Krijimtari

Luiznaja - Nga Artan Gjyzel Hasani

Luizi është bukë dhe gjellë

është qiell me një yll

të hënave është hënë

gjatë javës pyll me shi

dhe të dielave diell…

carpe diem, bijtë e Shqipes

dhe ju bija të saj

Zotit mos i kërkoni gjë tjetër

as vetes, as jetës, as vdekjes

veç gëzojuni këtij fati të madh

Luizin e sotëm mos e lini për nesër

do të bëheni pishman

kur shfaqja të mbarojë

dhe të mos e shihni më në ekran

e çfarë do të bëni pastaj

kush do t’ju mbajë gjallë

pa bukën dhe gjellën tuaj

do të vdisnit parakohe nga uria

me sytë në ekran dhe pult në duar

në varrezën virtuale kolektive

të lumtur në mënyrën tuaj

dhe në mënyrën tuaj krenarë…

©artangjyzelhasani 2023