Krijimtari

“Open Balkan” - Nga Kastriot Fetahu

Kohërat më sollën në mendje

plazhin pa çadra me radio “Iliria”,

“Pozdravin”... “Tempo se ne va”.

 

Edhe atëherë sfida e tyre

si Drini i Bardhë me Drinin e Zi

edhe pse lakore me një pikë takimi.

 

Kohërat e stepave të izbave ruse

kishin mbirë në mendjen tonë

si barërat e këqia

që zhduken vetëm me plug.

 

S'e di pse ato dekada

numëronim mbrapsht vitet,

duke zgjedhur kalendarë

të para erës së re.

 

Ilirët dhe Skënderbeu

udhëtonin me krahët e Adriatikut

me busullën gjithmonë në “West”.

Harruam dhe e thyem West-in.

 

Sandro Pertini dhe Tito,

Ruzvelti dhe Stalini,

lëviznin akrepat e të njëjtës kohë,

por me kahje të kundërt.

 

Në udhëkryq, në pyllin buzë lumit,

zgjodhëm trajektoren e gaforres,

kur rruga e historisë sonë

kalonte në maja shqiponjash.

 

Po kapërcejmë për herë të dytë

Murin e Madh kinez;

me syzet tona

vampirët na duken miq të qeshur

e aq të bukur përsëri.

 

Ku po shkojmë?

“Pozdravi”-n, apo “Tempo se ne va”?

 

Një ari i murmë nuk u zgjua në mars.

Hormonet e gjumit flasin gjuhën e tij.

 

©Kastriot Fetahu, Chicago 12.06.2022