Dy këngë, dy Valentinë! - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto
KËNGA E BUZËVE
E di pse i dua
Unë buzkat e tua?
Se flasin nxituar:
-Të dua! Të dua!
I dua kur dridhen
E dot s’më qortojnë,
Veç buzët e mia
Inatçëm kërkojnë.
Kur duken të qeta
E leht’ fishkëllejnë,
Por dridhjen e tyre
Në çip dot s’e fshejnë.
E di pse i dua
Un’ buzkat e tua?
Se dridhen kur thonë:
-Të dua! Të dua!
1959
ALBUMI I TRËNDAFILIT
Këputa trëndafilin,
burbuqen me vesë të prillit
si buzët e tua të kuqe,
Për ty e këputa,
në buzë më puthe,
në buzë të putha.
U vyshk trëndafili në kupë
si buzët e tua të kuqe,
Të putha në buzë unë
me buzët me rrudha
dhe ti me buzët e tua
më vure në gjumë.
Çelin e çelin burbuqet
mëngjeseve të prillit,
Nga flaka e kujtimit skuqet
albumi i trëndafilit.
2009
©Vangjush Ziko



