Non Grata - Nga Artan Gjyzel Hasani
vdekja është një fillim i mbarë…
me lopatë do të hedhin baltë mbi emrin tënd
me daltë do të heqin baltën që hodhën mbi ty
për herë të parë nuk të duhet të bësh asgjë
do e bëjnë të tjerët me shumë zell këtë punë
për mirë a për keq
ndërsa ti i çliruar përfundimisht nga parajsat e rreme
nga farisejtë dhe filistinët
do të jesh duke paraqitur kredencialet në ferr
i akullt
i ftohtë
më i fortë se kurrë në dobësinë tënde
i padëshirueshëm si një e vërtetë e hidhur
që s’ka zjarr që ta djegë…
do të presësh gjatë për këtë ditë
një jetë të tërë ndonjëherë
ndoshta s’të pranojnë as në ferr
e mbi dhè s’do të kesh vend varri
do t’iu ngelesh në dorë të shkretëve
ndaj më parë duhet të vdesësh
që ata të fillojnë nga puna
daltat dhe lopatat bashkë…
(nga “IDIOTICUS”, 2022)
©artangjyzelhasani



