Krijimtari

Rrumpallesque - Nga Artan Gjyzel Hasani

në Mëmëdhe gjërat janë në harmoni të plotë

me detin e bërë kos dhe me kaosin…

ish-komunistë nevrikë të shqetësuar për hallet e demokratëve

e këta me zell duke zgjidhur telashet e socialistëve të rremë

amerikanë të kalkuluar merren me zullumet e Shqipërisë koloniale,

ndërsa shqiptarë, trima të papunë, me problemet e Ukraines…

modernë emrat këta njerëz të rinj

në vënd të mbiemrave epitete

ëngjëjt arnojnë flatrat

por djalli mbetet i njëjti

edhe kur e quajmë dreq…

sipas tradites komshiu di ku na pikon çatia,

ndërsa ne fusim ujë nën rrogozin e tij

në ruletë ruse vazhdojmë të luajmë jetën

fajtor mbetet gjithnjë tjetri

dhe askush nuk përpiqet të ndreqë veten…

udhëtimi ynë i përjetshëm nga çmenduria

drejt idiotësisë

me shpresën e pavdekshme se dikur pranë nesh

do të ndalojë hapat ndonjë i mençur…

(nga vëllimi poetik “IDIOTICUS”, 2022)

©artangjyzelhasani