Krijimtari

Ishulli i një bote tjetër - Tregim nga Flurans Ilia

Kanatat e hapura përcjellin mbi lëkurën e tij flladin e detit. U shtriq fort mbi çarçafin e djersitur. Shtrati ngjan me një varkë mbi ujërat e Egjeut. Drita e hënës së gushtit bie mbi dyshemenë e dhomës duke reflektuar një ngjyrë si në të verdhë veze mbi suvanë e mureve. Bën shumë vapë për të fjetur në këtë dhomë të vogël, të kësaj bujtine të vogël, në zemër të këtij ishulli po aq të vogël.

Nga gjiri i natës vijnë tinguj ritmikë të verës drejt e nga lokalet buzë detit. Zëra të hareshëm që të joshin për së largu.

U ngrit duke lëshuar në dysheme kanotjerën e djersitur. U avit këmbëzbathur drejt e mbi grushtat e ujit të hedhur mbi fytyrë e në sqetull. U fshi dhe veshi këmishën e re që sapo ia kishin prurë ato ditë nga Athina. Ishte ngjyrë e kuqe. Vuri rregull mbi flokët e shpupuritur. Doli në rrugë. Ndezi “papaqin” e vet të cilin e kishte të liçensuar me emrin e Barba Kostas. Nën zhurmën e motorçikletës u vu në lëvizje drejt natës.

Rrugicat e Species janë të ngushta dhe shumica e tyre të shpjenë drejt portit qendror ku vijnë e ikin anijet e ardhura nga Pireu që zbrazin dhe mbushnin ishullin me turistë nga e gjithë bota. Çisternat që furnizojnë me ujë të pishëm Specien. Posta. Furnizimet ushqimore. Arkat me birra. Dhe kontigjentët e akullit.

Në atë udhë drejt portit e kthinave që krijon vija detare gjenden limanë të vegjël ku janë ankoruar jahtet luksozë të të pasurve dhe varkat e vobekëta të peshkatarëve. Aroma e detit është e fortë ndër këto gjinj të mbushur me ujë të ndenjur. Një aromë karakteristike leshterikësh dhe algash përzier me aromën e tavernave në krahun tjetër të rrugës të cilat servirin oktapod dhe sardele të tymosura të zgarës në këtë orë të mbrëmjes. Një aromë që t’i çaplon flegrat e hundës dhe që shuhet aty për aty me aromën karakteristike të një tekeje uzo shpejt e shpejt në këmbë sa për të grasatuar motorin e natës. Sa për t’i dhënë pak flatra papaqit që fluturon me cilindrat e tij të lehtë nga njëri cep i ishullit në tjetrin.

Në anën tjetër të atij gjiri të mbushur me aromën e asaj çka sjell deti e priste ajo. Maria Angular e ulur mbi një stol, e zhytur në gjysmë errësirë, vështron fundosjen e guralecëve të vegjël nën ujërat e natës.

“Mirëmbrëma.” I foli ai në greqisht.

“Mirëmbrëma.” I’a ktheu ajo me aksentin e saj karakteristik.

“U vonova?”

“Jo,” Tha ajo. “Nuk kam shumë që po pres.”

“Shumë vapë,” Tha ai dhe shtoi më tej. “Më kapi papritur një gjumë i thellë pas pune.”

“E mora me mend. Nuk ka problem. Zagushi gushti. Për më tepër natë me hënë.” Tha ajo me një buzëqeshje enigmatike.

“Natë me hënë.” Përsëriti ai më tepër si me veten e vet.

Maria vështron bregun. Në takimin e parë kishte kujtuar se ajo vinte nga Filipinet, apo ishujt Fixhi, ndoshta edhe nga Hawai. Kapakët e syve paksa të mbyllur vetull-plotë e zeshkane. Qerpikë si cepa yjesh vizatuar nga dora e një gjeometri. Lëkura në ngjyrën e qumështit të sapo derdhur në kafenë e mëngjesit. Fjalët në greqisht i belbëzon si balerina në buzë. Të gjitha këto të mbrujtura në një maturi e cila mban aromë shtëpie. Ishte vajzë shtëpiake Maria.

“Jam shqiptar,” I kishte thënë ai. “Jam pa dokumenta dhe lejeqëndrimi në Greqi, punëtor ndërtimi. Po ndërtojmë një fshat turistik në pjesën jugore të ishullit afër Agjia Marinas. Pasditeve pas pune, punoj te limani ku riparohen varkat. Ndihmoj Barba Kostan i cili nuk ka njeri tjetër për ndihmë. Stukoj dhe lyej varkat e peshkatarëve.” Dhe e kishte parë në sy se si do reagonte ajo pas emrit të keq dhe bëmat e bashkëatdhetarëve të tij kishin marrë atë kohë në Greqi.

“Unë vij nga Kili,” Ia ktheu ajo e qetë. “Punoj si shtëpiake, shërbyese, dhe patronët e mi vijnë dhe pushojnë përgjatë gushtit këtu në ishull.”

“Jetoni në Athinë besoj?”

“Po. Edhe ti?”

“Po. Në Athinë jetoj qysh prej pesë viteve.”

Bën nxehtë verën e këtij viti.

“Ti nuk mund ta kuptosh Maria se sa i egër dhe i vështirë është atdheu im,” i tha njëherë papritur si për të justifikuar të qenin «alvanos».

“Edhe i imi,” Ia kishte kthyer ajo e përmbajtur. “Secili mbart me vete plagët e atdheut të vet dhe nuk mendoj se ekziston në botë asnjë atdhe pa plagë”

“Ke të drejtë,” Kishte marrë zemër ai nga përgjigja e saj.

Më tej si për ta ushqyer bisedën, kishte shtuar si idiot ato pak njohuri që njihte nga Kili. Njohuri të përfshira në dy emra të përvetshëm, Pinoçet dhe Neruda. Ajo ia kishte plasur të qeshurit. Një e qeshur që i kishte afruar më pranë njëti-tjetrit dhe ai kishte përfituar me këtë rast t’i prekte pak gishtat.

“E njeh Pablon?” E kishte pyetur ajo duke e parë në sy.

“Pablon, po si jo, kam lexuar «Njëqind sonete dashurie».

“Une vij nga Valparaiso. Pablito kishte një shtëpi aty në Isla Negra, Rajoni i Pestë, e kam në foto. Do të ta tregoj ndonjë ditë. Ke dëgjuar të flitet për Isla Negra? Neruda ka shkruar «Memorial de Isla Negra» në vitin 1964.

“Kujtesë e Ishullit të Zi? Jo nuk e kam lexuar. Por, njoh sonetet e tij të dashurisë.”

Ajo buzëqeshi sërish. Filloi të fliste për vendin e saj. Filloi të përshkruante brigjet shkëmborë të Paqësorit të Jugut. Diktaturën. Poetët e atij vendi. Kështu u njohën. Në ngushticat e rrugicave të ishullit. Në orët e limituara kur ajo dilte të bënte pazaret. Në orët kur shëtiste fëmijët që kishte nën kujdestari. Në orët kur ai e ndiqte me sy dhe këmbë pas një dite raskapitëse në punë duke i dhënë ritëm zdrukthit të përshkrimeve për atdheun e saj, atdheun e tij. Duke iu shmangur frikës se mos policia greke e kapte dhe e riatdhesonte si njeri pa dokumenta në atë ishull.

Buzë mbrëmjes në orën e saj të lirë ajo e priste, këtu, si këtë çast, përtej zërave dhe tingujve të pjesës së zhurmëshme të Species.

I’a kthen fytyrën drejt vetes. Me gishta i prek mjekrën. Me sy të mbyllur e puth midis buzës dhe mjekrës që dridhërohen nga spazma të brendëshme ku, bluja e fustanit të saj shkrihet me këmishën e tij të kuqe.

“Vamos, eja Maria, vemi nga Marina e Vogël ku riparohen anijet, kam çelësat e punishtes me vete, është më qetë atje.” I tha duke e tërhequr për dore, dhe të dy së bashku kalëruan në motorçikletën e tij.

Te Marina e Vogël, varkat që kishte përfunduar së lyeri dhe tharë, mbanin ende aromën e freskët të bojës. Një gjendje e pezullt. Përzierje aromash. Të shtrirë në shpinë përfund barkës blu vështronin hënën e plotë mbi Specie në krahët e njëri-tjetrit.

Ai i hipur mbi të, e të dy të hipur mbi hënë, filluan të vozitnin imagjinatën me një vetëbesim çmendurak të diktuar nga kushedi se çfarë forcë e arratisur kushedi prej ku? Po niseshin me mëndje drejt Isla Negra.

Ishte një vozitje e mundimshme trupash mbi varkën që ulej e ngrihej si gurët e Kilit kur Paqësori tërhiqet. Trupi i saj i zmbrapsur në kurbat e krijuara nga fërkimi dhe përpjekja e të dyve për t’iu avitur kontinenteve. Sa më tepër u afroheshe aq më të largëta bëheshin ato brigje. Një përpjekje e pambërritshme. Sa më tepër i mëshoje po aq fuqishëm tërhiqej imazhi, gjersa ... U krodh i tëri brenda tij. E la në gjendje të lirë trupin në atë rënie midis gjinjve të Isla Negra, me hënën e Species mbi krye. Gjithmonë këto gjendje të tërheqjes i krijojnë ndjesinë dhe kthimin në atë habitatin e vet natyror në të cilin nuk mund të kthehej më pas. Sepse nga atdheu i tij vijnë lajme të trishta.

Si një fantazmë ecën në këmbë rrugës «Harilao Trikupi» në Athinë. Ai kërkon më kotë tashmë, këto ditë dhjetori, në adresën e duhur emrin e poetes së panjohur në ekzil, Maria Agular. Një nga emrat e dyqindmijë refugjatëve të ikur nga Kili. Kërkon më kotë emrin e panjohur të mijëra muertos y desaparecidos chilenos. Nuk do ta kishte besuar as vetë këtë histori nëse Maria, nuk do t’i kishte lënë në vend të lamtumirës një kartolinë bardh e zi ku poeti Pablo Neruda pozon me një guackë gjigande ndër duar, si edhe një fotografi të Ishullit të Zi, pas të cilës lexoi me kureshtje:

“Casa del Poeta Chileno Pablo Neruda en Isla Negra, V Region, Chile”

“Ndoshta do takohemi një ditë atje Maria. I tha asaj fotoje që e futi me kujdes në xhepin e brendshëm të xhaketës. Ku i dihet? Ndoshta për njerëz si unë kurrë nuk ka pasur një atdhe ku poezia të ketë shtëpi. Është si një poezi e brendashkruar, nga njerëz si ti, që kanë kërkuar përherë ishullin e një bote tjetër si atdhe.”

Këto ishin fjalët e fundit që i tha vetes atë natë dhjetori të vitit 1997 përpara se të merrte vendimin të largohej përfundimisht edhe nga ishujt e Greqisë drejt Amerikës. Tokë që i kishte hapur jo vetëm sytë por edhe që e kishte bërë të provonte për të parën herë në jetë shijen emblematike të perëndimit, një shije e çartur nga njëri ishull në tjetrin si endjet e Odiseas, shije e mbyllur tashmë në këto rreshta të shkruara në një tjetër ishull, mu si kjo kanaçe hermetike përpara syve të tij ku shkruhet me germa lozonjare Forever Coca~Cola...

©Flurans Ilia

Montréal, Korrik 2021