Krijimtari

Në paradhomë - Nga Artan Gjyzel Hasani

lërja lotët si kujtim kësaj bote të tharë

derdhi të gjithë në muzeun e saj

mos i merr me vete atje ku do shkosh

parajsa u përket vetëm të qeshurve

në ferr do të të shuajnë zjarret që kërkove

dhe do të mbetesh përvdekësisht i padjegur

gjysëm mëkat…

gjysëm hi…

dhe kjo duhet të jetë shumë e lodhshme për ty

e mban mend?

kur të tjerët shkujdesur vrisnin drenushën

mbroje brenda syve lotin e fundit të saj…

lërja pra lotët kësaj botë të tharë

qaj sa të mundesh mbi tokat e saj djerrë

dhe shko

buzëqeshur si eshka pranë zjarrit

ku më pas do të digjet e plotë

mjaftueshëm…

©artangjyzelhasani 2022