Krijimtari

Ka ardhur koha… - Nga Artan Gjyzel Hasani

 …ka ardhur e mbase është vonë

të gjithë së bashku të ngremë

Monumentin e Shqiptarit të Panjohur

të atij të voglit, të parëndësishmit

halleshumit kokëulur që s’ka shkak të gëzojë

e as kohë të flasë për patriotizmin

anonimit që ndeshim në cep të udhës

pa e përshëndetur e ia hedhur sytë

që cdo ditë jep shpirtin në atë vend

vuan, poshtërohet, lodhet, vritet

pa menduar kurrë të ikë…

ai monument do të jetë vendi ynë i shenjtë

altari i ikanakëve si unë dhe ti

ku gjatë kthimeve tona të shkurtëra

nga jeta që zgjodhëm nëpër botë

të vëmë një tufë lule të freskëta

homazh për atë që donim të ishim

dhe që kurrë nuk u bëmë dot…

borxhi ynë i pashlyer

ndaj atij njeriu të parëndësishëm që mbeti atje

që ne të kemi akoma mundësinë të themi

“Jam Shqiptar” edhe në një tjetër atdhe...

(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)

©artangjyzelhasani