Dy poezi për vete - Nga Vangjush Ziko
STRIPTIZËM SHPIRTI
Striptizmi i shpirtit
s'është spektakël.
Zhvishet natyra
dhe vishet prapë
me gjethet që hodhi në baltë.
Zhvishet gjarpri,
lë lëkurën prapa,
vesh lëkurën e re.
Adamin dhe Evën
i zhveshi Zoti,
e mbuluan me gjeth
turpin biblik.
Zhvishet shpirti i Poetit
përpara letrës,
ta veshë Botën lakuriq.
HIRI I FRYMËZIMIT
Fshij syzet.
Nuk e fshij dot ekranin!
Digjen vargjet qirinj
para ikonave të frymëzimit.
Rimat u bien këmbanave
të harmonisë.
Ky hi i ergjendtë,
që s'e fshij dot,
është hiri i temjanit,
që u dogj
në Tempullin e Poezisë.
©Vangjush Ziko



