Dhe drurët dashurojnë - Tregim nga Kristaq Turtulli
Në mes të oborrit shtruar me pllaka, qershia lartohej gjithë hijeshi dhe bukuri, deri mbi çatinë e katit të dytë dhe rreth degëve të saj përdridhej hardhia.
-E sheh sa është ritur, - më tha vëllai dhe përkëdheli me dashuri trungun e trashë dhe të lëmuar të qershisë.
-E shoh, - i thashë.
-Të kujtohet, bashkë e mbollëm atëhere, - më tha.
-Më kujtohet.
Vëllai ngriti kokën lart dhe kundoi një copë herë me ëndje gati të përdëlluar degët e gjata të qershisë dhe foli në mënyrë enigmatike:
-Sa gjëra nuk dimë ne o vëlla, sa gjëra…
-Hëm, ashtu...
-Eja ngjitemi në katin e dytë se këtu poshtë në katin e pare, siç e di, jeton çupa me dhëndrrin dhe vajzën e saj.
Shkallët përdridheshin rrotull qershisë. Më duhej sikur ngjitesha drej qiellit. Në katin e dytë u hap përpara një verandë e bukur, mbuluar si tendë nga degët e qershisë dhe të hardhisë. Në anën e djathtë ishin vendosur tre a katër bute të mëdhenj plastikë, të mbushur me bërsi rrushi.
Vëllai i ka kaluar të shtatëdhjetat, por përsëri s’i rrinë duart rehat. I vjen ndoresh për gjithçka. Ble rrush në pazar dhe me rrushin që i bën hardhia, nxjerr verë. Me bërsitë që i ngelen nxjerr raki.
-Rakinë dhe verën i bën të mira.
-Si për vete, pa hile o vëlla, - më tha dhe qeshi. Më pas shtoi: - Por më të shumtën s’kam ç’bëj më duhet ta shes. Eh o vëlla s’na del pensioni që na jep qeveria.
-Ke të drejtë, - i thashë. Nuk doja të thosha se në dy tre ditë prisha pensionin skandaloz që mora këtu në mëmëdhe.
Sytë ngulur në degët e larta të qershisë u ula në shtratin që kisha pranë.
-Pa ngrihu pak, ngrihu, - më tha vëllai.
U ngrita duke e parë me habi. Vëllai largoi mbulesën, dyshekun dhe më tregoi shtratin prej hekuri thurur me shufra teli të trasha.
-E mban mend, ky është shtrati që më dhe përpara se të largoheshe, - më tha.
Sigurisht më kujtohej ky shtrat. Ishte ndër të paktat orendi që na mbetën nga luksi i dikurshëm i familjes. Këtë shtrat e kishte sjellë babai nga Triestja e Italisë, në mesin e viteve 30-të. Krevat shumë praktik. Im atë me shaka thoshte: ky është shtrat fushimi më i rehatshmi në botë. Për çdo rast nevoje shtrati zbërthehej, e merrje me vete ngado që shkoje.
U ula në ish-shtratin tim, mbështeta kokën te hekuri dhe mbylla sytë. Shtrati im i dikurshëm sikur më bëri magji. Mu bë sikur u mbështolla me kapotë dhe sakaq më erdhi një si dremitje. Mu kujtua nëna, e vogla, e mira ime, që flinte ngjitur me shtratin tim dhe shtëpia e vjetër e fëmijërisë.
-Në verë këtu fle, - dëgjova që tha vëllai - Qershia shushurin lehtë, ul gjer përdhe degët e saj dhe unë përkundem si në perrallë.
Luajta kryet pa hapur sytë.
-U nanurise si në djep, hë! - dëgjova zërin e qeshur të vëllait - Hajt të pimë nga një gotë.
Pa shumë dëshirë hapa sytë dhe pashë gruan e vëllait që pruri një tas të madh me qerdhi dhe rrush të bardhë. Mbushi dy gota të plota me raki rrushi. Do më pëlqente të vazhdonte dremitja. U ngrita me përtesë.
-Hajt gëzuar! - uroi vëllai dhe shtoi me sy të ngulur te qershia - Qershinë e kam xhan, e dua shumë. Qysh kur ish e njomë, i kam përkëdhelur trungun e lëmuar, rritur si evlat...
-Sigurish, e ke rritur vetë, të freskon, të prodhon qershi të shijshme, belica, të mbush shtëpinë - i thashë dhe qesha.
-Mirë e the, më mbush shtëpinë dhe shpirtin. Por jo vetëm kaq - foli me nxitim vëllai - Kjo qershi më shpëtoi jetën.
-Shpëtoi jetën?!
-Po. Kjo qershi. Po të japësh dashuri dhe pema të do, të dashuron, por ne nuk dimë ta kuptojmë. Që thua o vëlla, para tre vjetësh më doli një gjendër në gjoks. Hë mo, të kujtohet kur të ankohesha?
-Po më kujtohet…
-Ja kështu. Më dhimbte gjoksi sa xhani ma dinte. I thosha vetes, dil o shpirt të dalësh. Shtrirë këtu nën qershi, s’flija, veç rënkoja, ndërsa qershisë i dridheshin degët. U vizitova në disa doktorë këtu dhe në Tiranë. Më bënë rreze, a ku di unë tjetër, por hiç. Dhembjet e forta vazhdonin dhe gjendra rritej. Më në fund ata më thanë që gjendra nuk duhet prekur, është sëmundje e keqe. Qëndroja i pashpresë duke u përpëlitur këtu në shtrat dhe vështroja qershinë. Më dukej sikur degët shushurinin dhe lëviznin. Të ëmën thosha me vete, kaq po më lënë sytë që më duket sikur gjithçka lëviz, kthehet përmbys.
Në ëndërr mu bë sikur isha zhveshur dhe kisha rrokur trungun e qershisë dhe flisja me të. Hapa sytë me vrull dhe vështrova trungun e degët e qershisë. Më ngjau sikur kisha përpara një njeri me gojë, sy dhe veshë. Fërkova sytë me vrull... Një zë i brendshëm më foli: zhvishu, ç’pret. U zhvesha, rroka, pa u vënë veshin dhembjeve, mbështeta gjoksin dhe gjendrën në trungun e lëmuar të qershisë. I fola qershisë si të ishte njeri, gati në jerm:
“O qershi, o xhan, o shpirt. Të mbolla me këto duar, u përkujdesa për ty, të rrita si fëmijë, kemi tridhjetë vjet sëbashku. Pse të mos rrojmë dhe ca sëbashku, pse të kem këto dhembje të flamosura që po më hanë xhanë ditë e natë!”
Trungu i qershisë dridhej si njeri, fletët shushurinin, zhurmonin me furi. Nuk mbaj mend sa qëndrova ashtu. Krahët mu varën si trungje dhe u plasa në shtrat gati pa ndjenja. Por çuditërisht fjeta. Kisha ditë dhe javë pa vënë pikë gjumë në sy. Kur hapa sytë gjoksin e kisha akoma të nxehtë.
Ditë dhe javë këtë punë bëja, zhvishesha, mbështetja gjoksin dhe gjendrën në trungun e lëmuar dhe i flisja qershisë. Ishte një ndërlidhje e gjatë dhe e heshtur. Unë fol, lutju, qershia dridhej si të frynte erë e fortë. Për atë Zot, dhembjet më pakësoheshin dhe gjendra sa vinte dhe çenjtej. Nuk u besoja syve dhe mendjes dhe gati sa më shperthente koka nga habija. Në s’beson ja shikoje, tani gjendra mezi dallohet.
Vëlla dëgjomë mua. Natyra është e çuditshme. Po të duash të dhurosh dashuri, çdo gjë në botë të shëron, të shpëton dhe të dhuron pa kursim shendet dhe dashuri...
©Kristaq Turtulli - Nëntor 2021



