Koncert me urdhër nga lart - Tregim nga Vangjush Saro
“Kemi festë. Do t’ju vijë lideri. Është me rëndësi. Koncerti duhet të ketë ndonjë recitim për demokracinë. Nëse ka këngë për ATË, të vihet në mes të programit... Për lule kini menduar? Ka ndonjë MISS andej?”
Drejtori i Qendrës Kulturore, Adem Lalëzi, mbyll celularin dhe psherëtin. “T’ëmën! Asgjë nuk ndryshoi.” Ai ngrihet të flasë me vartësit e tij. Në pritje për t’u takuar me ata, rri mbështetur te dritarja dhe shikon qytetin, zhytur në një heshtje të frikshme.
Nuk di nga t’ia nisë. Koncert?! Shumë vite më parë, në një gjë të tillë, të porositur brenda ditës, grupi i amatorëve të Pallatit të Kulturës për pak sa nuk kishte humbur nderin e tij. Ai atëherë ishte fëmijë, madje kishte qenë edhe pak protagonist...
***
Në mëngjes, ishte shkundur i gjithë qyteti; me rastin e festave, do të vinte një njeri i rëndësishëm i Udhëheqjes. Lajmërimi qe punë orësh. Krerët e rrethit kërkuan sakaq një koncert. Regjisori dhe dirigjenti u hodhën përpjetë. Nuk bëhet! Bëhet! S’ka mundësi! Ka mundësi!
Mbas përpjekjesh të papërfytyrueshme dhe që nuk mund të përshkruhen me fjalë, ata raportuan se... kishte mundësi. Qe e hënë. Dhe me sa dukej, të gjithë gjendeshin pak zaif atë ditë. Por ai koncert që në fillim shkoi keq. Një djalë që recitonte poemën “Partia ime”, përveçse dukej i pasigurt, nuk donte t’ia dinte fare për Partinë; domethënë për udhëheqjen që rrinte te llozha: I deleguari nga lart. Sekretari i Parë. Sekretari i Dytë. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Një dyshe e ardhur nga një rreth tjetër për përvojë dhe që ishte parë e arsyeshme të thirrej edhe ajo në koncert...
Ç’ishte e vërteta, recituesi e filloi me mjaft dramaticitet: “Partia ime, ne jemi lidhur së toku/ Unë shoh fytyrën e tokës atje...” Nga kuintat, grupi që dirigjonte koncertin, i bënë shenja të ngrinte pak zërin dhe t’i drejtohej sallës. Recituesi ia nisi edhe njëherë nga e para. “Partia ime, ne jemi lidhur së toku…”
Grupi dirigjues ishte i madh: Një instruktor i Komitetit të Partisë, një punonjës nga Komiteti Ekzekutiv që as vetë s’e dinte ç’kërkonte në atë mes, Drejtori i Pallatit të Kulturës, Regjisori, Koreografi...
“Lart, thoshin me shenja grupi i dirigjuesve, drejtoju udhëheqjes. Udhëheqjes!”
Recituesi i shkretë ngriti dorën dhe e drejtoi atje ku rrinin Udhëheqja: nja dhjetë stola më vete, në një si ndarje, së cilës herë-herë i thoshin ‘llozhë’. “Unë shoh fytyrën e tokës atje...” Djali recitonte dhe tregonte me gisht pikën më të lartë të atij vendi, ku qe drunjosur e s’lëvizte as qepallat i deleguari nga qendra. “Po lidhja jonë s’është delikate...” Po e bënte kaq shpesh këtë gjest, saqë u duk sikur po u thoshte atyre: “Nënat! Ku t’i kini...” Anipse fjalët ishin ndryshe: “Partia ime, ti udhën na ndriçon/ ndër shtigjet që ne vetë i kemi hapur...”
-Ule, more, atë dorë! Ule more atë dorë, të ulçin atje... - zu bërtiste dhe bënte shenja Drejtori.
Por recituesi vazhdonte të njëjtën trajektore: “Nënat! Atje ku t’i kini...” Një kohë, sikur edhe u ngatërrua pak. Shikonte sallën. Shikonte kuintat dhe grupin dirigjues. “Por ne më të fortë jemi me Partinë...” Ai po nguronte. “Në shtigjet që ne vetë i kemi hapur…”
-T’u hapshin trutë! - E shante që këtej kuintave Drejtori, i cili mallkonte keq fare.
Recituesi e la për një hop vjershën, bëri nja dy hapa për atje ku qëndronte grupi i dirigjuesve dhe pyeti kuturu:
-E harrova unë... Të hidhem në strofkën tjetër?
-Të hedhshin në gropë! - I gërthiti Drejtori - Kthehu në skenë, o budalla, se na more në qafë.
-Po të hidhem në strofkën tjetër?
-Hidhu, hidhu! - Ia dha viston ai instruktori i Komitetit të Partisë, që dukej natyrë masovike.
Recituesi u kthye dhe palli si edhe herën e parë. “Por besën ne e kemi dhënë/se luftën dhe gëzimin tok i kemi...”
Nuk u muar vesh se si e përfundoi ai poemëzezën dhe se si prezantuesja e koncertit, një gjimnaziste e bukur, lançoi këngën në vijim; një gjë me diell. Mirëpo në vend që të ftonte kompleksin, ajo thirri emrin e këngëtares që e kishte radhën më pas. Kënga e kësaj së shkretës titullohej “Flladi që flladit”. Doli ajo me vrap, me të dëgjuar emrin. Dirigjenti sapo i kishte dhënë orkestrës shenjën për të filluar këngën ‘me diell’ të kompleksit. Kur u shfaq këngëtarja e ‘flladit’, kompleksi ia kishte nisur punës: “Dielli ynë ndrit përherë/ lumturia jonë je...”
Këngëtarja po rrinte atje te mikrofoni si hu.
-Hajde, moj, këtej! - Ia bënte Regjisori.
-Po le të këndojë mo, le të këndojë. - Thoshte ai instruktori masovik.
-Epo, ajo më thirri emrin… - fliste dhe bënte shenja edhe e shkreta vajzë - Të kthehem unë?…
-Të kthefshin përmbys! - E shau Drejtori që ishte bërë xhind fare.
-Jo jo, mos u kthe! - Instruktori ishte me të vërtetë i paparë. Ai po përpiqej të komunikonte edhe me dirigjentin, në mënyrë që ky ta sillte atë të ‘flladit’ në këngën tjetër ashtu, pak me kujdes.
Dirigjenti dha të kuptohej se do ta bënte lojën. Dhe jepte e merrte me duar e me këmbë, sa këngëtares, orkestrës. Askush nuk e mori vesh se si vajza e kapi në ajër sinjalin dhe filloi vërtet të këndonte. Por ndërsa ajo përpiqej të sillte këngën me fllad, kompleksi ia therte lart: “Dielli ynë e verbon/ çdo armik që sot guxon…” Këngëtarja dorën te mikrofoni dhe gati të fillonte këngën e saj. As që i shkonte mendja se duhej të shkrihej me kompleksin.
-Po s’kam këtë, s’kam këtë. - Tha pas një copë herë me fytyrë nga kuintat - Cilën kam unë?
-Cilën të të pëllcasin! - I bërtiti Drejtori që këtej.
Dirigjenti i kërkoi orkestrës pak më shumë gjallëri dhe ndërkaq, sërish u kthye nga këngëtarja, që më së fundi të hynte në temë.
-Këndo refrenin! - E nxiste Regjisori - Refrenin! Bashkohu me të tjerat.
-Po mirë, a jam soliste unë? - Thoshte e shkreta vajzë, sa me shenja me gjysma fjalësh.
-Këndo, moj laraskë, se të shtira me këpucë! - Iu keq Drejtori; këtë herë s’paskej gati ndonjë mallkim.
-Është mo, është, le të këndojë! - Thoshte instruktori pelivan. - Hë se bukur po shkon.
Salla nuk po merrte vesh se ç’po ndodhte. Ca shikonin nga skena, ca të tjerë te kuintat. Një fotograf që po përpiqej të fiksonte çaste nga shfaqja, shtyu pa dashur me këmbë një vazo me lule. Por sikur të mos mjaftonte kjo, zuri edhe ai të grindej me ata që ishin përreth:
-Po s’e pashë ore, s’e pashë.
Erdhi pastruesja të mblidhte dherat e lulet. Po njerëzia i thoshin të qërohej andej se tërhiqte vëmendjen e artistëve. “Unë bëj detyrën. Le ta shikojë Udhëheqja...”, jepte e merrte pastruesja sikur të ishte në radhën e vajgurit. Dikush e tërhoqi nga paraskena. Më në fund, ishte zmbrapsur gjithashtu edhe ajo këngëtarja pa fat. Hyri në skenë gjimnazistja e bukur që prezantonte koncertin; ende e emocionuar nga gafa e fundit, ajo filloi të çngatëronte fletët. Ngrinte kokën të prezantonte dhe... “Dhe tani…” Nuk i dilte numri i duhur, siç dukej. “Hm, dhe tani...”
Regjisori që andej:
-Kënga e fëmijëve. Fëmijët! Fëmijët!
Një masovike e hutuar, e trembur, ngaqë dëgjoi fjalën ‘fëmijët’, kujtoi se duhej të niste në llozhë, te Udhëheqja, buqetat me lule; këto i mbanin dy vajza dhe dy djem që rrinin prej një ore në këmbë. Shpejt, shpejt! Te llozha! Pothuaj i shtyu fëmijët masovikja e lebetitur. “Po ata do këndojnë.” - Tha njëri nga fëmijët. Ishte Adem Lalëzi. “Ecë, ecë! S’do më mësosh ti Demi, mua...”
Opa(!) fëmijët e shkretë edhe zdruq zdruq nëpër shkallët anësore të sallës, që të mos binin në sy. Në ndërkohën që ata udhëtonin qoshes e qoshes drejt Udhëheqjes, në skenë dolën një grup tjetër të vegjëlish, që do të këndonin. Dirigjenti i dha shënjën orkestrës.
“Lumturia pa kufiii…” - ia dhanë sakaq fëmijët, se kështu fillonte kënga e tyre, me një si britmë. Në këto momente, Drejtori kishte nxjerrë fare pak kokën nga perdja për të hetuar lidhur me reagimin e udhëheqjes. Kur pa dhuruesit e luleve në krye të detyrës, sa nuk i ra pika. Nxori dorën dhe po bënte shenja, domethënë: Kthehuni Kthehuni! Dhuruesit e luleve vazhdonin të ecnin rëshkitazi e me kurriz, për të mos rënë në sy. Masovikja e hutuar u printe udhën.
- Hajde, moj, këtu. Nxirri nga dera e mesit! - Vazhdonte edhe Drejtori me të vetën.
Dikush nga salla i tërhoqi vëmendjen masovikes, duke i treguar eprorin që po këputej së bëri gjeste.
“Lumturia pa kufiii!” “Gërthitën prapë fëmijët në skenë. “Sot të lumtur jemi/festë sot ne kemi…”
Masovikja u kthye për një çast nga skena. Mirë që vazhdonin të sokëllinin ata kalamajtë për lumturi e për festë dhe orkestra po e bënte tym këngën…
-Mbrapç! Kthehuni! - Iu foli ajo dhuruesve të luleve. Dhe ashtu siç e kishte marrë porosinë, në të vërtetë asaj i shkoi vetë mendja për këtë, i nxori fëmijët nga dyert e mesit. Atje e priste pikërisht Drejtori.
-Ku shkon moj, të shkoftë thika…
-Ata më thanë.
-Kush ata, moj?
-Regjisori. Ai po thërriste: Fëmijët, fëmijët!
Drejtori tundi kokën gjithë tërbim dhe vrapoi sërish në krye të detyrës. Instruktori i bëri shenjë të qetësohej. Tashmë koncerti ishte në duar të sigurta. Fëmijët e kishin marrë shtruar. “Festa jonë gëzim hare/Sa i bukur je atdhe…”
Pati edhe disa numra të tjerë që shkuan disi më mirë dhe pastaj lulet. Këtë herë, në kohën e duhur. I deleguari nga qendra i mbajti ato një copë herë në duar, ndërsa salla duartrokiste, doemos edhe skena, ku tani grup i dirigjuesve e kishte më të lehtë detyrën. Njeriu i Udhëheqjes përshëndeti rëndë-rëndë dhe e theu qafën sakaq. Të tjerët i shkuan prapa. Salla filloi të boshatisej ca nga ca...
***
-Neve na kërkohet një koncert. - Tha sërish e gjithë mundim Adem Lalëzi. - Vjen dikush. Nuk kemi nga mbajmë... E qullosim dot për nja dy ditë?
Vartësit ulën kokën. Ata edhe më parë i mbanin turinjtë varur.
“Gjithsesi, u ngushëllua Adem Lalëzi, dikur ta kërkonin brenda ditës...”
-Epo, ç’më thoni?
©Vangjush Saro



