Krijimtari

Planeti Poet - Nga Vangjush Ziko

Ngrysem dhe gdhihem

(çfarë dreq planeti jam),

cili diell më zgjon,

cila hënë më vë në gjumë.

Stinët e jetës çelin e vyshken,

nuk kthehen më të pabesat.

Vërtitem në universin

me emra njerëzish

dhe perëndish.

Gropat e zeza s'më ndahen

si makthet dhe mëkatet,

është shpejt u them,

dielli im Poezia

s'është shuar ende,

në krahët e saj më mban.

Ngrysem dhe gdhihem

në tokësorin univers

gjersa të bëhem Mars

i përvëluari planet.

© Vangjush Ziko