Krijimtari

Kohëhumbur i parakohshëm - Nga Artan Gjyzel Hasani

eja, mos ki frikë, ti koha ime e humbur

për të njohur veten parakohe...

të kam falur ty Maria inatçore 

e quajtur Shën Mëria jo më kot

jam biri yt

jepma dorën tënde prej akulli

mos rri në gjumë, por ngrihu

dhe me shih me sytë e tu mjegullftohtë…

më thuaj çfarë dallon në shpirtin tim

janë anije qe lundrojnë përmbys

ato që të duken si kapele piratësh

të hedhura në ajër nga gëzimi

janë bijat e mirazheve të mia

konkubinat e destineve të fundosur

që nuk ua njoha kurrë atësinë…

të kam falur, koha ime e humbur,

prej teje gjeta veten

një e panjohur më shumë

në këtë botë të njohur deri në neveri

por le të bëjmë paqe dhe në shkëmbim

bëju rërë dhe hyr në shpirtin tim

të të kthej përmbys përsëri….

(nga vëllimi poetik “IDIOTICUS”, 2022)

©artangjyzelhasani