Kam njohur… - Nga Artan Gjyzel Hasani
…njerëz me shpirtin rrëmujë
kantier ndërtimi par exellence
që kullën e Babelit nuk e ngritën dot kurrë…
kam njohur njerëz të mërzitshëm
si qielli blu kur e braktisin retë
ku çdo ditë shfaqen pashmangshmërisht të njëjtë
hëna, yjet dhe dielli
kjo trini e shenjtë poetike
për besimtarë që lëkunden lehtë…
kam njohur njerëz që me nderin talleshin
dhe veset e tyre çuditërisht iu jepnin nur
sa herë që i buzëqeshnin djallit
dema dhe demonë lëshonin
për toreadorë guximtarë të fatit...
kam njohur dhe njerëz me jetë shumë të qetë
aq të qetë sa dukej se nuk jetonin…
kam njohur dhe veten
jo të shndritshmen
por të vërtetën…
secili në udhë të vet e unë në timen
u humbëm sa herë u gjetëm
u plakëm duke fajësuar udhëkryqet që na takuan
dhe harruam kryqet që nuk i mbajtëm mbi shpinë
por në gjoks për të zbukuruar shëmtinë
aq sa mundëm…
(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)
© artangjyzelhasani



