Bisedë me lypësin - Tregim nga Sami Milloshi
Një lypës që del në udhëkryq për lëmoshë nuk ka kohë të ndjekë lajme. Kurrkund, as në gazetë, as në televizion e as në internet. Por atij, i duhet ta dijë këtë lajm që tronditi qytetin...
Një njeri pa shtëpi dhe katandi vodhi një dollar në Wells Fargo Bank dhe për këtë arsye policia e arrestoi. Tani, ai është në burg si pasha...
I afrohem pranë lypësit tim. Hap xhamin e makinës dhe i jap pesë dollarë. Më thotë njëqind herë faleminderit. I lutet Zotit të më bekojë mua. Por unë e kam mendjen tek Donald Smith që përfundoi në qeli për një dollar të vjedhur në bankë.
- Pse nuk vjedh edhe ti? - e pyes unë lypsin tim.
- Nuk di, nuk dua dhe nuk mundem...- thotë ai.
- Po Donaldi që i vodhi bankës një dollar, pse di, pse do dhe pse mundet? - e pyes unë.
- Ai di sepse nuk ka qenë në luftë si unë në Irak. Ai do sepse e di që do ta burgosin. Dhe, sigurisht që do të jetë më rehat në burg se sa mund të jetë jashtë, duke lypur në shi si unë...
-Po pse mund të jetë më rehat në burg?
- Sepse e ka nje strehë mbi kokë. Sepse e ushqejnë tre herë në ditë. Dhe, sepse po të sëmuret, ia çojnë doktorin te qelia...Por, ai nuk eshte njeri i lirë, si unë ...
- Po as ti nuk je - i them.
- E di - më thotë - po kush është? Dhe pergjigjet po vetë: - Askush! Ja, ti vetë je i lirë? - më pyet.
- Nuk jam - i them.
- Po pse? - më pyet.
- Sepse kam frikë të them atë që mendoj.
- Ti je i lirë aq sa të më falësh mua pesë dollarë... Aq, jo më shumë. - thotë lypësi.
Tjetri pas meje i bie borisë së makinës ngaqë unë kam bllokuar trafikun, i harruar në bisedë me lypësin.
- Ik - thotë lypësi. -Ti nuk je as i lirë të bisedosh me mua.
Tërheq këmbën nga pedali i frenave dhe iki. Në udhëkryqin tjetër është një lypës tjetër. Edhe ai ka shkruar në pankartë se është veteran lufte dhe se nuk ka strehë...
Dua të ndalem dhe t'ia tregoj edhe atij historinë e Donaldit që vodhi një dollar në bankë, por nuk kam kohë. Më duhet të shkoj në punë në orar. Tek e mbramja, dua të jem i lirë aq sa të mos kem fatin e Donaldit, ose, atë fatin e lypësit që lashë pas në udhëkryq...
© Sami Milloshi



