Ne dhe fëmijët tanë - Nga Artan Gjyzel Hasani
sonte le të flasim për fëmijët tanë...
ata nuk e dinë që edhe ne jemi fëmijë si ata vetë...
nuk e dinë që edhe ne kemi frikë të flejmë vetëm....
që edhe ne i duam pranë lodrat tona...
dhe shpesh na pëlqen të luajmë me lodrat e të tjerëve...
që edhe ne i duam përkëdheljet dhe zërin e ngrohtë...
që edhe ne presim çdo mbrëmje përrallën e radhës...
që edhe ne e humbasim shpesh rrugën për në shtëpi...
që edhe ne gënjehemi po aq lehtë sa ata...
që edhe ne gabojmë dhe themi "më fal" po aq shpesh...
që edhe ne besojmë se përtej horizontit nuk ka asgjë tjetër...
që edhe ne akoma i vizatojmë shtëpitë me dyer të mbyllura...
që edhe ne akoma presim dhuratën e Santa Clausit
si ata...
aty...
nën pemën e vjetër...
eja të ndihemi më të vegjël se fëmijët tanë...
ah sa shumë gjëra tonat nuk dinë ata...
se nganjëherë as vetë nuk e dimë
jemi të rritur
apo akoma fëmijë
që lindin këtu
dhe jetojnë matanë...
(nga “MEKATARI”, 2011)
©artangjyzelhasani