Si evropiane bredh nëpër Ballkanet - Tregim nga Faruk Myrtaj
“Jeni të çuditshëm... Ju bëni shumë për të huajt. Kam frikë se zhgënjeheni. Jam grua e bredhur unë!”
Ua tha sërish edhe duke udhëtuar për në aeroport. Edhe pse e dinte edhe pluhurin që merrte në këto vise “grua e bredhur”. Vuri buzën në gaz kur ata që e shoqëronin ulën kokat sikur të ishin fajtorë për ç’shqiptoi ajo për veten.
Kur hyri në hollin përcjellës të aeroportit i përshëndeti edhe një herë së largu, si për të fundit herë, e bindur se ata do të prisnin atje jashtë, deri sa avioni i saj të ngrihej e më tej akoma, sa t’u humbte sysh në qiell. Edhe në përcjelljen me avion ata ndiqnin zakonin sikur ta përcillnin më këmbë deri në kufirin me fshatin tjetër.
&
E kthyer në qytetin e saj të madh, kishte zbardhur pjesë prej shënimeve për ta, pati shkruar disa artikuj, mbresa udhëtimi, njerin prej të cilëve edhe e botoi, me shpresën se do të ngjallte kureshtje e vëmendje.
Ç’të keqe sikur t’u kërkohej ndjesë popujve që ishin lënë të grindeshin në luftra pa kuptim? Ata do të silleshin më butë edhe me njeri-tjetrin, nëse europianët s’do privilegjonin ndokënd prej tyre. Ky ishte mesazhi i shkrimeve të saj. U gjend e befasuar kur në gazetat e qesëndisën ligsht. Priste urime prej kolegëve, por edhe prej dikujt që iu zbraz me një mllef që mos o Zot, dhe vendosi të mos e ngrinte receptorin.
Doli në rrugë. Nxitoi, për të qenë vetëm, vendosi të ngjitej diku, në Kullën Rrotulluese të kryeqytetit, të mund të shkëputej edhe nga toka ku shkelnin njerëzit përqark. Porositi kafe. Në cilindrin përqarkës të Kullës ishte stampuar harta politike e kontinentit. Edhe pse në çast turbullimi, syri i rroku trajtën e Gadishullit dhe, në skajin perëndimor të tij, trajtën kufitare të vendit ku... është edhe Ai, tha me veten e saj.
Ai pra, Vedati, shtoi pastaj...
Pa shkak për të kërkuar lidhje midis reaksioneve që vepronin në memorien e turbulluar, iu kujtua se gratë e atjeshme nuk e zinin në gojë emrin e burrave të tyre. Përdornin “Ai”, “e di Ai”, “do t’i them Atij, njëherë”, “Erdhi Ai”...
Ndjeu një ngrohje të trupit si të fëmijëve që rrëfejnë duke fshehur diçka.
Njerëz gjithfarësh, kudo, por atje kishte takuar njerëz... siç kishin qenë njerëzit dikur... Mbase ky është ndryshimi i metropolit nga periferia, shtoi pastaj, ne i gëzohemi qendrës, piacës, qyteteve të mëdha, teksa në periferi njerëzit kanë mbetur të virgjër, të paprishur, të pazhbërë, të dëlirë, edhe pse ca naivë dhe paksa të dhunshëm...
Po, po, paksa të egër, brutalë, nëse këto fjalë përdoren me kuptimin e natyrshëm për njerëz që duke qenë të bindur në të drejtën e tyre, nuk gjejnë dot qetësinë dhe mënyrën për ta siguruar këtë të drejtë...
Nuk ka përse, nuk bën të heshtet për fatin e tyre. Aq më shumë kur ne predikojmë se tashmë ka vetëm një Fat, të përbashkët për të gjithë. Nëse diferencat shfaqen, duhen kuptuar. Pa as më të voglën përpjekje për të kuptuar e arsyetuar qëndrimet e tyre, ne nxitojmë t’u kujtojmë se jemi të fuqishëm dhe se ata duhet të na binden. Nëse ngulim këmbë në tabunë e së shkuarës së historisë, ndodhur e shkruar keq, a jemi të besueshëm tek ta?
Ishte aq e qetë në këtë logjikim sa mëngjezin tjetër i regëtiu shpresa se do ta kuptonin pas botimit të artikujve të tjerë. Për fat, nuk ndodhi kështu. Në krah të shkrimit vijues të ciklit të saj, ishte botuar një reagim ironik ndaj artikullit të saj të parë...
Këtu s’ka kuptim më asgjë, tha e dëshpëruar. Po vdes gjithëçka që s’ka vlerë të shit-blershme. Ai malli tjetër, si nevojë për afërsi, përpjekje për të dhuruar njerëzi, si ende virtyt që predikohet, ka humbur... Ka diçka që nuk shkon në sjelljen tonë. Duke u kujdesur për ata të periferisë, në të vërtetë ne do të kujdeseshim për veten...
&
Iu shfaq fytyra e drojtur e një botuesi të atjeshëm. Teksa ndaheshin në aeroport, ai i kishte pëshpëritur: “Nëse shkruani diçka... na e dërgoni, ta botojmë edhe këtu... Por, ju lutem, mos prisni ndonjë honorar kush e di nga ne... Do t’ju jemi mirënjohës...”
“Do të t’i dërgoj...!”, sa nuk thirri, aty ku po gjerbte kafen. Harta e gadishullit iu bë më e madhe dhe ai vendi i vogël, më perëndimori i gadishullit, po i bëhej intim si fytyrë njeriu. E kishte ruajtur adresën e botuesit. Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi Nënë Tereza... Pallati...
Lum ju që keni mbetur mbrapa, mërmëriti me veten. Tek ju, ende kanë kuptim ca gjëra që tek ne nuk kanë mbetur dot as në kujtesë. Ndonjëherë duket sikur i kemi harruar të gjitha. Familjen, atdheun, të gjitha. Jemi zhveshur, lakuriq fare. Me trup e me shpirt. Nuk fshehim më asgjë. Për asgjë nuk kujdesemi ta mbajmë thjesht tonën, vetëm të vetes. S’kemi më sekrete njeriu. As trupin e as shpirtin, s’e kemi më të vetes. Paratë po! Ato s’na i di kush, s’na i numëron dot e s’na i cënon njeri. Po as ato s’i mbajmë me vete, as në shtëpitë tona. I mbyllim me kode dhe numra sekretë në bankat!
Kurse ju ende krenoheni me ca gjëra që... A keni mungesa?! Plot. Por këtu mungojnë ca gjëra që ju i keni. Po. Nuk bëni mirë t’i humbni, teksa jeni në ndërmendje për këndej... Ne, gjithashtu, nuk bëjmë mirë kur marrim përsipër t’ju ndihmojmë të ikni prej ca gjërave që vetë i kemi humbur...
Ia dërgoi në mbrëmje materialin. E vetmuar siç ishte, (siç jemi të gjithë tashmë, mendoi trishtueshëm), e kthyer në strehën e saj, u përpoq të merrte me mend përgjigjen. Ndjente një si gëzim, duke menduar se botuesi do të nxitonte t’i kthente përgjigje... O Zot, sa mirënjohës janë ndaj të huajve! Deri në verbëri. Vetëm se, kur ndjejnë që ua kemi me hile, atëherë bëhen tjetër. Prej atij çasti, tërë ajo dashuri ndaj nesh, u kthehet në urrejtje. Njerëzit e sinqertë arrijnë të duan deri në urrejtje.
Si në një përgjim të gjatë, prej çastit të përcjelljes në aeroport në pritje të një sinjali prej saj, botuesi i drojtur me zë të ulët i ktheu menjëherë përgjigje. Një ditë më vonë ai i shkroi përsëri. Në tekstin e saj dalloi një pjesë të nënvizuar. Ka ndonjë gjë nuk shkon? Nuk kishte menduar shkak për keq. Duhej të lexonte e-mail-in e botuesit.
“…Nëse shënimet tuaja botohen siç Ju, zonjë, i keni shkruar, turbullohet jeta familiare e Vedatit. Më keq akoma, merr fund, e respektuar... Më thoni si të veprojmë. Mbetem në pritje, me respekt...”
Njerëz të çuditshëm, mendoi sërish ajo. E vuajnë të qenin popull i vogël, sepse nuk kanë qenë i tillë. I kanë bërë të vegjël, ua kanë vënë kufijtë aty ku fillojnë malet... Kjo duket se është njera nga arësyet që kanë mbetur të varfër. Konsideruar si të vegjël, të brishtë, por edhe ngaqë besojnë në disa perëndi dhe në disa zota, gjithnjë të panjohur për ta, u binden të huajve dhe i besojnë si të ardhur nga qielli, si shenjtë të vërtetë. Sidomos kur të huajt janë të shoqëruar me femra.
Kur janë femra?! I gëzojnë gjithë imunitetet e mundshme!
Gjatë qëndrimit atje lëvizte e shoqëruar prej atij djaloshi. Që quhej Vedat. Me mustakë dhe shtatlartë, si pothuaj tërë shoqëruesit e të huajve të shekullit të shkuar në atë vend. Sy-kaltër e vështrim-mprehtë, i prerë, i sjellshëm por i kujdesshëm dhe i rreptë ndaj njerëzve që afroheshin tek ajo, deri në fund i bindur ndaj fjalëve, lëvizjeve, gjesteve dhe heshtjes së saj...
Në shënimet që kishte dërguar, ajo kishte fiksuar gjithçka prej tij.
&
Atë natë u ndjemë të detyruar të bujtnim diku, në një shtëpi të varfër. Ishim lodhur nga rruga dhe as e vumë re çfarë na u shtrua në tryezën e darkës. Vetëm kur u desh të binim për të fjetur kuptuam se ishim miq tek bujarë të varfër. Duhej të flinim të dy në të njëjtën dhomë. Të zotët e shtëpisë nuk e diskutuan fare këtë. Përderisa kishim udhëtuar natën, një burrë dhe një grua, të vetëm, sipas tyre do të ishim nënë e bir, burrë e grua ose vëlla e motër. Mbase nuk menduan kështu fare. Na vunë të flinim bashkë për shkak të mospasjes dhomë tjetër.
Atje brenda pamë se kishim vetëm një shtrat. Më pak akoma. Mbulesat vetëm për fjetje dyshe mund të shërbenin.
E ndjeja që Vedati ndjehej edhe më ngushtë se unë. Po molloisej si një mal nën mjegull. Unë, europiania, për habinë time po isha kureshtare për qëndrimin që ai do të shfaqte. Do të shkonte edhe kjo natë e do gdhiheshim. Ç’mund të pretendohej më shumë në atë shtëpi të varfërish? Secili në anën e tij të shtratit, vendosa unë. Me një qetësi të lavdërueshme prej gruaje të bredhur, siç do të mund të më cilësonin vendasit, pa më përgojuar.
“Shtriu andej Vedat...” i thashë shoqëruesit.
“Bjerë ti, bjer, se unë do ta djeg edhe një duhan” bëzajti ai.
Tërë ai vigan, sikur u rrëgjua, u bë i vogël fare, pastaj më ktheu shpinën, u krrys edhe më, si një i moshuar i vërtetë mu duk, hapi pak dritaren, ndezi cigaren, duke tundur kokën po aq mendueshëm.
Unë i dija të gjitha, deri në hollësitë e jetës së tij. Ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Njerëzit këtu flisnin shumë për fëmijët, për prindërit, për të afërmit e tjerë. Edhe për gratë, më rrallë dhe asnjëherë në sy të tyre. Unë, e huaja, e kisha takuar gruan e Vedatit. Shpirt njeriu, një dlirësi e përkorë, por me fytyrë të munduar. Fëmijët, tre djem të lindur si prej një fryme sipërore dhe jo nga fërkimi e përndezja e trupit të Vedatit me mamin e tyre, shfaqnin hera-herës një si trembje të pashpjegueshme, si për të provuar në sytë e mi, në sy të së huajës-pra, se ishin gati të refuzonin detyrimin për të vuajtur të njëjtën jetë si të njerëzve në varfëri e ashpërsi të pamerituar. Tek i shihje aq të brishtë, aq të butë, kurrë s’të shkonte ndërmend të pranoje se një ditë fare të shpejtë të tre do të madhoheshin, do të hynin në hallet e asaj bote, do të linin mustakë, do të varnin në krahët e brishtë nga një pushkë, tyta e së cilës do të tymoste sa për zakon, njëlloj si edhe purot me duhan të dredhur në buzët e burrave.
Ej, ti!, përmenda veten, sidosi duhet t’i mbyllësh sytë, të duhet ca gjumë. Hoqa vetëm xhupin. Asnjë lëvizje më tej. Do të shtrihesha e veshur. Kujdesi i femrës për veten nuk i mbyll kurrë sytë. Rashë në shtrat dhe u fundosa, pa e kuptuar, në një shtjellë gjumi të thellë. U zgjova dikur, m’u bë sikur dikush po më tundte, më avitej me mendje të keqe. Mezi po mbushesha me frymë.
U ngrita rrëmbimthi, ashtu përgjysëm. Darka dhe shtrati dhe rrobat, të gjitha ishin përgjysëm atë natë. E trembur, hodha sytë andej nga duhej të ishte shoqëruesi im, Vedati. Atje ishte. Vazhdonte të pinte duhan. Tashmë dritarja ishte vetëm paksa e hapur. Me siguri nga meraku mos ftohesha unë. Rrinte ulur, në cep të shtratit të vetëm në atë dhomë ku, gruaja që rrinte shtrirë, isha unë...
“Bjerë e fli. Edhe ti duhet të shlodhesh...” i thashë.
Nuk prita përgjigje. Në të vërtetë nuk prisja që ai të shkonte ndërmend të binte për gjumë, aty, afër meje. Duke më ardhur keq, por edhe në pamundësi për t’i thënë gjë tjetër, u ktheva sërish në brinjë. Gjumi, që më kishte lëshuar për pak çaste, më tërhoqi sërish në kurthin e tij.
Me tymin e duhanit të tij isha mësuar. Qysh në fillim,më kishte thënë: “Gruan dhe duhanin kurrë nuk kam për t’i braktisur, edhe po të dua!” Mbase që unë, europiania, ta merrja vesh mirë. Të vetmen gjë që kisha pasur merak, vështirësinë e komunikimit, ai e kapërceu tmerrësisht shpejt. Dukja e shfaqte njeri të ashpër, por tërësia e tij zbutej e zbutej, sa më shumë çaste që kalonte me mua, sa më shumë rrëfente për fëmijët, gruan dhe njerëzit e tjerë të familjes e fisit. Më në fund merreshim vesh për bukuri, duke përdorur, një çikë këndej e një çikë andej, gjuhën time dhe gjuhën e tij.
Gjumi më doli përsëri. Mbase ishte duke u gdhirë. M’u bë se e ndjeva fytyrën time mu përballë mustakut të tij. Krahët e mi ishin hedhur si lak rreth qafës së tij dhe… mbase u zgjova vetëm për shkak të mjekrës dhe mustakut të ashpër në faqet e mia butake. Mbase më kishte puthur a nëpërgjumësh e kisha përqafuar unë atë? Kush e di, mbase këtë gjë e kishte bërë ai. Vedati më bëhej se ishte përgjumshëm, ose, teksa kishte ndjerë afërsinë me mua, thjesht si një mashkull larg gruas së vet, nuk kishte mundur ta refuzonte ngrohtësinë time prej femre të përgjumur.
U ngrita rrëmbimthi. Tërë këtë që kishte ndodhur, nëse kishte ndodhur, e quajta padyshim një hiç-gjë. Arrita të shquaj mirë se të dy ishim të veshur. Ashtu siç kishim rënë të flinim. Së paku veten time e mbaja mend mirë, vetëm xhupin kisha hequr. Ashtu edhe isha. Asnjë rrobë më pak.
Vedati nuk po bëhej i gjallë. Sikur t’i ishte dorëzuar pa mëdyshje gjumit të madh, vdekjes. Deri edhe në misteret e saj i pafajshëm. I njëjti me atë Vedatin që më shoqëronte e më mbronte si perëndi. S’mund të mos besoja. Pa asnjë mëdyshje, kishim qenë përgjumshëm.
Ky ishte fragmenti i nënvizuar prej botuesit. Ai lutej, duke shkruar me drojtje se mbase ishte më mirë të mos botoheshin këto rreshta. Ajo e dinte: kujtimet e të huajve atje i prisnin me kureshtjen dhe seriozitetin ndaj librave të shenjtë. Kjo kishte të bënte me të qenit të vjetër si komb, por ajo nuk mbetej pa ndjerë edhe pak vjetërsi në babaxhanllëkun e tyre. E merrte me mend se si do të ndjehej Vedati përballë këtyre radhëve të librit të saj.
Përgjigja që duhej të merrte botuesi atje duhej të ishte e qartë, e thjeshtë, pa ekuivoke. Siç kërkohej.
“Hiqeni menjëherë këtë pjesë. Dhe, të më falni për moskujdesjen…”
Si e paskam dërguar këtë pjesë, pyeti veten. S’kishte energji të përballonte habinë e formuluar ndryshe: Si e paskam shkruar...?!
Kurrë nuk kisha menduar keq për atë njeri. Me përjashtim të asaj nate… Pas asaj nate ndryshuan shumë gjëra. Vedati kërkoi leje të mos ishte më shoqëruesi i saj. Ajo mbeti e habitur që nuk i tha dot jo. Pyetja që i përsëritej papushim, që e mundoi gjatë, edhe pse asnjë përgjigje nuk kërkonte, merrte forma nga më të ndryshmet. A ka mundësi një njeri aq i i urtë, i sjellshëm dhe familiar, siç Vedati ishte, të ketë shkuar ndërmend gjëra të tilla? Asnjë shenjë nuk kishte treguar më parë, asnjë dyshim nuk kishte lindur tek ajo se tek ai, si tek kushdo tjetër, fshihej mashkulli tradicional. Për më tepër ishte edhe musliman, shtonte hera-herës.
E nisi e-mailin edhe një herë tjetër. Për të qenë e sigurt. Botuesi njoftoi në çast mbërritjen. Pas një muaji i erdhën kopjet e librit. Dhe një honorar simbolik nga shtëpia botuese.
Ju lutem, pranojeni si gjest, si pjesë të një dëshire të pamundur për t’u plotësuar deri në fund. Në zarf është edhe një letër nga Vedati. Erdhi e solli vetë, pasi lexoi librin. Më pyeti njëqind herë në isha i sigurt se letra e tij s’do të binte në dorë të tjetërkujt!”
U ul ta lexonte avash-avash letrën e tij, Vedatit.
&
"...Lexova tërë ç’shkruaje dhe më erdhi mirë që nuk e zije në gojë gjumin a ëndrrën a s’di çfarë emri t’i vemë asaj nate... Kam filluar të besoj se mbase ka qenë thjesht një lajthitje e imja. Me kujdes të Zotit, nuk ka ndodhur asgjë që kam pandehur tërë këto kohë. Nuk e vë në dyshim veten. As të asaj nate. Isha betuar për mbrojtjen tënde me nderin tim, të familjes dhe të zakonit të mikpritjes së shenjtë....
Megjithatë, më duhet të rrëfehem, para teje, vetes dhe Zotit që është i vetëm për të gjithë. Ky lloj të rrëfyeri kërkon njëherësh betimin për sinqeritet e dëlirësi edhe prej robit apo shenjtit përpara të cilit ne falemi, por unë nuk e vë në dyshim se ju do të kuptoni dhe besoni për ç’po ju shkruaj.
Së pari, në sy të Zotit. Nuk di pse na quajnë muslimanë, teksa ne nuk e dallojmë veten nga të tjerët që s’quhen kështu. Gjithnjë kam besuar dhe besoj se nëse nuk do të ishin gjuhët, tërë njerëzit do të ishin njëlloj. Ashtu sikur besoj se sikur të mos ishin politikanët nuk do të kishte kufij!
Dikur, diku, dikujt mbase iu desh ndarja. Nuk ma heq dot bir nëne idenë se deri atëherë Zoti ka qenë mes nesh. Dikush nuk ndjehej mirë nga prania e tij e pashfaqur, nuk ishte i lirë të bënte mëkatin. Tërë bota ishte një altar me njerëz që luteshin kudo ku ishin, pa u përkulur, pa fjalë, pa kërkuar të dukeshin besimtarë të Zotit. Asokohe të gjithë ishin besimtarë, edhe pa shkuar nëpër kishat dhe xhamiat e sinagogat, që më vonë duhet të jenë krijuar. Duke ndjerë rezervat dhe fshehjen e këtyre pak njerëzve, padurimin e tyre për identifikimin e tij, shtyhem të besoj se Zoti ynë, i Vetëm dhe i të Gjithëve, u detyrua të veçohej. Vendosi të ngjitej diku, bëri shenjë që do të ishte mbi kokat tona dhe jo më kot, ne i hedhim sytë atje lart. Ngaqë nuk merituam ta kemi krijuesin tonë midis nesh, u bëmë ca më shumë të pakujdesshëm, më shumë dyshues, më të vrazhdtë e më diferencues. Pasi nuk mund të merreshim më vesh nëpërmjet pranisë së tij, na është dashur krijimi i shumë gjuhëve. Ngaqë nuk arrin dot njeriu t’i mësojë gjithë gjuhët, ia nis sherreve. Shkak i vetëm është largimi prej Zotit, por ne kurrë nuk e pranojmë shkoqur këtë. Gjejmë pretekste të tjerë për marrëzitë tona. Dikush thotë se bota ka qenë katolike, një tjetër shton se është bekim i parë qenia musliman. Më vonë dëgjojmë se të qenit musliman është mallkim, por nuk duhet marrë me merak kjo punë se kjo u ka ndodhur edhe të krishterëve, madje edhe të pafeve! Ne jemi këta që jemi, ngaqë kështu na ra rasti të bëhemi, këtu ku jemi, mes këtyre fqinjëve ku na hodhi fati, mes tyre do të jemi jetë e mot. Nuk jemi tjetër veç frymë e dhuruar, njerëz gjersa sillemi si të tillë. Veset e virtytet tonat janë por tërë problemi qëndron se sot po i ngatërrojmë veset me virtytet...
Më shumë se gjysma e rinisë së anëve tona ka ardhur në Europë, tek ju. Zakone të reja ka nxënë aty... Ca gjëra i kisha dëgjuar edhe unë. Njeriu merr e jep dhe bëhet ai që është. Jo vetëm nëpërmjet ushqimit. Njeriu ushqehet edhe nëpërmjet syve, veshëve, prej atyre që sheh dhe dëgjon...
Atë natë isha i vdekur për gjumë. Ndenja ca në dritare, duke prirë duhan, pastaj u ula në cep të shtratit. Ku nuk më shkonte e uruara mendje: kisha dëgjuar edhe unë se mosha ime në Europë bëhej tjetër. Sipas tyre andej s’ka femër që s’jepet, s’ka familje dhe nderi nuk ka kuptim si tek ne…
Kohët e fundit këto i kishte dëgjuar edhe ime shoqe. Dikush ia kishte shtënë në vesh dhe ajo më porositi të bëja kujdes në shoqërimin me ty. Dhe ti se si e thoshe atë fjalën “grua e bredhur...”.
M’u fanepsën tërë këto mbrapështira teksa u shtriva në krevat, në cepin tim, u zgjova sa herë dhe fytyra ime ishte fare pranë fytyrës suaj. Të përgjova gjumin, m’u duke si ëngjëll dhe frymën si prej fëmije e kishe. Nuk doja, të betohem për vdekje, t’u jepja të drejtë fjalëve për botën nga vije ti. U ktheva edhe një herë në brinjë, nga ana tjetër, duke e porositur veten të bëj gjumin e qingjit dhe të lepurit bashkë.
Vonë fare m’u bë se ndjeva krahët e tu zgjatur ndaj meje. Edhe vetë kam qenë përgjumshëm dhe si ta merrja vesh unë nëse ti ishe përgjumësh apo jo. Njëlloj edhe ti edhe unë, apo kush e di, pa e kuptuar jemi vënë nën urdhërat e qoftëlargut, përkëdhelur nga ngrohtësia e një shtrati të përbashkët... Zoti jo, por Djalli duhet ta dijë nëse të kisha përqafuar unë ty apo ti mua, po mua m’u bë se po të puthja, a po më puthje, as unë as ti nuk dinim ç’bënim... Them kështu se jam gati t’i dorëzohem zjarrit të mëkatit nëse e kam bërë, dhe besoj tek ty, përderisa të rrëfehem edhe tani që jemi aq larg sa mbase kurrë nuk shihemi më në këtë dynja. Ndryshe pse u zgjove me tërsëllëmë? Ç’tjetër shkaku që brofe e më zgjove edhe mua? Nëse vërtetë kishte ndodhur, ato çaste të ka pëshpëritur perëndia e përbashkët, që u zgjove për të më zgjuar edhe mua. Kush e di deri ku mund të ishte shtyrë ajo punë…
Frika se qoftë edhe përgjumshëm isha joshur në ëndërra të tilla, qe arsyeja që të nesërmen e zbritjes në qytet, vendosa të mos isha më shoqëruesi juaj...
Të më falësh, për këtë. Nuk kam kuvenduar me njeri tjetër për gjëra të tilla. Jam matur disa herë t’ia tregoj gruas, por ti nuk e merr dot me mend sa gjatë do të duhej të vazhdonte shpjegimi për të... Mbase aq kohë sa ne të jemi bërë si ju europianët dhe ju të mos dalloheni nga ne...
Nëse të bie udha këndej, të presim në shtëpi. Vedati."
©Faruk Myrtaj



