Krijimtari

Murgjit e Botës - Nga Vangjush Ziko

Janë ulur ata në një kënd të globit

ku kryqëzohen paralelet e meridianët,

ku fryjnë zefirët dhe murlanët,

ku rrugët e zogjve shtegtarë kryqëzohen

me korridorët e aeroplanëve.

Janë ulur në qoshen

e lutsave dhe lypsarëve.

Bethoveni i shurdhuar luan Apasionatën,

Van Gogu pikturon renë e zezë të korbave,

Homeri i verbër vajton hirin e Trojave,

Shekspiri me zërin e Lirit të hakërruar

mallkon pjellën e tij të padenjë,

Uitmani urën e vargjeve

mes kontinenteve ka nderë...

Njerëzit kalojnë indiferentë.

Luten murgjit,

agjërojnë dhe kungohen

me gjakun e tyre të magjepsur,

harrohen ndjenjash pleksur

dhe vrullesh ëndrrimtare

të kësaj bote mëkatare,

luten

të bëhet arti dritë e vërtetë...

Bota e verbër mbetet përjetë.

© Vangjush Ziko