Ëndrra të rënda - Nga Artan Gjyzel Hasani
kemi qenë pleq dikur, e mban mend?
shtatëmbëdhjetëvjeçarë seriozë
skllevër sovranë të halleve tona,
më gjumë të lehtë dhe ëndrra të rënda
neveritur nga jeta, me duart në xhepa
të heshtur dhe të zhytur në mendime
donim të ndërronim botën…
pastaj u rritëm…sa shpejt na rritën
na thinjën bukur dhe tani jemi fëmijë
në vend të botës, ndërrojmë mbathjet
urinues të pandreqshëm me dhëmbë të vënë
në nevojën e llahtarshme për vëmëndje
egoistë, kapriçiozë dhe të zhurmshëm
sa më shumë afron fundi i udhës
dhe kalendarët nuk kanë më rëndësi….
në lulishtet e varrezave rendim pas fluturave
që ndalojnë saktësisht në vendin që do të kemi
dhe xixëllonjat e qiparisave i lemë për herën tjetër
për të tjerë fëmijë
kur më s’do të jemi…
(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)
© artangjyzelhasani