Mesazhi gri i kësaj dite - Nga Vangjush Ziko
Qielli pahiti qytetin cep më cep.
Ndez cigaren.
Shkrepsja u shua mbi dëborë
si një buzëqeshje e drojtur.
Tymi shkroi në ajër
mesazhin gri të kësaj dite.
Gishtat eshtakë të drurëve
më numëruan ditët dhe javët
që kur i braktisën zogjtë
(siç numërojnë shtëpitë bosh
të ikurit).
Dritaret e pallateve
me vezullimet e akullta
më kumtuan hallet
dhe ëndrrën e lumturisë të harruar.
Vizatova mbi xham një diell,
një karvan me pata të egra që kthehen...
Nuk e di sa më besuan.
© Vangjush Ziko



