Heqja e nudos nga Galeria Kombëtare - Nga Faruk Myrtaj
“E Lume Qofsh...”
Vetëm pak para mbërritjes së autoriteteve, një tufë policësh rrethuan me të shpejt ngrehinën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku sapo ishte hapur një ekspozitë.
Dy prej bluve, që ia behën te hyrja, dukeshin të hutuar. Dukej që atje tej, djelmosha fshati, të sa-veshur policë, mezi mbusheshin me frymë, të mbytur në djersë, teksa nxorën prej andej një nudo.
“Të kishin gjetur një mbulesë, një kanavacë të bardhë, për nudon si meit myslimaneje!”, tha Makasen V.
Makina e policisë, pas saj edhe një ambulancë - ku rehatuan si më ndrojtje imazhin nudo, a thua kishin të bënin me një femër të gjallë, u larguan me drita e sirena të ndezura.
“Herë pas here shteti provon gjininë!” shtoi sërish ai, Makasen V.
Ata që e njihnin, nuk befasoheshin prej fjalëve të tij. Pa pushim gati, të dëgjonin edhe më prej tij.
“Ishte Nudo e Saj, e Ardita Loshit”
Thellësisht i kënaqur, që intimitetin po e rrëfente pikërisht ai. Jetonte, për gjëra të kësisojta.
“Ardita Loshi? Ajo grumbull eshtrash, si nudo arti?!”
“Mbase ka pozuar rinisë e saj…”, sugjeroi dikush tjetër.
“E vërtetë, ka qenë femër.”
E qeshura ngritur si në krahë shpendësh u shua mbyturazi si në ujë.
Makasen V gjeti rast të sillte ndërmend- si shteti- se pikërisht kjo energji femërore e kishte marrë më qafë fisin Loshi.
Në të gjitha kohët, burrat e Loshëve përfunduar burgjeve, nëse jo vrarë, të internuar: zyrtarisht për shkak të femrave të tyre. Edhe pse përfolja ishte prej ngulë-këmbjes në politikë.
&
Trupi i Nudos qe prehur në paqe me ngjyrat, a thua sa për të larguar imazhin e një sarkofagu.
Zbardhnin pjesët sensuale, trazuar në rozë të përhimët. Prej buzëve, gushës, gjinjve, deri atje poshtë barkut, tërë shenjat e femrës përhumbeshin në një lloj mjegulle. Pa dashur të fshiheshin, megjithatë. Bardhësia e trupit krijonte delikatesë rrëzëlluese, edhe kur shkonte e shndërrohej si hije në rrëpirën të-poshtë gjymtyrëve. Vetë këmbët, të pafuqishme për të fshehur nevojën hyjnore të trupit të femrës për tu vënë re, kishin kërkuar ndihmën e një dore.
Të dorës së nudos si gjest, në mund të shërbente shpëtim I një nudoje të rëndomtë.
S’ka bukuri të vërtetë që nuk tenton të fshihet sido si. I ishte fiksuar si dogmë kjo sentencë.
Po, pra, për shkak të femrave të fisit të Loshëve, i mëshoi sërish fjalës Makasen V.
Roshi e kishte lënë pëllëmbën e dorës të pushonte pikërisht atje, në vendin ku syri i vizitorit do shkonte vetiu. Justifikuar si thjesht pasojë e mëkatit të hershëm të njeriut të parë viktimë.
Supet vizatuar për ëndje të pa-përballueshme mashkulli, njeri nga gjinjtë pothuaj i plotë, tjetri- më joshësi, braktisur prej vijës ndarëse si foshnjë e pafaj. Megjithatë dora, si e privilegjuar të shpëtonte nudon, kishte marrë përsipër të fshihte pikën më të brishtë të saj. Për të shfaqur mesazhin.
Shndërruar e tëra në roje të çastit delikat, kur shenja e Zotit rrezikon të kthehej, natyrisht pa-dashje, në shenjë Djalli. Edhe në arrin ta mbaj fshehur vendin e kurthit femëror, dora rrezikonte të shndërrohej në dëshmitare pa gojë. Vet nudoja, e kishte lutur që as dorën të mos e ngarkonte me faj.
Dritëhija e artë që mbështillte nudon, gjarpëronte në gërshetin elegant, ku regëtinin dy thurima, kurora, verore, posaçëm për Ditën e Verës.
E kanë pasur tërë femrat e fisit atë gërshet, e shtoi Makasen V edhe këtë hollësi. Vetë Ardita Loshi, në rininë e saj. Nuk e kishte gjetur fatin, dallëndyshet s’ishin kujtuar të vinin t’ia merrnin në degë të shegës, në asnjë pranverë dhe, mbase prandaj e prisnin te nudoja.
Çuditërisht, afishimi i punës së saj kishte ndodhur, nudoja e saj ishte lejuar. Graviteti i vështrimeve të vizitorëve tokëzohej pikërisht tek ajo copë metal, të gjithë po josheshin ta vështronin nga sa më afër.
Po, më në fund bindeshin se nuk ishte tjetër veçse një dekoratë. Kishte shumë të ngjarë: dekoratë e pa dhënë. Me shenjat e shtetit, por e pa artikuluar, e pa adresuar për kënd…
&
Tanimë që nudon e saj e kishin larguar me ambulancë, shoqëruar me makinë policie, njerëzit po merrnin vesh se ishte vetë Ardita Loshi që kishte hezituar. Ajo e kishte lutur drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, edhe kuratorin e kësaj ekspoje…së paku vetë ajo të mos dukej aty.
Në orën e çeljes, megjithatë, u pa pranë punës së saj. Natyrisht e ndrojtur, megjithëse e sigurt, se vajtje-mendja e të pranishmëve për nudo të saj do ishte zero, zero absolute.
Mundi të qëndronte vetëm për pak, a thua sa për të verifikuar kërshërinë e pa-adresuar të shikuesve, edhe pse ajo si zakonisht e dëlirtë, s’bënte asnjë përpjekje ta fshihte që mendimi i tyre i interesonte shumë. Pa e parë të udhës, e pamundur t’ua thoshte të gjithëve, se e shkuara e femrave asnjëherë s’është thjesht e shkuara vetëm e tyre.
Sapo vuri re dy policët në Galeri, ajo vetë u bëri shenjë të vinin për te ajo.
E sigurt se ishin për të. Për nudon e saj. I erdhi mirë që dy policët iu bindën. Pa fjalë.
Mbase tërë marrëdhënia me nudot, e pa fjalë ndodh. Vizitorët që u ndodhën aty, siç unë - theksoi përunjësisht Makasen V, e dëgjuam tek ajo tha “Hëm, sërish kjo punë… me ne Loshet!”.
Me siguri, dy policët s’e kuptuan pse ishin urdhëruar. Urdhrat ndaj dhe jepen të paqarta, të mund të zbatohen, verbërisht. Vetëm verbërisht ndodhin gjërat perfekt.
E ndjeva, si të mos e vija re, që ajo po këqyrte gjithëçkanë aty rrotull si në ngazëllim hyjnor. Edhe ata dy policët e pa-fajmë, djelmosha të virgjër, që e ngritën me ndrojtje dhe tërë kujdes femëror kornizën e madhe me nudon brenda, sikur besonin se kishin të bënin me trupin e një femre të vërtetë.
Si të ishte betuar të pozonte më tej, jo për artin por për shtetin, fill pas tyre doli nga Galeria edhe Ardita Loshi. Pa i thënë kush, hyri vetë në njërën nga makinat e vogla të pazëshme, pas asaj të policisë. Dikush u gjend aty për t’ia treguar. Dera u mbyll paqësisht pas saj, gjë që nuk e pengoi të kujtohej edhe një herë për fatin e femrave të fisit të vet.
“Nuk ka për tu kthyer kurrë më koha juaj…”, i tha njeriu pranë të cilit u gjend aty brenda.
Nga pasqyra anësore, ajo vuri re se dy policët u ngjitën në ambulancën e ardhur posaçëm, ehe më tej të skuqur në fytyrë, mbase nga ideja se do tu duhej edhe më tej shoqërimin e nudos. Sirenat nuk gjenin përse për t’u qetësuar, megjithatë.
Mes habisë së të pranishmëve, brenda dhe jashtë Galerisë, më vetëtiu ideja e çarçafit të bardhë që mund të hidhej mbi nudon derisa të arrinin tek ambulanca…
Vendi ku kishte qenë afishuar tabloja, mbeti bosh si varr nudoje.
Ashtu siç me Rubens, biografia e përfolur krijoi një brez të tërë grash të bukura, shtoi Makasen V., kur doli nga sheshi para Galerisë Kombëtare dhe u sigurua se askush nuk ishte pranë tij.
©Faruk Myrtaj



