Krijimtari

Poema e përçmimit - Nga Artan Gjyzel Hasani

o ajër i pastinë i mbrëmjes

hidh sytë përreth dhe më trego për idiotët

dhe skizofrenët e jashtë mureve

për budallenjtë e lirë që shëtisin rrugës

për maskarenjtë, injorantët, dallkaukët, matrapazët,

pisanjosët dhe pisat, mashtruesit, delenxhinjtë,

hajdutët, zhvatësit, gënjeshtarët rreth e rrotull,

kafshët me fytyrë njeriu dhe bishat me kostum…

ti e di sa të egër janë,

pa dallim seksi dhe IQ-je...

a nuk u bënë pak si shumë?

shumë u bënë

dhe më shumë janë...

quhen turmë që s’bëhet dot popull...

të gjithë njësoj vrastarë...

të gatshëm të të këpusin fytin

të të hanë shpretkë e mëlçi…gjallë të të djegin…

njerëzit...o Zot… sa të egër janë

sa kohë që për ata ti je ai tjetri...

çka prindërit na dhanë dhe ajo që s’mundën...

morali dhe predikimet harruar janë,

humbur kanë si kënd i lojrave të fëmijërisë

ku s’çojmë më veten, por veç kujtimet...

kam njohur njerëz dikur të padëmshëm

që në xhungël të jetës u tjetërsuan

me ligësi, urrejtje dhe vrer u mbushën

keqardhje ndjeva që gjatë jetuan

kam njohur dhe të tjerë që veten vranë

kur e ndjenë se vrasës s’bëheshin dot...

një plumb vetes a një litar...

duhen zhdukur të gjithë, por janë shumë

s’i vras dot

e as veten jo,

ah ti ajër i padurueshëm i mbrëmjes,

lermë …hiqmu sysh edhe ti…

ndryshe nga vdekjet e trishta të Rreshpjes

erdhi ora të më vrasin përsëri...

©Artan Gjyzel Hasani 2013