Krijimtari

Amerika - Tregim nga Sami Milloshi

Pasi kisha pritur nja dhjetë minuta të mira të vinte kamarierja, më në fund ia behu para syve të mi një vajzë imcake.

- Unë e kam emrin Amerika dhe sot do të shërbej ty. Çfarë do për të pirë?

- Si the, se ndoshta më bënë veshët, vërtet të quajnë Amerika?

- Po zotëri ashtu më quajnë, çfarë do për të pirë?

- Ujë me limon.

Vajza iku. I shquajta gjysmën e flokëve në anën e majtë të ngjyer me bojë vjollcë dhe një çengel të platintë të varur në hundë.

Kaluan edhe nja tre katër minuta gjersa Amerika më solli një gotë ujë. Thashë me vete se pse po vonohej aq shumë, por, gjithsesi nuk është se ndjeva ndonjë boshllëk të madh, dhe larg qoftë, ndonjë fije mërzi.  Jo, jo, pata kohë të vras mendjen se pse e ka vënë çengelin në hundë Amerika dhe pse i ka ngjyer flokët në vjollcë dhe jo në të alltë, çka do të më pëlqente për shijet e mia.

Ndërkaq në tavolinën ngjitur vjen e ulet një çift aziatikësh, me gjasë kinezë.

Unë ende nuk e kisha marrë me mend se pse e kishte vënë Amerika çengelin e platintë në hundë, megjithëse po e vrisja mendjen për nja pesë minuta. Por, çudi se ndërkaq dëgjova kinezen t'ia mburrte Amerikës vrik e vrik, në pak sekonda atë çengel.

O Zot, bëje ëndërr, thashë me vete, çfarë ka ai çengel për të mburrur, përveçse, nuk kam pikë dyshimi, e pengon Amerikën sa herë kërkon të fshijë qyrret...

Amerika ma solli gotën e ujit. Pastaj iku prapë dhe më la kohë të lexoja menunë.

Unë pata kohë të bollshme ta lexoj menunë, sa të thuash, gati e mësova përmendësh, sikur të ishte poezi e Rumiut, megjithëse kisha hyrë në restorant për një darkë të lehtë.

Pas nja pesë gjashtë minutash të tjera, Amerika erdhi   të më merrte porosinë.

- Një sallatë greke dhe një pjatë me brokoli të ziera - thashë unë.

- Okej - tha Amerika dhe u zhduk.

Kaluan nja pesë minuta gjer kur Amerika ma solli sallatën greke, ndërsa për brokolin e zierë më premtoi edhe dy tre minuta.

E mbarova sallatën greke ndërsa më shashtisi lajmi i CNN prej ekranit në murin e restorantit. Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vrarë në një shkollë në Teksas prej një njeriu...

Ndërkaq vjen Amerika me pjatën me brokoli të ziera.

Mua më ngeci buka në fyt dhe as që mund ta shtyja më as edhe një kafshatë.

Ishte mbushur pothuaj një orë qëkurse kisha hyrë në restorant dhe më hipi një zjarrmi, sa gati gati po villja gjithë çfarë kisha ngrënë...

-Amerika, Amerika - thirra unë në kupë të qiellit - më sill faturën, se dua të iki.

- Zotëri a je mirë? Ke nevojë për ndihmë? - tha kinezja në tavolinën ngjitur.

-Jo - i thashë kinezes - nuk kam nevojë për asgjë. Thjesht dua të iki.

Pagova dhe dola jashtë.

Koka më vlonte nga pyetjet. Pse erdha ne këtë restorant? Kush qe ai i çmendur që vrau fëmijët e njomë? Ku ta vjell gjithë çfarë hëngra?

Kur sapo hipja ne makinë, pashë Amerikën në portën e restorantit.

- Zotëri, zotëri - ke harruar celularin.

- Oh, faleminderit - i thashë - Kam filluar të harroj të pyes për gjëra që më çudisin, dhe kjo do të thotë se po plakem...

- Oh, jo jo,zotëri - tha Amerika. - Jane harresa njerëzore, ju ende dukeni i ri...

- Po kush ta ka vënë ty emrin Amerika? A nuk lodhesh ti duke e mbajtur atë emër aq të madh?

- As vetë nuk e di - tha Amerika dhe duke mbyllur portën tundi dorën në shenjë lamtumire.

Unë, gjithsesi, ndonëse nga larg, ia shqova asaj vajze imcake, ndoshta për herë të fundit atë çengelin e platintë në hundë...

©Sami Milloshi