My sweet Lord - Nga Artan Gjyzel Hasani
do të vdesim dhe nuk e dimë
si do të na vejë halli paskëtaj
dhëntë Zoti të mos kemi
fatin e Jezuit
se kush rri e merret nga e para
me maskarenjtë dhe idiotët
do të na dhembin përsëri sytë
e as nervat nuk na mbajnë…
do të ringjalleshim të gjithë njësoj
dhe të tjerë nuk do të kishte
të pavdekshëm dhe të mbushur me dritë
do ta ndriçonim veten aq shumë
sa botën do ta mbulonte errësira
dhe Zoti do të kishte ftohtë…
(nga “FATA MORGANA”, 2023)
© Artan Gjyzel Hasani



