Krijimtari

Gabo që të jesh - Nga Artan Gjyzel Hasani

po ti lejoje veten të gabojë, dreqi ta hajë,

bëjua qejfin puritanëve të matur

lëre hapin tënd të fuqishëm të shkelë e të thyejë

dërrasën e tyre të kalbur…

do të provosh ndjesinë madhështore të rrëzimit

mungesën e peshës që kujtoje se kishe

shijen e stuhisë dhe aromën e erës

përplasjen fatale me humbjen dhe dheun

kumbimin e llahtarshëm të rropullive

dhe ndihu me fat

dikur në ditë më të mira

rrëzoheshin planete e jo njerëz…

e pamundur ecja për njerëz si ty

i rëndë hapi yt për këto udhë të vjetra

por ti duhet të vazhdosh larg që këtu

atje ku të shpie veç fluturimi

ky grumbull dërrasash të kalbura nën këmbët e tua

është hiri i tyre dalëboje

dhe qielli atje lart

feniksi yt i vetëm…

(nga “FATA MORGANA”, 2023)

©artangjyzelhasani