Filmi që s’e bëri dot kurrë, por pati privilegj ta shihte diku tjetër - Nga Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj - Toronto
I kthyer nga Parisi, e takoi në kafenenë e vogël pranë bllokut të pallateve ku ajo kishte jetuar më parë. E dinte, regjisorja kishte nisur të shkruante kujtimet. Kishte drejtuar për dekada të tëra, industrinë e filmit të shtetit. Dukej, s’e mendonte dot ikjen nga jeta pa e lënë veten në një film për Veten.
Kujtuan udhëtimin e prejkohshëm në Paris, dëborën e shkurtit atje, Muzeun e Luvrit, vizitë e kryer në një kohë kur regjisorja diagnostikohej atje nga mjekë të njohur. Kënaqësi, ta kujtoje të shkuarën me të, gjithnjë me humor, edhe kur ishte e sëmurë.
Njeriu i Ambasadës, pa e refuzuar zëshëm ftesën e Dy Marive të Kulturës Frënge, u kujtoi se s’ishte e thënë të shkonin në çdo shfaqje filmi që u ofrohej. Mund tu thoshin se ishin të lodhur nga udhëtimi.
Ajo ishte regjisorja me njohjet më të forta në qarqet e sipërme të shtetit, por bëri siç porositën ata të Ambasadës. S’mund të dilnin kundër. S’kishin dalë ndonjëherë…
Mikpritësit kishin ofruar bileta për kinema të ndryshme. Mbrëmjen tjetër, teksa shëtisnin në Champs Élysées, në një nga reklamat pa titullin “Emmanuelle-Gjer në fund të dëshirës”. shoqëruesi mori me mend se do kishte diçka erotike, pra qe rasti t’i gëzonte vizitorët nga Tirana me diçka allaj-soj.
Filmi kishte filluar. Dikush me një llambë i shoqëroi mes radhëve dhe i uli në vendet përkatëse. Salla ishte plot dhe në ekran u shpërfaq një femër e bukur nudo.
Regjisorja dhe Shkrimtari ardhur me të nga Tirana nuk e dinin fare çfarë filmi ishte. Mbase u bënë kuriozë të vërenin sallën që vazhdoi të shikonte në qetësi të plotë, edhe kur në sekuencën në vazhdim, në plan të afërt, u pa vetë seksi i femrës, që tymoste një cigare.
Pa dyshim, diçka e papritur për ata që vinin nga Shqipëria.
Shoqëruesi e mbajti njërin sy nga ata. Të dy, vijuan ta shikonin heshtur, pa shprehur asnjë lloj shqetësimi.
Kur dolën, i treti qëndroi gjysmë hapi anash dhe një hap pas tyre.
Dëgjoi regjisoren që diskutonte pikërisht dhe vetëm për ngjyrën e pelikulës së filmit, për lojën e aktorëve, për dekoret. Por folën edhe për dramën në film, si të dobët, gjë që e bënte filmin thjesht komercial.
Shoqëruesi e dinte ndërkaq se “Emanuela…” kishte muaj që shfaqej, edhe në të njëjtën sallë kinemaje të Champs Élysées, ishte parë nga miliona…
Kohë pas këtyre kujtimeve, teksa pinte kafen me regjisoren, s’kishte si ta dinte se do të ishte tavolina e fundit midis, s’dinte as edhe që diçka tjetër e mundonte ndërkaq shpirtin e saj.
E mori vesh kohë më vonë, nga një mik i përbashkët, ai që i dorëzoi librin me kujtime të Saj, dhuratë e lënë posaçërisht për të.
Përvuajtja e saj kishte nisur në ëndërr. Më shkoqur mund të thuhej se ajo nuk e dinte, ose kishte qenë fare e painteresuar ta merrte vesh, aq më pak ta dëshmonte, se njerëzit për rreth, prej ëndrrave kishin vuajtur.
Ëndrrën e kishte parë muaj pasi kishte humbur bashkëshortin dhe vajzën e vetme. Ëndërr e rrallë, e pazakontë, sigurisht që s’mund t’i ndodhte çdo njeriu.
Ajo kishte parë në ëndërr vetveten duke shkuar në varret e të dashurve të saj.
Çuditërisht, midis emrave të njohur, shumë prej tyre artistë, emër-shkruar në pllakat e mermerta, ajo kishte parë edhe një varr të bukur, që nuk e kishte pikasur gjatë vizitave të mëparshme. I ishte afruar edhe pak dhe, në pllakën e sheshtë sipër varrit kishte dalluar të gdhendur emrin e saj.
Po, kishte lexuar emrin dhe fotografinë e vet, vendosur në ovalen e po atij seksi që kishin parë në Paris, në filmin “Emanuele…” në kinemanë e Champs Élysées, gjatë vizitës për arsye shëndetësore.
Në ëndërr ishte stepur, por në zgjim dhe ditët më pas qe gëzuar. Kishte ardhur në varrezat dhe vuri re se ishte një hapësirë boshe pranë dy të dashurve të saj, burrit dhe vajzës.
Asaj dite vendosi dhe, me miqtë e Familjes, mirënjohës për ndihmat që kishin përftuar prej saj, arriti ta bënte ta mundur ëndrrën: ngriti një varr bosh me mbiemrin e Saj shkruar, si të tyre, mu pranë tyre.
“E çuditshme marrëdhënia e njeriut me vdekjen,” shkruhej në librin e kujtimeve të saj. “Vdekja, në një moshë të caktuar, s’është aq e frikshme, ngaqë s’është aq e largët. Vjen një orë kur njeriu fillon e bashkëjeton me vdekjen, paqësisht…Ftesa për të kaluar Andej të bëhet në një ëndërr të cilën ti e sheh si jetë. Si një film, që ti s’e bëre dot kurrë, por pate privilegj ta shihje diku tjetër…”
Shoqëruesi për në atë kinema të asaj mbrëmjeje e dinte se, në fund të fundit, në Paris ajo kishte ardhur për një vizitë mjekësore, jo si privilegj për filmat që kishte prodhuar si regjisore në vendin e saj.
Hollë-hollë, privilegji kishte gjasa të kishte ardhur prej mos-bërjes të filmave si “Emanuele…deri në fund të dëshirës”, siç mund të vinte edhe si shpërblim për heshtjen në raste ndëshkimesh të artistëve të tjerë, që refuzuan të silleshin si ajo dhe shkrimtari bashkë me të, në atë vizitë në Paris.
Vajtje-mendjet mund të ishin të pafundme por nuk ishte ai njeriu që mund të jepte përgjigje të tilla. Më e shumta shoqëruesit i kujtohej kthjellët se asaj i pëlqeu shumë ai film.
Mbase pikërisht për këtë, në ëndrrën e mëvonshme varri i vet i ishte shfaqur pikërisht në formën ovale, me foton që digjej si qiri në të.
"Ah, sikur ta kishte bërë këtë film si regjisore...", mori frymë thellë shoqëruesi i asaj mbrëmje frënge.
©Faruk Myrtaj



