Psalm - Nga Vangjush Ziko
S'kam qenë në mal të shenjtë,
as stërnip i davidit s'jam,
as profet,
jam biri i shekullit
që me plagë të hapura iku,
tjetri me trauma nisi.
Psallt në tempullin tim
tempull i thjeshtë
pa kollona mermeri
veç me ikona poetësh,
kupola e tij
me frymëzim të plumbtë veshur,
si parzmore luftrash
zbukuruar me vetëtima
rimash të prushta,
që ndizen dhe shuhen,
vishen me hi,
zemra ime-këmbanë
(as bronx, as hekur).
Këndoj psalme për botën
dhe fatin tim
mbështjellë me mjegull.
Amin!
© Vangjush Ziko



