur e madhuar…
Tashmë Nëpunësi i Ligjit kishte trokitur, jehona gjëmonte gjithandej, ishte vonë të merrej vesh prej kujt kishte nisur pandehma për kamjen aty brenda. Pikën e rëndësisë s’kishte, tanimë…
Atje jashtë flitej veç për ta...
Në përfolja vinte prej të eturve apo të ligurve, edhe mund, por… të qeshurat e Ca-ve që gjer së fundi u ishin gëzuar kamjes së atyshme, ishte plasje! Krrak, t’ia bënte gjoksi e të bëhej çikë-çikë…
Si elefant, gjendur në një gropë të beftë, vinte përqark i pa-shpresë, dërmuar nga pesha e vet, trishtuar prej feçkës gjymtyrëve që s’i hynin në punë aty ku ishte…
Si ta këmbente kamjen, me qetësinë dikur?
I vinin ndër mend prindërit. Nëna, në fund të ditës, vinte kokën në jastëk dhe humbiste menjëherë në gjumë. Lodhja e magjishme ia mbyllte sytë me dorë. Të nesërmet ngrihej si njeri tjetër: niste sërish, një ditë tjetër. Gjithnjë mungonin gjëra, për to duhej lodhur. Trokitej te fqinji, këmbehej mos-pasja, jepej borxh mungesa. Gëzohej përditë, pafundmë…
Tani i kishte të tëra, me të tepër. Kjo e mbante pa gjumë.
Në se ata të Ligjit binin dakord, ishte gati t’ua nxirrte të tëra, atje jashtë, te porta, gjatë tërë natës. Le t’ua jepnin të tjerëve: atyre që s’kishin, kujtdo, qoftë edhe ziliqarëve, ta thyenin kokën edhe ata së shpejti… por edhe kjo, pak rëndësi kishte…
Asgjë nuk hynte në sy, gjërat kishin humbur vlerën. Edhe inercinë. Vinin përqark, përmbysur si në një rrotë djalli në të cilën s’kujtohej dot më kur kishte ngjitur… Në secilën prej pasqyrave, të pafundme aty, shihte veten dhe të vetët, por s’i besonte reale.
Si të shpëtonte prej të gjithave? Një mijë sikur-e, asnjë se si…
Ndërmendi se, tek e fundit, mbase edhe ai e meritonte një rrugë-dalje, një ikje prej kësaj hapësire, një shteg për të dalë prej këtij kurthi që ia kishte lejuar apo ngritur vetes. Të mund të ikte përmes saj. Kur ata të Ligjit të hynin, të gjenin gjithçka tjetër prej lënde, përveç atij dhe të vetëve…
Ishte vonë. Edhe për këtë dalje ishte vonë…
Së paku portën e jashtme të mos e kishte bërë të llamarintë, këtë nuk ia falte dot vetes.
©Faruk Myrtaj



