Krijimtari

Letër mikut tim Rob - Tregim nga Sami Milloshi

I dashur Rob,

Desha të bëj një shaka me ty, nga ato që unë i kam të rralla. Desha të të gënjej sikur unë, demek, bujar i madh, do të të falja ty nje bluzë pambuku të bërë në Bangladesh, por të blerë online në Amerikë.

Dikush që na përgjon edhe kur, me nder teje, ne pjerdhim në nevojtore, e kuptoi se unë po bëja shaka me ty, se unë po tallesha me ty, se unë qenkesha kurrnac që nuk i kam falur kurrkujt asgjë, mori një megafon që ta degjojne dy miliardë njerëz dhe shpalli se unë po të gënjeja.

Për atë Zot që është në Qiell, unë nuk desha të të gënjej. Unë thjesht desha të të bëj ty të qeshësh, sepse më kishte marrë malli të të shoh e të dëgjoj atë të qeshurën e dëlirë që ke ti, atë që ty të gulshon prej zemre dhe i jep fytyrës tënde një pah drite të mahnitshme...

Por, nuk qe e thënë.  Dikush tjetër vendos se kur duhet të qeshim me njeri-tjetrin ne të dy.

E di që do shkulesh gazit me këtë letren time, por të lutem shumë i thuaj Ezopit dhe Orwellit se ti e unë jemi në pikë të hallit sepse na inçizojnë edhe, me nder, bubullimën e pordhëve në nevojtore...

Deri në shakanë tjetër, të lutem i dashur mik, bëj kujdes se një i paguar për të nuhatur erën e pordhëve të tua, mund të të shfaqet poshtë bythës të të shijojë atë që ai pëlqen të shijojë...

©Sami Milloshi