Autobus i datës 1 - Tregim nga Faruk Myrtaj
Më datën 1 vjen autobus nga kryeqyteti. E vetmja ditë ndryshe e kësaj qyteze.
Ditëve të tjera njerëzia harrohet pas halleve të veta të vogla dhe llafeve për botën e madhe. Gjithçka e atyshme, klubi ku kthejnë ndonjë gotë, skuadra e futbollit prej vitesh në kategorinë e tretë pa u ngjitur dot kurrë në të dytën, kinemaja ku shfaqen të njëjtët filma me tituj të ndryshuar, por edhe një mijë metrat rrugë të asfaltuara deri në qendër, pra gjithçka në këtë qytetth shoqërohet nga mbiemërori “minatori”.
Në qendër, aty ku arrin “Bulevardi Minatori”, qëndron sfidues “Busti i Minatorit”, përballë “Klubit Minatori” dhe, në murin veçues të së vetmes WC publike, shkruhej “WC Minatori”.
Mbishkrimi i më-në-fundmë ndryshoi në “WC Ministrori”, kur në qytezë u shtuan shumë ish-ministrat, ish-zëvendësministrat, ish-ambasadorët, ish-shefa kuadri, ish-drejtorë, ish-autoritete të shtetit për të cilët thuhej se “kishin urinuar shtrembër”. Në të vërtetë, njëri prej tyre ishte prej kohësh pastrues i WC-ve publike.
Ajo çfarë s’po përtypej kollaj prej vendasve ishte përmendja si “Qytet i Minatorëve dhe Ministrave”. Disa veteranë të luftës së fundit kishin dërguar letër për lart fare: “S’mund të rrimë nën të njëjtin emër me ta. Na largoni ne dhe le të mbetet Qyteti i Ministrave!”
&
Në ditën e parë të muajit, edhe Sherafi i gjatë me supet e rëna, veshur me sqimë e buzagaz, me një pako në duar, duket në qendër, te sheshi. Aty ku ndalon autobusi. Asnjë herë tjetër nuk e sheh aty atë njeri.
S’është aq e kollajtë ta thuash përkatësinë e tij: Bën pjesë ndër minatorët, Sheraf Veroni, apo ndër ish-ministrorët?
Prej minatorëve, edhe mund ta veçoje, sado që e kishin sjellë aty dekada më herët. Vetëm të moshuarit e mbanin mend sjelljen e tij si i padëshiruar. Sherafi s’kishte zbritur kurrë nëntokë, si tërë burrat e kësaj qyteze, por ishte jo më pak e vështirë të thoshe se u takonte ish-ministrorëve. Edhe Shahit Veshi, që ditë e natë e gjen pas të pa-dëshiruarve, e ka vështirë të bëj dallimin.
Për ta ftilluar këtë dilemë, ia vlen të dalësh në datën 1 te sheshi, në qendër. Ditën kur vjen autobusi i vetëm nga kryeqyteti.
Ashtu si ditën e parë, edhe pas kaq vjetësh Sheraf Veroni del i veshur si dikur, me kostumet e sjella. Buzëqeshjen si të asaj nate, teksa e sollën me makina ushtarake, ndër “haramllinjtë e parë”.
Kohëve të para në këtë qytezë rrallëkush ia hidhte sytë, më pas ia bënin ndonjë lëvizje dore, si “njatjeta” nëpër buzë. U deshën vite t’i flisnin me gojë, por ai e dëshmon në çdo orë se kurrë nuk provoi urrejtjen e vendasve. Pas kaq viteve mund ta shihje si çdo-njërin prej tyre, edhe pse vetëm ai në këtë qytezë kishte për punë pastrimin e “WC Minatori”. Në të vërtet, kjo është afërsia më e madhe e tij me emërtesën “minator”, si gjithçka në këtë qytezë.
Megjithatë, figura e tij ende mbetej mister. Gëlonte vargu i pafundmë i pyetjeve. Përse e kishin sjellë në këtë skaj të vetmuar, ku vjen e kthehet pas një rrugë qorre, e vetme? Si njeri të padëshiruar? I aksidentuar rastësisht, për tu mbiquajtur “viktimë elegante”? Apo kurth i ndokujt për arsye tjetër, jo politike? Versioni i parë, që mund të endej mbi këdo sipas Shahit Veshit, pra përdorimi si “vesh” ndaj të tjerëve, nuk qëndronte. Qoftë edhe vetëm se ai nuk shoqërohej me askënd. E dinë të gjithë se ai rri veç me veten. Atëherë përse u soll këtu, dhe kurrkush nuk u kujtua ta kthente mbrapsht, ta falte ose ta kalonte pas hekurave? Mbase si i penduar ia kanë falur dënimin, se vetëm një i tillë mund ta pranonte me aq përulësi që tri herë në ditë, pas tri vakteve të ngrënit, të vinte deri në qendër për të pastruar WC-të publike.
As Shahit Veshi s’hap gojë. “Për të mos më pyesni! Po të mos ishte dita e parë e muajit, Sheraf Veroni do të ishte veç një pastrues menderesh dhe aq! Por as unë as ju nuk e fillojmë dot numërimin e muajit nga dita e dytë! Mos e kruani me Datën Një! Kaq di, kaq u thotë Shahit Veshi..!”
Çdo datë 1, të çdo muaji, edhe Shahit Veshi është aty, në sheshin e madh. Pas shpinës së Sheraf Veronit. Në mes tërë të tjerëve, që presin autobusin e vetëm të muajit nga kryeqyteti. Pak metra më tej, në fund të shkallëve që zbresin për nga përroi, janë WC-të, vendi i punës së Sheraf Veronit, por këtë ditë ai nuk e kthen kokën andej. As të tjerët nuk ia shkojnë ndërmend.
Është ditë autobusi, data 1. Të gjithë bëhen sehirxhinj. S’ka ngjarje tjetër të veçantë në këtë qytet. Autobusi vjen nga kryeqyteti. Ndokush pret njeriun e vet. O ndonjë mik. Të shumtët presin gazetat. Është data 1, por shoferi sjell shtypin e tërë muajit të shkuar. Lajmet vjetrohen tjetërkund, por jo për banorët e kësaj qyteze.
Sheraf Veroni nuk pret shtypin e përditshëm, as gazetën “Sporti Popullor”. Nuk pret t’i vijë ndonjë mik. Aty besohet se është i vetëm në këtë botë. Thuhet se ka pasur një grua, një të huaj, që s’e ka më. Ka edhe një djalë, me atë grua, por as atë s’e ka. Ka zëra që thonë se e kanë sjellë prej asaj bukurosheje, të tjerë pëshpëritin mbiemrin. Për mbiemrin e familjes së tij, jo të cilësorit “minatori” të atyshëm, por asnjëra nga këto versione s’ka dalë prej gojës së qepur të Sheraf Veronit. As prej gojës së madhe të Shahit Veshit.
Autobusi i Datës 1 sjell edhe postën, por Sheraf Veroni letra nuk pret. Ai e di se nuk i rri për këtë Shahit Veshi pas shpine. “Secili ka punën e tij”, thotë i qeshur, kur ndokush i bën shenjë për praninë e tjetrit. Shahit Veshi duket edhe ai i qetë.
Sidomos të dielave të tjerët vazhdojnë ta marrin më qafë veten, dmth të vrasin mendjen pa ua kërkuar kush. Nëse Sheraf Veroni s’është ministror, ç’kërkon Shahit Veshi pas tij?! Nëse s’është ministror pse e vënë të pastrojë menderet tona?!
Megjithatë diçka ndodh, ditën e parë të muajit aty. Me Sherafin. Autobusi sjell një pako, që i jepet në dorë vetem Sheraf Veronit.
Ai farë ceremoniali, kur një person zbriste nga autobusi dhe drejtohej për nga Sheraf Veroni, që aty del veshur si dikur, kur thuhej se ka shërbyer në kryeqytet, vazhdon të ngjallë kërshëri. Hamendjet vazhdojnë jo vetëm aty, në ''Sheshin Minatori''. Edhe përtej datës 1. Edhe kur zbresin nëntokë, edhe duke shpërthyer minat e duke shtyrë vagonët, për pakon misterioze që vjen te Sherafi, flitet, ajo mbetet çudia.
Ka ndodhur që shoferi i autobusit të jetë këmbyer në vite, por me sa mbahet mend, ka qenë i njëjti, me mustaqe e beretë mbi sy, personi në krahë, në vendin e pasagjerit numër 1 të autobusit të datës 1. Vetëm ky s’do t’ia dijë për asgjë aty. As për kureshtjen e vendasve. Ai vjen e ikën me të njëjtin autobus, gjithnjë në vendin e parë, në krah të shoferit. Askush nuk ia di emrin. As detyrën. Zërin nuk ia dëgjoi kush. Qytetthi s’ka punë me të, s’është për të. S’këmben fjalë me ndokënd. As me Sheraf Veronin. Thonë se as me shoferin e autobusit.
Ndalon autobusi, vijon një hop pritje dhe pikërisht ai, i ndenjëses 1 zbret, i pari. Nën vështrimet e njëjtë të të gjithëve, drejtohet pa fjalë për te Sheraf Veroni, i lë në dorë një pako, merr pakon që ky i fundit ka sjellë me vete, pastaj kthehet mbrapsht, ngjit dy-tri shkallët e autobusit dhe ulet përsëri në vendin e vet. Vetëm pas kësaj nisin e zbresin ata që kanë ardhur me këtë autobus dhe fillojnë e ngjiten ata që do të nisen për kryeqytet.
Me pakon e sa-ardhur në duar, Sheraf Veroni niset për në shtëpi. Pas tij, katër pesë hapa, zhvendoset hija, Shahit Veshi. Sherafi nuk kthen kryet pas, kurrë, por edhe nëse kjo ndodh, rastësisht, dhe ndokush do pyeste përse, Shahit Veshi i ka gati fjalët.
“Ec, plako, vazhdo rrugën tënde! Unë kam punën time…S’je ministror ti!”
“E di, e di...!”, do mund t’i përgjigjej Sheraf Veroni. Natyrisht s’e bën këtë.
“Por as minator s’je, mos e harro edhe këtë!”, do shtonte Shahit Veshi.
Kjo skenë mund të shihej prej të gjithëve, por s’ngatërrohen në këto mesele. Nuk flasin, por do donin të pyesnin: Kush nga kryeqyteti ia dërgon pakot Sheraf Veronit? Çfarë ka brenda në to dhe në pakot që ky kthen mbrapsht? Pse Shahit Veshi…?
Në këtë qytetth askush nuk pyet për gjëra që s’i di. E kanë më për kollaj të flasin për gjëra që i dinë të gjithë. Bie fjala pse gjithçka aty, edhe Kinemaja, edhe Klubi, edhe ekipi e fusha e futbollit shoqërohen nga përcaktuesi “minatori”.
Sheraf Veronin, veç datës 1 të çdo muaji, shkon e kthehet për në bibliotekë, që “Biblioteka Minatori” quhet, edhe ajo. Dihet nga të gjithë, merr libra të vjetër, nga ata të zverdhurit fare, të perandorive dikur, që kishin ardhur e ikur. Ato s’i prekte kush tjetër, libra që duhet të bëje kujdes kur i merrje se të shkërmoqen në dorë. Sherafi duket i lumtur me këto libra. Edhe punonjësja e bibliotekës. E sigurt se ai do t’i kthej librat të qepur e sistemuar.
Tërë kohën tjetër Sheraf Veroni mbyllet në shtëpi.
E çfarë, nëse i sjellin libra të perandorive, shkërmoqur shekuj më parë?! Mund të jenë arkiva shteti, o njeri! E di ti çdo të thotë arkiva? Pronë që s’e prek kush. As pushtuesi nuk luan me to. Shteti s’mund t’ia besoj kujtdo. S’ka si të jetë i rrezikshëm ky njeri, jo...
Nëse s’ka bërë gjë të keqe, ç’e zezë i ka rënë të zbresë tri herë në ditë tek të pëgërat publike?! Mirë, or’ mirë, edhe “WC Minatori” mund të quhen, po...s’u gjetka tjetër për t’i pastruar?! Se, atje pëgërin edhe ministrorë, të pakënaqur të vërtetë, jo vetëm minatorë...
Sherafi u ka shpëtuar kunjave dhe mërive, por jo kureshtjes së tyre. E di mirë se s’mund ta harrojnë me të gjitha. Askush s’do guxonte ta llogariste ndër minatorët. Për më tepër, prania e shtuar e ministrorëve, një lloj bezdie ishte, edhe për të.
Shahit Veshi e di se ish-ministrorët, të ardhur të tërë më pas, e kanë zili vetminë e Sherafit. Me siguri diçka dinë për Sherafin e dikurshëm, ia mbajnë mend edhe kostumet, por nuk njatjetohen me të në rrugë, as në qendër të qytetit kur, pasi dalin nga birraria, zbresin për t’u lehtësuar në WC-në publike, kur Sherafi ndodhet në krye të detyrës.
Dikush prej ministrorëve do mund të tregonte diçka për pakot e datës 1. Sa më shumë vonohej zbulimi i këtij misteri, aq më e thekshme bëhej pritja. Qyteti, edhe pse nuk i binte më qafë, s’mund ta linte mënjanë Sheraf Veronin: duhet të bëhej i qartë për minatorët. Ose të shtyhej mënjanë, për nga ish-ministrorët.
&
Pas aq vjetëve kureshtjeje të etur, u deshën vetëm pak orë të merrej vesh gjithçka. Ndodhi ditën e parë të muajit të shirave.
Për herë të parë s’erdhi autobus nga kryeqyteti, edhe pse turma ishte mbledhur në sheshin qendror.
Sheraf Veroni ishte aty, me pakon në duar, me buzagazin e zakonshëm, edhe pse kësaj dite nuk e kishte pas shpine Shahit Veshin. Fizikisht, tashmë plakushi dukej ca më i shlodhur. Shirat e vjeshtës së tretë e kishin dendur përroin dhe furia e ujërave i kishte larë e shpëlarë WC-të si për qejf.
Sheraf Veroni qëndroi aty, mes të tjerëve. Pritën autobusin, derisa sa nisi të ngrysej. Ai qëndroi edhe pak pasi të tjerët morën rrugën për në banesat e tyre. Të gjithë të trishtuar. U ishte prishur festa e autobusit.
Ngaqë s’ishte dhënë arsye, kishin nisur të dyshonin. Instinktivisht. Diçka mund të kishte ndodhur, në kryeqytet. Ku tjetër. Sheshi u boshatis shpejt asaj mbrëmjeje, dyert e oborreve u mbyllën herët, me shulin e hekurt.
Asgjë nuk ndodhi natën, por e nesërmja i la pa mend. Erdhën tre autobusë. Tre autobusë njeri pas tjetrit. Nga kryeqyteti, të gjithë. Habia u bë edhe më e madhe kur shoferët nxitonin t’i mbushnin autobusët dhe të niseshin. Në asnjërin nga autobusët s’ishte ai tipi me beretë, i vendit të parë, që vinte prej tërë ata vjetësh.
Për herë të parë, u përfol si lajm, përpara se të ndodhte, se në kryeqytet do të rrëzohej qeveria. Udhëtimi për atje u bë falas. Të shumtët e ish-ministrorëve dhe ca prej minatorëve nxituan për të hyrë në ta. Shoferët u binin pa pushim borive.
Ej, ka tjetër rob për të ardhur?! Do pendoheni!
A thua s’do të kishte autobus në datat 1?
Me asnjërin prej autobusëve të shumtë s’kishte ardhur pako. Sheraf Veroni ishte i fundit që u bind për këtë. Pyeti të gjithë shoferët, që s’e kuptuan cfarë përgjigje priste.
Me fytyrën e zverdhur, mori rrugën për në shtëpi. Ç’do të bënte me pakon që ai tipi i vendit të parë do ta merrte për ta çuar në kryeqytet? Askush nuk i foli në rrugë.
Të nesërmen në mëngjes, doli sërish në shesh. Kishin ardhur katër autobusë të tjerë. Puna në minierë ishte ndërprerë dhe po iknin ministrorët e fundit.
Sikur tërë kjo të mos kishte lidhje me të, Sheraf Veroni zbriti tek “WC Publike” për pastrimin e vaktit të drekës. Pastrimin e mëngjesit e kishte kryer pa u gdhirë mirë, para se të vinin autobusët që po ia zbraznin qytetin.
Në mbrëmje u mor vesh se kishte mbetur vetëm njeri prej ish-ministrorëve. Ai ishte sjellë së voni, vetëm pak javë më parë. Gjatë dy ditëve të fundit ishte parë vetëm i dehur. Por nuk pranoi të ngjitej në autobusët. I bëhej se mund të villte nga çasti në çast.
“Nesër vijmë prapë, i thanë shoferët. Pi, pi pa merak! S’je më armik!”
“Merreni edhe këtë, të biem rehat edhe ne!” ia priti dikush, në shesh. Mbase nga ata të letrave për në qeveri. “Më në fund, shyqyr Zotit, do bëhemi prapë qytet minatorësh!”
Vonë fare, kur Sheraf Veroni zbriti shkallët për pastrimin e fundit të asaj dite të ngarkuar, gjeti atje ministrorin e fundit. Bashkë me Shahit Veshin. Duke u lehtësuar nga birrat, seç thoshin me të lartë, puthnin njeri tjetrin dhe qeshnin.
Sheraf Veroni priti, me shpresën të mbaronin punë. Madje mendoi t’i ndihmonte të ngjisnin shkallaret për në shesh.
“S’paske ikur Sheraf?! Të më falësh, je i vetmi person që kam përgjuar pa urdhër nga lart!”
Sheraf Veroni po e dëgjonte Shahitin duke vështruar për nga ministrori i fundit në qytet.
“Aman edhe ti, s’ke pse fshihesh këtyre haleve...”, u dëgjua t’i thoshte tjetri.
Sheraf Veroni s’e dha veten. “Lërmë në hallin tim…”, thoshte tuhatja e tij.
“Akoma ka frikë nga ty, Shahit!”
Veshi dëgjonte si të ishte bërë esëll.
“E njeh ti Shahit këtë njeri që u pastron juve halenë?! Ky plehra këtu ka përkthyer librat e të mëdhenjve të kryeqytetit...”
“S’më ka faj njeri mua,” belbëzoi Sheraf Veroni. “Më dhanë këtë punë, që mbeta gjallë...”
©Faruk Myrtaj



