Krijimtari

Otium cum dignitate - Nga Artan Gjyzel Hasani

në këtë botë mbytëse dhe nervoze

ku varfëria e xhepit të zvogëlon

pasurinë e shpirtit

dhe frymëmarrja konsiderohet privilegj

është vështirë të plakesh

pa humbur dinjitetin,

në mos atë që është

të paktën atë që duket,

sado që të përpiqesh

ata do të ta vjedhin

me mënyrat e tyre të pashmangshme

dhe kur të shohin që përsëri

nuk ia arrijnë dot

të të bëjnë si veten

do të të përçmojnë edhe më fort

dhe do të harrojnë

që dinjitetin e humbin

vetëm ata që e kanë

dhe nuk e fitojnë kurrë

ata që e kanë gjetur

në rrugën ku të rrëzuan ty…

(nga "Fata Morgana", 2023)

© artangjyzelhasani