Kjo ditë marsi - Nga Vangjush Ziko
Me fenerin e solsticit në dorë
kjo ditë fund dimri
zbon blozën e natës,
shkel ngadalë
mbi plagët e ngrira të dheut,
kërkon çelësin e artë
(nga vjeshta fshehur),
të hapë marsi
me atë çelës floriri
siparin e stinëve:
të zgjojë manushaqen
me aguliçen,
qershizën gjumashe,
hardhinë delikate,
kallirin e grurit të ri
(hambarin e bukës sonë
të përditshme),
të gjitha mbuluar
me çorgën e bardhë të dimrit,
kjo ditë e solsticit
të gjakut e shpirtit.
© Vangjush Ziko