Krijimtari

Rruga e gabuar është e drejtë… - Nga Artan Gjyzel Hasani

…për sa kohë që ti ecën mbi të

i vetëm dhe pa u rrëzuar

pa arritur kurrë për ku je nisur

i lehtësuar nga pesha e bashkëudhëtarëve

dhe destinacionet e përbashkëta

nga këto gjëra të tepërta të jetës

ku nganjëherë bëjnë pjesë gjurmët e të tjerëve

sëmundjet ngjitëse

krenaria dhe vdekja…

por edhe në u rrëzofsh ndihu i lumtur

që dora e tyre nuk do të zgjatet drejt teje

në asgjëkundin magjik që e di veç ti

mos prano të të ngrejnë

mos u bëj djep i mburrjes së tyre

por varr i turpit tënd

gjunjëvrarë zvarritu

dhe ngrihu…

rruga drejt vetes nuk bëhet kurrë me të tjerë…

(nga “FATA MORGANA”, 2023)

©artangjyzelhasani